I nderuar z.Kryetar, Të nderuar kolegë deputetë, Besoj se puna e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi Fajdet u mbyll me dëshminë e ish Presidentit të Republikës, sot lideri
I nderuar z.Kryetar,
Të nderuar kolegë deputetë,
Besoj se puna e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi Fajdet u mbyll me dëshminë e ish Presidentit të Republikës, sot lideri i opozitës, zoti Berisha, i cili edhe pas 6 vjetësh nga rënia e piramidave financiare dhe shtetërore, vazhdon të bëjë avokatinë e tyre. Shfrytëzimi i hapësirave demokratike nga ana e opozitës për të hetuar me instrumenta dhe institucione parlamentare çështje të rëndësishme si kjo është krejtësisht normal. Por në rastin e skemave piramidale, besoj dhe gjykoj që kërkesa dhe guximi i opozitës është tejkalim i së drejtës madje inversion i saj, pasi zgjedhësit shqiptarë në mënyrë plebishitare e kanë dhënë gjykimin e tyre që në qershorin e vitit '97, duke e larguar nga pushteti regjimin e zotit Berisha.
Ajo që opozita kërkoi të realizojë nëpërmjet këtij Komisioni është njëlloj sikur kapobanda t'u kërkojë prokurorëve dhe gjyqëtarëve llogari pse nuk janë zbuluar ende të gjitha krimet që banda e tij ka kryer. E ritheksoj edhe njëherë se gjyqi ndaj piramidës politike, ekonomike dhe shtetërore që zoti Berisha krijoi në Shqipëri gjatë regjimit të tij ishte plebishitar, madje me dy raunde, në vitin '97 dhe në vitin 2001, provë kjo që publiku i gjerë shqiptar nuk pranon më as të luhet për qëllime elektorale si ky i Komisionit të Fajdeve me kursimet e jetës që i gllabëroi regjimi i Bëerishës duke mos kursyer as jetë njerëzish.
E vërteta është se pas tragjedisë dhe kaosit të vitit '97, ardhja e socialistëve dhe aleatëve të tyre progresistë në pushtet e ndali menjëherë luftën civile që zoti Berisha kishte ndezur, dhe ne realizuam me shumë durim pajtimin kombëtar, apo jo z.Fino, nga i cili po vazhdon të përfitojë edhe sot opozita, madje në emër të pajtimit kombëtar ne nuk iu përgjigjëm zemërimit popullor që kërkonte ndëshkimin ligjor për disa prej jush për krime të rënda kundrejt shoqërisë.
Sidoqoftë, një rikthim me gjysëm-qetësi në ngjarjet e viteve 1996-1997 na dha përsëri mundësinë të gjithëve për të evidentuar çka ka ndodhur, përse ka ndodhur, kush janë përgjegjësit, dhe si nuk duhen lejuar më rikthimi i kolapsit të skemave piramidale në shoqërinë, shtetin dhe ekonominë shqiptare.
Viti 1995 evidentoi qartësisht mungesën e ideve në qeverisjen e Partisë Demokratike të mbështetur deri atëherë edhe sot e gjithë ditën kryesisht në slogane. Më lejoni të bëj një retrospektivë duke sjellë në vëmendjen tuaj disa nga ngjarjet më të spikatura të asaj periudhe që japin boshtin e logjikës piramidale të vet liderit të asaj periudhe dhe të gjithë alternativës së zbrazët të Qeverisjes së PD sot dhe gjithë ditën.
Ngritja e një sistemi piramidal prej rëre, dhe jo të Faraonëve të Egjiptit të lashtë, u paralajmërua që në fillimet e ushtrimit të pushtetit nga zoti Berisha dhe Partia e tij. Eleminimi i lirive politike dhe qytetare që me ndalimin e protestave paqësore e deri tek burgosja e liderit të opozitës dhe e qindra militantëve të saj, apo dhunimi sistematik i fjalës së lirë edhe në atë pak media që ishte e lejuar, ishin një sinjal i qartë për atë që pasoi në vitet '96 – '97. Me zellin më të madh dhe pa asnjë remors as sot, instrumentat e dhunës komuniste u zëvendësuan me instrumenta të dhunës së intitucioneve të politizuara të Policise së Shtetit dhe Shërbimit Informativ Kombëtar, që tashmë është vërtetuar se sponsorizoheshin nga informaliteti i ekonomisë piramidale.
