E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita kërkon tryezë të përbashkëtpër zgjidhjen e krizës

PRISHTINË- Dy partitë opozitare, LDK dhe AAK i kanë bërë ftesë koalicionit në pushtet që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e gjendjes së krijuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Në vend të zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh, opozita propozon një marrëveshje për reformat zgjedhore dhe caktimin e datës së zgjedhjeve pas një viti, në mënyrë që të tejkalohet gërci për zgjedhjen e prsidentit.

Për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin Pacolli Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, propozojnë një marrëveshje me partitë në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo marrëveshje, sipas opozitës do të përfshinte një president konsensual, reformat zgjedhore, ndryshimin e Kushtetutës, si dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme.

Nëse arrihet një marrëveshje për këto pika, opozita thotë se do të merrë pjesë në seancën e radhës, ku në rend dite do të ishte zgjedhja e presidentit konsensual të Kosovës.

“Në këtë marrëveshje do të afatizohej koha e kësaj qeverie që e kemi tani, do të përcaktoheshin disa mandate ose detyra, në radhë të parë reforma zgjedhore, ndryshimi i Kushtetutës, i Ligjit për zgjedhjen e presidentit, i sistemit zgjedhore etj”, ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala për Radio Europa e Lirë.

Nga marrëveshja deri në zgjedhjet e ardhshme, Shala thotë se mund të ketë një kohëzgjatje prej një viti, në mënyrë që të ketë afat të mjaftueshëm për reformat që po synohen. Marrëveshja eventuale, sipas tij, nuk nënkupton që LDK-ja të përfshihet në këtë mandat qeverisës.

Me rëndësi, sipas Shalës, është që të gjendet një kandidaturë e mirë për president dhe të merren garanci për zhvillimin e reformave. Në rast të dështimit të marrëveshjes, Shala thotë se vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të shpejta.

“Ajo që kërkojmë ne është që vendi të ketë sa më shumë kohë që t’i bëjë reformat dhe të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme. Ne nuk mendojmë që është e domosdoshme që ato të bëhen brenda 45 ditësh, por nëse PDK-ja nuk ka vullnet për atë që t’i përmbushë kërkesat tona dhe të bisedojë me ne për çështje të tilla, atëherë ne jemi të gatshëm edhe për atë variante”,- ka theksuar Shala.

Për të arritur një marrëveshje rreth tejkalimit të gjendjes, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fton spektrin politik, si atë në pushtet, ashtu edhe partitë opozitare, që të ulen në një tryezë të përbashkët për të propozuar hapat e mëtejshme.

Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa një marrëveshje politike, Grupi Parlamentar i AAK-së do ta bojkotojë çdo seancë që mund të thirret për zgjedhjen e presidentit.

(e.m/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›