Roshi pendohet për skandalin

Reprezentuesi shqiptar, Odise Roshi është penduar për gjestin e pahijshëm që e bëri në miqësoren ndërmjet Kolnit dhe Hannoverit, e cila u zhvillua fundjavën që shkoi dhe përfundoi baras, 1:1.
Në minutën e 70-të të ndeshjes, pas një mosmarrëveshjeje në fushë, futbollisti shqiptar e kishte pështyrë nga prapa shpinës lojtarin kundërshtar Moritz Stoppelkamp. Gjyqtari nuk e kishte parë këtë gjest të ligë, i cili bëri bujë në Gjermani. Por, 20 vjeçari ka kërkuar falje me t’u takuar me trajnerin Stale Solbakken.
“Sjellja e tij nuk ishte e pranueshme. Këtë ia kam bërë të qartë atij. Roshi më pas ka kërkuar falje për këtë gjest. Mirëpo, ai ka thënë se nuk kishte qëllim të pështynte Stoppelkampin, por të pështynte në tokë”, shpjegoi trajneri i Kolnit.
Stoppelkamp kishte reaguar ashpër ndaj gjyqtarit, i cili megjithatë nuk e kishte parë këtë veprim dhe nuk e kishte sanksionuar Roshin. Pas ndeshjes, 25 vjeçari Stoppelkamp kishte shkuar drejt bankinës i mllefosur dhe kishte dhënë një deklaratë të fortë. “Ai më pështyu, sapo ta takoj do t’ia thyej hundën”.
Roshi është pjesë e skuadrës së Kolnit që nga janari i vitit të kaluar. Ai ishte transferuar në klubin e Bundesligës nga Flamurtari i Vlorës. Reprezentuesi i Shqipërisë llogaritet si një sulmues me të ardhme të ndritur.
Roshi, si Rijkaard e Totti
Këtë gjest të pahijshëm mediet gjermane e ka krahasuar me atë të holandezit Frank Rijkaard, i cili në Botërorin 1990 e kishte pështyrë legjendën gjermane Rudi Voller në fitoren 2:1 të gjermanëve.
Po ashtu gjest të njëjtë gjatë kampionatin evropian ‘Euro 2004’ kishte bërë edhe zvicerani Alexander Frei, i cili kishte pështyrë legjendën angleze Steven Gerrard.
Po në këtë eveniment edhe legjenda italiane Francesco Totti kishte pështyrë reprezentuesin danez Christian Poulsen.
Mirëpo, këta nuk janë të vetmit që kanë bërë kësi gjestesh, pasi historia e futbollit ka regjistruar shumë raste të tilla. Si do që të jetë, nëse jo për sukses, Roshi do të mbahet mend përgjithmonë për gjestin e pahijshëm.