Ajo që ndodhi gjatë viteve '92 – '97 në Shqipëri ishte reflektim i paralajmëruar gjithashtu i gjithshkaje që po ndodhte brenda vetë Partisë që vetëm emrin kishte "Demokratike". Madje përfaqësuesit e disa partive të vogla, derivate të PD-së, po negociojnë sot për aleanca zgjedhore dhe po vlerësojnë look-un e ri dhe kontributin e liderit aktual të opozitës, ish Presidentit Berisha. Por ata mbeten prova të gjalla të dhunës politike e fizike dhe të denigrimit personal dhe politik që kanë pesuar jo vetëm në atë Parti, por në zyrat dhe stadiumet e rregjit piramidal që zoti Berisha ndërtoi dhe drejtoi.
Gjatë rregjimit piramidal të zotit Berisha, reformat ekonomike shkaktuan trauma me pasoja afatgjata për shoqërinë shqiptare. Të vetmit që përfituan nga këto reforma ishin berishkat të rreshtuara në formacione të korruptuarish, abuzuesish, hajdutësh ordinerë parash, tokash, pasurish imobiliare dhe votash. Privatizimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme u shfrytëzua për të shpërblyer të gjithë ata që i shërbenin piramidës së dhunës politike dhe shtetërore të Berishës. Edhe sot për arsyet e mësipërme, shumë prej këtyre ndërmarrjeve vazhdojnë të mos funksionojnë, të mos kryejnë investime, të mos hapin vende pune, të mos paguajnë sigurime, të hedhin punëtorët në greva urie dhe në rrugë. Mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe babëzia për të përfituar sa më shumë dhe sa më shpejt nga pushteti, e çoi regjimin piramidal të Berishës në tolerimin dhe më pas organizimin dhe mbrojtjen e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale në ekonomi gjithashtu. Nuk është e rastësishme që piramidat financiare filluan të lulëzojnë menjëherë pas ndërprerjes së luftimeve në Bosnjë Hercegovinë. Gjatë kësaj lufte, makina serbe e vrasjeve më makabre në historinë e njerëzimit të pas Luftës së Dytë Botërore është furnizuar me karburant, kryesisht nga regjimi i Berishës. Kjo veprimtari do të mbetet një njollë e zezë në ndërgjegjën dhe dosjen e atyre që e kryen. Përfitimet e paligjshme për shkak të thyerjes së embargos të naftës me ish Jugosllavinë, lulëzimi i industrisë së skafeve dhe gomoneve, privatizimet me kritere politike, krijimi i ekonomisë së tenderave plaçkitës, etj. të cilat e ngritën në sistem korrusionin dhe abuzimin, krijuan mentalitetin e fitimeve të lehta dhe shtratin për lindjen dhe lulëzimin e piramidave financiare dhe mashtruese. A ju kujtohet toka djerë dhe tregu i letrave pa vlerë që piramidat e Berishës lanë pas, duke transformuar ati të gjithë shqiptarët në të përndjekur?
Deformimi i reformave dhe bllokimi i tyre shkaktuan reagime të ashpra, deri edhe ndërprerje marrëdhëniesh zyrtare nga partnerët ndërkombëtarë kryesorë të vendit me regjimin e Berishës. Veçanërisht injorimi i qëllimshëm dhe arrogant, i të gjitha kërkesave të FMN, Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare ndaj rezikut të skemave piramidale, nga vet kreu i regjimit të piramidave, e çuan Shqipërinë përfundimisht në një izolim të ri ndërkombëtar, që maxhoranca sotme progresiste arriti ta thyejë përfundimisht.
