E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekreti i fëmijëve: thonë gjithmonë "jo", por në të vërtetë të dëgjojnë

Nëse nuk e besoni, atëherë mund ta provoni: sa herë që një fëmije të vogël i thuhet "Jo" për të bërë apo jo diçka, ai ose ajo bën të kundërtën. Nuk duhet të shqetësoheni, sepse shkenca ka një lajm të mirë për prindërit e fëmijëve kokëfortë. Në fakt, vërejtjet ose fjalët që prindërit u thonë të vegjëlve, nuk kalojnë nga njëri vesh në tjetrin pa lënë gjurmë, por "vihen mënjanë" për në të ardhmen. Ky është përfundimi i arritur nga një studim i bërë nga Universiteti i Kolorados.

"E fillova studimin duke imagjinuar përfundime krejtësisht ndryshe. Shumë studiues mendojnë se fëmijët nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen të imitojnë të rriturit, por studimi ynë tregon se në mendjet e tyre ndodh diçka e çuditshme".

Për të kryer studimin, Munakata e kolegët kanë përdorur një videolojë për të vegjlit dhe një teknikë të njohur me emrin "pupilometria", që mat diametrin e bebes së syrit për të përcaktuar sforcimin cerebral. Shkencëtarët kanë marrë në pyetje të vegjlit nga mosha tre deri në tetë vjeç e gjysmë, duke i nënshtruar ndaj një loje shumë të thjeshtë, me protagonistë dy personazhe të filmave vizatimorë. Fëmijët duhej të ndiqnin disa rregulla të thjeshta si dy protagonistët dhe të shprehnin preferencat e tyre duke klikuar mbi ekran. Duke e ditur që personazhi "Blu" çmendej për shalqi, fëmijët duhej të klikonin mbi fytyrën e qeshur të desktopit sa herë të shihnin personazhin që ndiqej nga një shalqi, dhe mbi fytyrën e trishtuar kur në ekran shfaqej personazhi tjetër, "SponxhBobi".

"Më të mëdhenjve kjo sekuencë u dukej më e thjeshtë dhe e bënin lidhjen para se objekti të shfaqej në ekran. Ndërsa më të vegjlit kishin vështirësi dhe nuk arrinin ta gjenin përpara përgjigjen. Sa herë që shihnin shalqirin, sforcoheshin për të kujtuar nëse në skenën paraardhëse e kishin parë apo jo personazhin", shpjegon Christopher Chatham, që ka marrë pjesë në studim.

"Mesa duket, bëhet fjalë për ndryshime sasiore, që më pas shndërrohen në ndryshime cilësore. Ndryshime që lidhen me maturimin e sistemit nervor qendror dhe sidomos atë të kores parafrontale, përgjegjëse për planifikimin e veprimeve. Por gjithashtu janë edhe ndryshime që lidhen me sasinë e eksperiencave të regjistruara në kujtesë".

Matja me pupilometër tregoi se fëmijët 3 vjeç nuk arrinin të përqendroheshin as për në të ardhmen dhe as të jetonin të tashmen. Por sillnin ndër mend të kaluarën sa herë që truri kishte nevojë. Doktor Chatham e shpjegon këtë mekanizëm me një shembull shumë të qartë: "Le të marrim si shembull rastin që jashtë bën ftohtë dhe ti i thua fëmijës të shkojë të marrë xhupin në dhomë dhe të bëhet gati për të dalë. Në atë çast ti pret që ai të reflektojë mbi situatën dhe më pas të planifikojë të ardhmen, duke e bërë këtë gjë më bindëse. Por nuk është kjo ajo që ndodh në trurin e fëmijës. Për të është më e thjeshtë të dalë jashtë, por kur e kupton se jashtë bën ftohtë, futet brenda dhe mendohet për fjalët që ju i keni thënë pak më parë, duke marrë xhupin pikërisht në vendin ku ju ia keni përmendur pak më parë".

Në praktikë, asgjë nga ajo që thonë prindërit nuk humbet, por gjithçka magazinohet dhe përdoret nga fëmijët në një moment të dytë, duke bërë bashkë indikacionet e marra nga një eksperiencë e mëparshme.

Sipas shkencëtarëve, studimi që do të publikohet në numrin e ardhshëm të revistës shkencore "Proceedings of the National Academy of Sciences", mund t‘i ndihmojë psikologët dhe pediatrit të ndjekin terapi të veçanta për fëmijët në vështirësi dhe kurse edukative në bazë të fazave të ndryshme të rritjes.

"Është krejtësisht e gabuar të pretendosh që një fëmijë të bindet thjesht duke dëgjuar një, dy apo tri herë të njëjtën komandë. Do të ishte më mirë nëse punët që u kërkoni të mos kenë shumë ngarkesë psikologjike, por të kenë një përballje praktike me realitetin", përfundon Munakata.

Sipas psikologut, fëmijëve u duhet thënë një frazë e tipit: "E di që nuk dëshiron ta marrësh dhe ta veshësh tani xhupin, por kur të kesh ftohtë, kujtohu që mund ta gjesh në dhomën tënde". Pesë minuta pa xhup, gjatë netëve të ftohta të dimrit, mund të sjellin ftohje, por rruga e gjatë drejt rritjes vlen më shumë sesa një teshtimë.

Studimi

Vërejtjet ose fjalët që prindërit u thonë të vegjëlve, nuk kalojnë nga njëri vesh në tjetrin pa lënë gjurmë, por "vihen mënjanë" për në të ardhmen. Ky është përfundimi i arritur nga një studim i bërë nga Universiteti i Kolorados



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›