E Shtunë, 31 Tetor 2026

I moshuari sulmon me sëpatë nxënësit

Gëzim Ashimi

Panik në shkollën Nuçi Naçi, policia neutralizon dhe arreston agresorin e dehur

Policia e Korçës tha se ka arrestuar agresorin 71-vjeçar për kanosje dhe armëmbajtje pa leje

Gëzim Ashimi

shkolla ne korceFëmijët e një shkolle 9-vjeçare në Korçë kanë përjetuar panik për disa minuta dhe kanë shpëtuar mrekullisht nga një sulm i papritur i një personi të moshuar me sëpatë në dorë. Agresori ka tentuar të godasë fëmijët me sëpatë, ku sipas stafit pedagogjik ka qenë i dehur, ndërkohë që policia ka kërkuar ti bëhet ekspertim psikik.

Ngjarja jo pak tronditëse si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit e tyre, ka ndodhur rreth mesditës të së martës në shkollën Nuçi Naçi, që ndodhet në periferi të qytetit. Ka qenë një orë kur nxënësit ishin duke përfunduar procesin mësimor dhe do të largoheshin nga shkolla, kur kanë ndeshur në ambientet e brendshme të institucionit arsimor një të moshuar, që i kanoste me sëpatë në dorë. Policia lokale që ndërhyri për këtë ngjarje tha se 71-vjeçari Përparim Beqiraj, banues në lagjen 5 të qytetit, shumë pranë shkollës 9-vjeçare, ka shkuar në shkollë dhe është prezantuar sikur është drejtori i shkollës. E për këtë arsye, nxënësit kanë filluar të qeshin, por kjo ka irrituar të moshuarin, i cili ka nxjerrë sëpatën dhe ka dashur ti godasë me të. Në këto momente ka ndërhyrë stafi pedagogjik, por edhe drejtori i shkollës. Pas një debati me këtë të fundit, 71-vjeçari mësohet se ka shfaqur përsëri rrezik për jetën e nxënësve dhe për këtë është sinjalizuar menjëherë policia. Patrulla e gatshme ka arritur në kohën e duhur për të shoqëruar të moshuarin në komisariat. Sipas dëshmive, i moshuari i dehur u turrej fëmijëve me sëpatë në dorë dhe nëse nuk binte në duart e policisë, mund të kishte qëlluar ndonjërin prej tyre. Gjendjen e panikut dhe të alarmit që përfshiu shkollën 9-vjeçare, e tregonte pak kohë pas ngjarjes një prani e madhe prindërish pranë ambienteve të saj, që shpejtuan të marrin fëmijët për ti kthyer në shtëpi. Të tjerë fëmijë qëndronin pas dritareve në pritje të të afërmve të tyre nga frika që kaluan, duke u përballur me të moshuarin me sëpatë në dorë në ambientet e brendshme të shkollës së tyre.

Drejtori i kësaj shkolle, Stavri Cane, tha se nga komunikimi me 71-vjeçarin ka vënë re te ky i fundit një gjendje të dehur. Sipas drejtorit të shkollës, i moshuari mund të jetë provokuar me fjalë nga fëmijët dhe ky mund të jetë shkaku që i ka kërcënuar ata se do ti vrasë, madje duke i ndjekur nëpër ambientet e shkollës. Ndërkaq, policia që hetoi ngjarjen, deklaroi se i moshuari jo vetëm që ka qenë në gjendje të dehur, por vuan edhe nga depresioni. Burime të saj thanë se i moshuari i ardhur nga fshati Pirg dhe që banon i vetëm në Korçë tregon një gjendje jo të mirë mendore, kështu që është kërkuar ekspertiza psikike e tij. Sidoqoftë, agresori i dehur që rrezikoi sigurinë e fëmijëve në shkollën e qytetit të Korçës, pas disa orësh shoqërimi, është arrestuar në flagrancë për veprën penale kanosje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

I moshuari sulmon me sëpatë nxënësit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›