Epilogu i mentalitetit dhe praktikave mashtruese të rregjimit piramidal të Berishës, u shfaq në vjedhjen e paparë të votave në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 dhe në dhunimin e protestave të opozitës progresiste dy ditë më pas. Edhe më 28 maj 1996, Berisha (siç po bën edhe sot për piramidat) pretendoi se nuk e dinte qe ne sheshin Skënderbej po gjakoseshin nga policia dhe SHIK protestues dhe udhëheqës të opozitës së atëhershme mbarëpopullore. Zoti Pëllumbi dhe zoti Imami janë sot mes nesh, në të njëjtin Kuvend por jo në të njëjtin front për demokraci.
Ne te gjithe kete mori ndodhish dhe ngjarjesh ju zotërinj e kuptuat shume mire se pushteti juaj organikisht humbi mbështetjen. Invensioni i skemave piramidale ishte nje gjetje juaja dhe e Qeverisjes tuaj per te zgjatur jeten e pushtetit tuaj abuziv dhe përfundimisht të pamerituar. Ne te gjithe dokumentacioni e administruar edhe nga Komisioni i Fajdeve, duket qarte dhe me fakte ligjore se te gjitha nivelit e pushtetit te atehershem ishin alertuar për rrezikun e skemave piramidale, për pasojat ekonomike, politike dhe sociale që do të duhej të përballeshin nese keto skema piramidale do te binin ashtu sic parashikohej dhe ne teorite praktikat me te thjeshta ekonomike. Ne dhjetor te vitit 1995 ish-Presidenti i Republikës zoti Sali Berisha ka marë një letër nga Shefi i atëhershëm i Shërbimit Informativ Kombetar, Gazidede, ne te cilen ky i fundit i shpjegonte kryeshefit te vet pikerisht realitetet e skemave piramidale qe bo beheshin dominuese. Ka nje mori dokumentash te tjere siç është shkresa 189, date 19 Janar 1996, e Bankës së Shtetit, ku Guvernatori i shpjegonte z.Berisha rrezikun qe paraqisnin skemat piramidale. A ka sot llogjikë dhe moral të pyetet më pse nuk veproi Berisha dhe shteti i tij, kur vetë thelbi i rregjimit që ndërtoi ishte piramidal?
Në të njëjtën kohë dua të theksoj se Banka e Shqipërisë e asaj kohe, e cila natyrisht ka përgjegjësi të patjetërsueshme, alertonte Autoritetet shtetërore në mënyrë të vazhdueshme për rrezikun e skemave piramidale dhe ilegjitimitetin e tyre. Fatin e ish guvernatorit Luniku e dinë tashmë të gjithë. Nën presionin e Berishës, të kërcënimeve dhe rrezikut për jetën Z. Luniku u largua nga Shqipëria për në Uashington, ku për turpin dhe mjerimin tuaj punon në Ekipin Dejtues të FMN-së për Shqipërinë.
Qeverisja e Partisë Demokratike dhe lideri i saj aktual Berisha menduan vetëm për pushtetin e tyre privat. Lulëzimi i piramidave përkoi me zgjedhjet parlamentare të 1996. Në bazë të një sontazhi jo zyrtar që Shërbimi Informativ i Gazidedes kishte kryer dhe që ia kishte bërë prezent zotit Berisha dilte që Partia Demokratike nuk mund të fitonte ndershëm në zgjedhjet e vitit '96 më shumë se 30% të votave. Sigurisht që skemat piramidale në këndvështrimin politik dhe ekonomik të asaj kohe do të mund të zëvendësonin vetëm kontrabandën e naftës dhe të ndërtonin një fasadë fallce të mirëqenies ekonomike duke krijuar një xhiro vet-konsumi të pabazuar në prodhim apo fitime të ligjshme për afro 30% të PBB (GDP). Ky fallcitet ekonomik mund t'i shkonte për shtat vetëm një rregjimi si ai i Berishës, i siguruar jo vetëm një fasadë ekonomike, por edhe një burim sponsorizimi financiar të fushatës elektorale. Konkluzionet e Raportit të Komisionit Hetimor tregojnë qartë se është lejuar dhe nxitur me vetëdije të plotë nga autoritetet shtetërore të kohës aktiviteti i skemave piramidale, në funksion të mbajtjes së pushtetit me pahir, me dhunë dhe mashtrim ekonomik. Këtë fakt e dëshmoi dhe vet Zoti Berisha në Komisioni Hetimor të Parlamentit. Tolerimi i ndërgjegjshëm dhe i qëllimshëm u bë për të lehtësuar qëndrimin në pushtet të Partisë Demokratike duke injoruar tërësisht interesat kombëtare dhe rrezikun kombëtar të skemave piramidale.
