E Shtunë, 31 Tetor 2026

I munguari i madh i takimit të Londrës

Kur Presidenti amerikan, Obama, do të vijë në Londër javën e ardhshme, ai do ta verë re me siguri mungesën e një pjesëtari të rëndësishëm në tryezën e takimit: Evropës. 5 nga 20 anëtarët që do të marrin pjesë në takimin e G20 do të jenë evropianë të cilët do të përfaqësojnë Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Bashkimin Evropian. Ajo çka do të bjerë në sy është se do të ketë shumë evropianë, por jo një Evropë. Gordon Braun deklaroi këtë javë para Parlamentit Evropian se "Evropa ishte caktuar që të drejtonte botën". "Caktuar", ndoshta, por për momentin po dështon në mënyrë spektakolare për ta merituar atë "vend". Kundërpërgjigjja e BE-së ndaj krizës ekonomike botërore, më të rëndës që nga fillimi i procesit të integrimit evropian, që nisi plot 50 vjet më parë, ka qenë e dobët dhe shumë e përçarë. Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan përmes aplikimit të paketave të shumta stimuluese për ekonominë. Në krahasim me këtë strategji, Evropa ka "nxjerrë" nga xhepat sasi shumë të vogla parash. Ekonomisti francez, Nikolas Baverez, së fundmi vlerësoi se në total paketat stimuluese evropiane përbëjnë 1.5% të prodhimit kombëtar bruto, krahasuar me shifrën 12% të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që shpenzimet e evropianëve kanë qenë në minimum, ata kanë bërë përpara në dy fusha të tjera: atë të kacafytjes mes vetes, kush e kush të përfitojë më shumë nga grimcat e parave dhe hedhjes vrer ndaj strategjisë së amerikanëve. Kështu, për shembull, ekonomisti Christoph Schmid, një nga 5 "të mençurit" që e këshillojnë Kancelaren gjermane në çështjet e vendimmarrjeve ekonomike, kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës për thellimin e borxhit kombëtar dhe rrezikimin e rritjes në masë të inflacionit nga printimi i një numri të madh kartëmonedhash. Kjo është e vërtetë, por njëherazi Gjermania vazhdon që të mbetet në pritje të konsumatorëve amerikanë për të vënë në funksionim eksportin e saj. Në njëfarë mënyre është si të kafshosh dorën që të ushqen. Udhëtimi i Obamës në Evropë, që do të nisë me takimin e NATO-s e do të vazhdojë me një takim SHBA-BE në Pragë, ka të përfshirë në axhendën e diskutimeve edhe çështjet e politikës së jashtme dhe ato të politikave të sigurisë. Këtu Evropa është edhe më e përçarë. Për të qenë të ndershëm, duhet të themi se është e vërtetë që ka një qëndrim të unifikuar për sa i përket përqafimit të një qëndrimi diplomatik ndaj çështjes së Iranit, por mbetet për të parë se si do të reagojnë evropianët, nëse Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë ndërmarrjen e sanksioneve të reja ndaj vendit islamist që nuk po jep shenja bashkëpunimi. Ndërsa për sa u përket gjithë çështjeve të tjera të mëdha të axhendës së Obamës në lidhje me politikën e jashtme, asaj të Afganistanit, Pakistanit, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, për armët bërthamore, Evropa e bashkuar dhe e unifikuar në qëndrime nuk ekziston gjëkundi. Ka vetëm vende evropiane, jo komunitet të tillë. Ndryshe nga Xhorxh Bushi në fillim të mandatit të tij të parë, Presidenti Obama është njëherazi ideologjikisht dhe pragmatikisht i predispozuar që të punojë me një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar, por edhe një person si ai nuk mund të punojë me diçka që nuk ekziston. Nëse do të hidhnim vështrimin pas, do të shihnim se Evropa ka shpenzuar 10 vitet e fundit