I nderuar për ‘Topin e Artë’

Lionel Messi ishte pa dyshim ylli i së hënës mbrëma në gala mbrëmjen e ‘Topit të Artë’, të organizuar nga FIFA. Argjentinasi, me buzëqeshjen e tij në fytyrë, pasi e mori çmimin e lojtarit më të mirë në botë, i ka treguar përshtypjet e para në një intervistë për FIFA.com.
Ai u bë lojtari i parë që kur Michel Platini e kishte fituar ‘Topin e Artë’ tri herë rresht. Natyrisht, ky fakt e bën të lumtur yllin argjentinas. “Jam mjaft i nderuar që e fitova tri herë rresht këtë trofe. Është e vështirë ta fitosh një e lëre më tre. Jam mjaft i lumtur dhe kjo mirënjohje më jep kënaqësi si në herën e parë”, deklaroi futbollisti i Barcelonës.
Ai ia dedikoi këtë çmim në veçanti shokut të skuadrës Xavi Hernandez, i cili përfundoi i dyti. Messi thotë se bashkëpunimi i tij në fushë me mesfushorin spanjoll ka sjellë suksesin kolektiv, por edhe individual të tyre.
Ai shpreson që, përpos në nivelin e klubeve, të arrijë suksese edhe me Kombëtaren argjentinase, ku deri sot nuk ka fituar asgjë të rëndësishme pos që është kritikuar për paraqitjet e tij.
“Shpresoj që të vazhdoj me paraqitje të tilla dhe të fitoj sa më shumë tituj, gjë e cila është ajo që keni nevojë për të pasur raste të mrekullueshme si ky i sontmi. Dëshiroj të arrij gjëra të tilla edhe me Kombëtaren dhe të vazhdoj të luaj në këtë mënyrë. Shpresoj që kjo të ndodhë një ditë”, nënvizoi ai.
Messi uron që ta ruajë formën e tillë edhe në të ardhmen dhe si rezultat i kësaj, do ta kishte mundësinë të jetë i pranishëm sërish në gala mbrëmjen e parvjetshme të Zurichut, ku ai ishte i pranishëm pesë herë deri tash.
“Të jem i sinqertë, nuk e mendoja ndonjëherë që të jem këtu aq shpesh. Kam qenë pesë herë, por shpresoj që të vij edhe disa herë, nëse e ruaj formën. Unë ëndërroja të luaja në divizionin e parë, por nuk e kam imagjinuar kurrë se gjërat mund të shkonin kështu për mua”, shtoi 24 vjeçari.
Në fund të intervistës, Messi i ka treguar edhe objektivat e vitit 2012. “Objektivi im është i njëjti si në fillimin e çdo viti: të mundohem të fitoj sërish trofe. Siç e shihni, çdo herë po bëhet më vështirë ta bëjmë një gjë të tillë”, përfundoi tashmë legjenda e futbollit botëror.