Nuk besoj se mund të harojmë se ish Presidenti Berisha nuk pyeti as për paralajmërimet publike që z.Bode, në atë kohë ministër i Financave, solli nga mbledhja vjetore e FMN dhe Bankës Botërore bashkë me vendimin për ngrirjen e marrëdhënieve me Shqipërinë si dhe paralajmërimin për katastrofën që do vinte prej skemave piramidale.
Fluksi i huadhënies nga qytetarët në firmat piramidale u shtua ndjeshëm kur ish Presidenti i Repubklikës, sot lideri i opozitës, deklaroi se kompanite rentjere ishin "mrekullia e kapitalizmit demokratik shqiptar". Këtë pikëpamje ai e ritheksoi edhe para Komisionit Hetimor Parlamentar, duke spekulluar e alibinë e kthimit në aksionerë të qindra mijëra depuzituesve të mashtruar shqiptarë e të huaj tek varreza e rregjimit dhe ekonomisë së fajdexhiut Berisha.
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dhe të publikut disa statistika që vërtetojnë më tej papërgjegjshmërinë politike dhe qeverisëse të rregjimit të fajdexhiut Berisha. Derdhjet më të mëdha në llogaritë apo arkave të bananeve të kompanive rentiere apo fondacioneve huamarëse kanë ndodhur kryesisht gjate periudhes Prill-Dhjetor 1996. Nëse deri në fillim të vitit 1996 ishin depozituar në to vetëm 250 milionë USD, deri në muajin Tetor të vitit 1996 u depozituan 5 herë më shumë, pra rreth 1.2 miliardë USD.
Në momentin kur qeveria e drejtuar nga unë arriti të merrte zyrtarisht në administrim ligjor nën mbikqyrjen e Bankës Botërore në 1 Tetor 1997, llogarinë bankare të 24 firmave piramidale në to u gjendën vetëm 9.5 milionë dollarë. Ku i keni çuar gati 1.1 miliardë dollarë z.Berisha? Sepse asnjë qindrakë nuk mund të tërhiqej prej këtyre llogarive bankare, pa firmën e Presidentëve të çdo firme piramidale, miqtë tuaj që doni t'i ktheni edhe sot në pushtet.
Fakti më absurd dhe demaskues kundër jush është ligji i 23 Janarit 1997 "Për ndalimin e skemave piramidale mashtruese" i miratuar nga ana e Qeverisë së kopententit Meksi dhe Parlamentit Berisha të asaj kohe. Ligji kishte si objekt vetëm fondacionet "Xhaferi" dhe "Populli" duke lejuar të gjitha kompanitë e tjera skemë piramidale të lira të zbraznin llogaritë e tyre dhe të njerëzve të tyre të afërm. Berisha edhe në shtypin shqiptar se fundi doli me pretendimin se ai në vitin 1997 kishte një plan të rimëkëmbjes nëpërmjet një skeme administrimi të këtyre kompanive, sipas tij, e rënë dakort dhe me FMN. Vetë përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri e ka mohuar kategoriisht një gjë të tillë. Në këtë moment gjej rastin të falenderoj Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe të gjithë partnerët dhe donatorët e tjerë që jo vetëm që nuk e toleruan marrëzinë piramidale të Qeverisjes së atëhershme, por na ndihmuan për t'i mbyllur plagët dhe për të rimëkëmbur ekonominë, si rruga e vetme e sigurtë e daljes së Shqipërisë nga kolapsi i regjimit të Berishës.
