E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi ëndërron Celticun

Hamdi Salihi ëndërron të transferohet në klubin skocez Celtic Glasgow. Sulmuesi shqiptar po qëndron në Skoci, ku do t’i kalojë disa ditë te kampioni i shumëfishtë i këtij vendi, ndërsa shpreson t’i bind drejtuesit e këtij ekipi me kualitetin e tij.

“Celtic është një klub i madh dhe mund të jetë një hap përpara për karrierën time. E di se asgjë nuk ka konkrete, por transferimi im në Glasgow do të ishte i mirë për të gjitha palët, edhe për Rapidin”, theksoi Salihi për ueb faqen kurier.at.

Salihi ka realizuar 53 gola nga 90 ndeshje në fanellën e Rapidit. Mirëpo, 27 vjeçari në sezonin e fundit ka përfunduar në bankinë te klubi austriak, kështu që ai do të largohet gjithsesi gjatë këtij muaji.

Për opsionin Celtic nuk është në dijeni ende klubi austriak. “Nuk jemi dëgjuar ende me Celticun. Kështu që për mua këto mbeten vetëm zëra”, deklaroi drejtori sportiv i Rapidit, Stefan Ebner.

Kontrata e Salihit me Rapidin skadon gjatë verës. Celticu është i gatshëm t’i paguajë 500 mijë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar. Trajneri i klubit skocez, Neil Lennon, është në kërkim të një sulmuesi për sistemin e tij 4-4-2 dhe Salihin e sheh si një mundësi të mirë.

“Salihin e njohim që nga dueli që kishim me Rapidin. Ne i njohim mjaft mirë kualitetet e tij”, tha Lennon. Celticu ishte takuar me Rapidin në vitin 2009 në Europa League. Për shërbimet e sulmuesit shkodran interesim kanë shfaqur edhe Gençlerbirligi nga Turqia dhe Grasshoppers nga Zvicra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›