E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ndan politika, i “bashkon” Amerika!

Edhe marrëdhëniet institucionale midis Presidentit dhe Kryeministrit, thuajse janë shkëputur që prej ngjarjes së 21 janarit.

Por mbrëmë, Topi e Berisha janë detyruar të “bashkohen” në festën e 20-vjetorit të ambasadës amerikane në Tiranë. Në foton e rastit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka hyrë në mes si për të zbutur disi akullin midis krerëve të lartë të shtetit. Në ceremoninë festive merrte pjesë edhe kreu i opozitës, Edi Rama, i cili megjithatë ka ardhur me vonesë në ceremoni, ku diplomati amerikan e kishte nisur tashmë fjalën e tij.

Në zyrën e vet, jashtë “syrit” të medias, Arvizu i ka pritur në takime të veçanta. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha, i emocionuar, ashtu sikurse e theksoi edhe vetë-e përshëndeti kreun e shtetit. Gjatë fjalës, Berisha bëri edhe një “përshëndetje” jashtë agjendës për Topin, e cila në fakt ishte drejtuar për ambasadorin Arvizu.

“I nderuar zoti Ambasador Arvizu, zonja Arvizu, zoti President i Republikës, zonja Topi, zonja kryetare e Parlamentit, zoti Topi…zoti Topalli. Por zoti President ka edhe një moment shumë të veçantë, të 20 viteve më parë…zoti Ambasador. Jam pak i emocionuar prandaj edhe nuk…Të gjitha vendimet e vendit tuaj, e presidentëve dhe të qeverive të vendit tuaj në 90 vitet e fundit, janë vendime që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve, me pavarësinë e tyre në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë”, tha në fjalën e tij kryeministri Berisha.

Pas ngjarjes tragjike të 21 janarit, Berisha akuzoi direkt kreun e shtetit se merrte pjesë në këtë “puç”, ndërsa i quajti “horra bulevardi”, ku në këtë etiketim përfshihej edhe Prokurorja e Përgjithshme dhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror. Në kundërpërgjigje të kësaj, pak ditë më parë, Topi foli për herë të parë drejtpërdrejt, duke theksuar se “deklarata të tilla ishin për t’u mëshiruar” dhe se kryeministri “kishte humbur kontrollin”. 
/S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-05 09:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›