Ajo ç'ka shpjegon më qartë rolin dhe qëndrimin nxitës dhe mbrojtës të zotit Berisha në piramidat financiare, është refuzimi që ai i bëri si President në Maj te 1997 dekretimit të ligjit "Per adminstrimin e kompanive rentiere". Me këtë veprim publik, Berisha ka konsumuar provat flagrante të bllokimit të drejtësisë së shtetit ligjor për të vepruar, sepse me këtë veprim publik Berisha nuk lejoi Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të frenonte rrjedhjen e llogarive nga spekulantë të politikës dhe tregut financiar. Berisha kërkon të na akuzojë se ne abuzuam me asetet dhe paratë që gjetëm pas bllokimit ligjor të kompanive rentiere. Më lejoni t'ju kujtoj se sipas dokumentave zyrtare vetëm më 31 Dhjetor të vitit 1996, në një ditë, janë tërhequr nga llogaritë e firmave piramidale në bankat shteterore afersisht 169 milione USD, vetëm më 31 Mars 1997 rreth 67 milione USD të tjera në një ditë dhe deri më 31 Korrik 1997 edhe 25 milione USD të tjera, në total 261 milionë USD. Zoti Berisha, ju jo vetëm nxitët dhe mbrojtët skemat piramidale, por u dhatë mundësinë bashkëpunëtorëve tuaj në krim të abuzojnë me pushtetin dhe të dalin vetëm për vete të padëmtuar nga katastrofa më e madhe ekonomike e Shqipërisë. Gjej rastin të falenderoj edhe njëherë opozitën e sotme që na dha mundësinë për të risjellë në kujtesën e shqiptarëve autorët e zhdukjes së 1.2 miliard dollarëve dhe të mbi 3 mijë jetë njerëzish të pafajshëm.
Duke i çjerrë maskën spekullimit të pandalur ende të z.Berisha mbi "parajsën ekonomike të piramidave" apo "mundësinë e menaxhimit të tyre si kompani aksionere të huadhënësve" rikujtoj se kompanit rentiere u detyroheshin depozituesve shqiptarëve mbi 1 miliardë dollarë, ndërsa asetet e tyre fitimprurese, ekspertiza ndërkombëtare e financuar nga BB, i vlerësoi realisht në vlera minimale të tregut. Për vitet 1995- 1996 në bazë të deklarimeve të vetë këtyre kompanive rezulton se fitimi i tyre bruto (pa marrë parasysh detyrimet ndaj shtetit) ishte vetëm 5.4 milionë USD. Dua të theksoj se gjatë fundit të vitit 1996 në kundërshtim me proçedurat e ligjit të shoqërive tregtare bosët e fajdeve kishin bërë rivlerësim fiktiv të aseteve të kompanive duke i rritur në mënyrë artificiale disa dhjetra e madje qindra herë. Kjo u përdor në tentativat e tyre të dështuara për të justifikuar kredimarrjen e më vonë dhe shifrat artificiale të shkatërimeve gjatë vitit 1997. Psh Gjallica pretendonte se 50% të kapitalit e kishte investuar tek "Adi Petrol" në Gjirokastër, një pikë mëse e rëndomtë furnizimi me karburant dhe servise hotelerie. E njëjta gjë ndodhi me Vefa Holding.
