Monchengladbach, pas Shaqirit e Xhakës
Pas shitjes së Marco Reus, Borussia Monchengladbach ia ka vënë syrin dyshes shqiptare Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Ekipi nga Bundesliga do t’i përfitojë 17,5 milionë euro nga shitja e talentit gjerman, i cili nga vera do t’i bashkohet Borussia Dortmundit.
Këto para, Monchengladbachu planifikon t’i shpenzojë gjatë verës për të sjellë lojtarë të rinj në ekip. “Do të mundohemi ta zëvendësojmë Marco Reusin, duke shpenzuar para të majme”, ka deklaruar Max Eberl, menaxher i Borussia Monchengladbach.
Ky ekip ka në dispozicion 27-30 milionë euro për t’i shpenzuar gjatë verës, njofton Spiegel Online. “Për ta përforcuar ekipin, Monchengladbach po mendon t’i transferojë dy mesfushorët e Baselit, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, edhe pse kanë kontratë me klubin zviceran. Të dy konsiderohen si talentë të mëdhenj dhe kërkohen nga klubet e Bundesligës”, shkruan fussballtransfers.com.
Shaqiri, një vit më i madh, kërkohet nga shumë skuadra tjera evropiane, ndër to edhe Bayern Munich, Hamburg, Manchester United, Liverpool, Atletico Madrid, Malaga, Lazio, Napoli Fiorentina e të tjera. Kurse për Xhakën interesim ka shfaqur Hamburgu, por edhe Manchester United dhe Milan.
Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, kurse Xhaka deri më 2015. Vlera e 20 vjeçarit sillet nga 10 deri në 15 milionë euro, ndërsa i dyti vlerësohet rreth 7 milionë.