në arritjen e njërit dështim pas tjetrit për sa i përket synimit të unifikimit të saj. Një dhjetëvjeçar që nisi me planet ambicioze për një Kushtetutë të përbashkët evropiane dhe që përfundoi me fatin e turbullt dhe të papërcaktuar të një traktati me një synim shumë më modest se Kushtetuta, që mbetet i varur sërish nga vota "pro" ose "kundër" e irlandezëve. Nëse do të ishte përdorur qoftë edhe vetëm gjysma e kohës së shfrytëzuar për debatet institucionale, për koordinimin më të mirë të veprimeve, nën traktatet e ligjet ekzistuese, sot Evropa, pa dyshim, që do të ishte në një situatë më të mirë. Fatkeqësisht, Evropa mbetet edhe sot e kësaj dite një koncept. Për këtë situatë ka përgjegjësinë e tij çdo vend anëtar, sikundër përgjegjësi mban edhe lidershipi i organizatës në Bruksel. Por përgjegjësinë më të madhe e mbajnë tre anëtarët më të mëdhenj të saj. Ishte "Jo"-ja e Francës ajo që "vrau" projektin e Kushtetutës. Qeveria laburiste britanike, që erdhi në pushtet në vitin 1997, duke premtuar një epokë të re në marrëdhëniet me Evropën, në vend që të bënte një gjë të tillë, ndërroi drejtim, duke u shndërruar në një violinë të dytë të çdo vendimi që merrte Uashingtoni, në vend që të ishte pjesë e orkestrës evropiane. Kryeministri britanik i tha Parlamentit Evropian se Britania "nuk e konsideron veten si një ishull larg Evropës, por si një vend në qendër të Evropës". Në këtë rast, Gordon Braunit do t‘i sugjeroja që të fliste për veten e tij, sepse shumë britanikë mendoj që kanë tjetër ide. Për të provuar këtë që po them, do t‘i sugjeroja qeverisë që t‘u bënte britanikëve këtë pyetje: "Ndiheni ishullorë, apo në qendër të Evropës?" dhe pastaj dikush të fliste në emër të tyre. Edhe nëse do të dilte që britanikët e shohin veten në qendër të Evropës, pyetja tjetër që vjen është: "Po evropianët a i konsiderojnë britanikët të tillë"? Megjithatë, vendi me më shumë përgjegjësi është Gjermania. Dhjetë vite të shkuara, Helmut Khol sapo ishte larguar nga posti i Kancelarit. Gjermania ishte ende vendi më i madh evropian, plotësisht i dedikuar ndaj idesë së një unifikimi evropian. Megjithatë, kishte zëra djathtas e majtas që flisnin për një "dalje nga hija" për Gjermaninë dhe për një shndërrim të saj në një vend më "normal", pak a shumë si Franca dhe Britania. Duket se këta zëra të dëgjuar 10 vjet më parë, triumfuan. Sot, Republika e Berlinit ka vendosur që të verë të parat interesat e saj afatshkurtra kombëtare. Kjo mund të mos jetë preferenca personale e Angela Merkelit, por në një vit zgjedhjesh, konkurrenca për votën është shumë intensive dhe gara nuk do të fitohet nga ata politikanë që janë gati të sakrifikojnë vendin në emër të interesave të Bashkimit Evropian. Për sa i përket Francës dhe Britanisë, sjellja e tyre tipike është e njëjta në të gjitha kohërat. Ajo çka është e re, është se tashmë Gjermania po sillet si Franca dhe Britania. Në këtë konstelacion, as amerikanët dhe as kinezët nuk e shohin Evropën si një partner koherent. G20 duket se po pranohet si një institucion i ri për vendimmarrje në fushën e ekonomisë globale. Por për ta vënë në funksionim duhet që të arrihet mirëkuptimi mes palëve dhe arritja e një mirëkuptimi do të thotë arritje koalicionesh mes lojtarëve kryesorë. Së fundmi, për shkak të pafuqishmërisë së Evropës për t‘u shfaqur me një zë unik, po dëgjohet gjithnjë e më tepër termi G2 pra G, në të cilën fuqitë e mëdha do të jenë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›