Kjo do te thotë të nderuar bashkëqytetarë se në bazë të skemës së Berishës do të duheshin rreth 100-120 vjet për të rimarë në vlerën e tyre nominale kursimet e investuara në këto skema dhe të grabitura nga regjimi i Berishës. Më lejoni t'ju kujtoj se vetëm Vefa Holding, kur e morr ne dorezim nga administratoret ndërkombëtarë gjeneronte nëpërmjet pagave për personelin nje humbje prej afersisht 1.2 milione USD çdo vit. Sipas të gjitha përllogaritjeve dhe mundësive normale të një tregu të ligjshëm, borxhi i VEFA mund t'i kthehej kreditorëve në rastin më të mirë pas 170 vjetësh.
Siç e theksoi dhe raporti i Komisionit Hetimor proçesi vazhdon dhe tashmë kreditorët e shtatë skemave piramidale janë kompensuar në shumën prej 16 milionë USD. Borxhi total që skemat i kanë ende rreth 225 mijë kreditorëve është rreth 830 milionë USD të konvertuar. Duke ju referuar po Raportit të Komisionit rreth 230 milionë USD janë tërhequr nga kreditorët, 160 milionë USD janë shpenzime të bosëve dhe aparateve të tyre administrative, rreth 220 milionë USD janë të fshehura apo pa destinacion të përdorura nga bosët e skemave jashtë kontabilitetit për vehte për familjet e tyre apo për sponsorizime të paregjistruara.
Në këtë përllogaritje nuk është marë ende parasysh efekti gangrenë i ketyre kompanive ne ekonomine shqiptare, e cila mundi të arrijë stabilitetin makroekonomik që vazhdon edhe sot, vetëm pas gati dy vjetësh me reformat e ndërmara prej Qeverisë Nano dhe FMN-së.
Ardhja në pushtet e Partisë Socialiste me votë plebishitare në zgjedhjet e 29 Qershorit 1997 shënoi frenimin përfundimtar të aktiviteteve piramidale dhe përballimin e të gjitha kostove dhe faturave që ato lanë pas. Ne erdhëm në pushtet kur çdo ndihmë dhe asistencë nga donatorët ishte bllokuar, kur sistemi dhe strukturat shtetërore ishin tërësisht të shkatërruara, kur çdo shqiptar kishte më shume se një armë në shtëpi, kur në rrugë mbretëronte akoma krimi, kaosi dhe rrëmuja.
Mbi të gjitha ne erdhëm në pushtet me një opozitë aspak bashkëpunuese dhe agresive deri në ekstrem. Zoti Berisha gjatë viteve '97 – '99 vazhdoi të minojë në mënyrë sistematike rimëkëmbjen e shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, madje duke tentuar edhe grusht të armatosur shteti. Ndërkohë që Qeverisja Socialiste po nxirrte vendin nga izolimi ku rregjimi juaj e futi, kur rinisën programet e asistencës dhe kreditimeve në sektorët më jetikë zhvillimit dhe integrimit të vendit ju z.Berisha vazhduat politikën e rrugës dhe të sabotazhit të tipit guerrilas suburbane. Tre ishin detyrimit tona të menjëhershme në proçesin e rivendosjes së autoritetit të shtetit demokratik dhe të marrëdhënieve politike dhe ekonomike të Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë:
1. Rivendosja e rendit publik
2. Rivendosja e stabilitetit makroekonomik
3. Mbyllja e skemave piramidale
Qysh në tetor '97 qeveria Nano në bashkëpunim perfekt me BB arriti të siguronte një mbështetje prej 640 milionë dollarësh nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë në konferencat e Romës dhe Brukselit ku zoti Berisha ishte i ftuar nga Qeveria Shqiptare të vinte dhe nuk mori pjesë, pra me një provë tjetër flagrante të mosbashkepunimit për rivendosjen e rendit demokratik në Shqipëri.
Për më tej ishte z.Berisha që inicioi dhe realizoi amnistinë për figurat më të rënda të krimit në Shqipëri përfshi edhe ato të krimit financiar të piramidave. Një pjesë e këtyre kriminelëve të amnistuar u pajisën edhe me pasaporta diplomatike nga vetë z.Berisha.
Qeverisja Socialiste që në fillim të këtij proçesi ishte dhe mbetet e vendosur të rekuperonte dëmet dhe rehabilitonte pasojat ekonomike të piramidave. Mbi të gjitha ajo qe Qeverisja Socialiste premtoi dhe realizoi ishte kthimi i besimit dhe i normalitetit të inciativës private, të ekonomisë së tregut, të autoritetit të ligjit dhe të shtetit dhe të bankave private të vërteta jo si tuajat. Qeverisja Socialiste premtoi dhe realizoi kthimin në Shqipëri të ivestimeve te huaja dhe vemendjen e shtetit për mirëqënien e njerëzve.
Për 6 vjet, 24 piramidat e zotit Berisha u zëvendësuan nga 14 banka private të huaja që operojnë në Shqipëri, duke kredituar në mënyrë të sigurt dhe të ligjshme zgjerimin e shpejtë të sipërmarrjes private shqiptare. Ekonomia kombëtare vazhdon të gjenerojë një rritje të qëndrueshme dhe të sigurtë, duke zëvendësuar raportet fallco për nivele dy shifrore rritjeje që raporton edhe sot e kësaj dite Berisha për kohën e vet, me rritje të qëndrueshme dhe të vërtetë ekonomike. Institucionet e shteti shqiptar të së drejtës tashmë konsolidohen me shpejtësi duke korrur rezultate të sigurtra ne lufte kunder krimit te organzuar, kontrabandës dhe trafiqeve ilegale.
Liria e individit nuk kercenohet nga policia sekrete dhe nga struktura te politizuara militare apo paramilitare të shtetit. Sipërmarrja shqiptare është stimuluar dhe e mbrojtur me ligj, dhe sot është partnere serioze e zhvillimit dhe integrimit të vendit të rajon, Evropë dhe tregjet globale. Angazhimi ynë për t'a shndërruar Shqipërinë nga njëkënetë piramidale, siç ishte në rregjimin e Berishës, në një shtet modern dhe të integruar në Evropë, është tashmë një realitet i pamohueshëm dhe i pakthyeshëm.
Për ato që ne socialistet u angazhuam në zgjedhjet e vitit ‘97 nuk u deshën 100 vjet pritje. Në vitin ‘97 kur Berisha na la në dorë një hiperinflacion prej 47 %, prodhimi kombëtar për frymë i popullsisë ishte 673 USD, ndërsa për vitin 2003 pritet të arrijë në 1600 USD për frymë.
Mjafton të shohësh vitalitetin e biznesit, zhvillimet ekonomike dhe strukturore dhe shpresën e kthyer tek njerëzit për jetën sipërmarrjen dhe atdheun e tyre. Ju rikujtoj se Shqipëria është në proçesin e thithjes dhe të realizimit të rreth 1 miliard investimeve.
Berisha në dëshminë e vetë para Komisionit hetimor parlamentar të fajdeve na bindi se Shqipërinë evropiane nuk e sheh dot pa Suden dhe Alimuçën. Ndërsa ne socialistët dhe aleatët tanë progresistë nuk e fshehim kënaqësinë që i kthyem shtetasve shqiptarë atë buzëqeshje që zoti Berisha dhe Memia donin t'ua u ngrinin në buzë, së bashku me progresin e transformimeve të llahtarshme që ka bërë vendi nga ajo kohë, duke iu afruar për t'iu integriuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Më në fund dua t'ju siguroj ju dhe shtetasit e Republikës së Shqipërisë që na ndjekin se piramidat politike, shtetërore dhe financiare nuk do të kthehen më kurrë në Shqipëri. Menjëherë pas marrjes së mandiatit në zgjedhjet e qershorit '97, maxhoranca jonë progresiste, ka vazhduar të zhvillojë legjislacionin, institucionet, ekonominë e tregut dhe reformat që e kanë bërë të pamundur rikthimin e kompanive piramidale mashtruese. Këtë kthim prapa tek presidentët Sude, Alimuçë apo Berishë, nuk e lejon përfundimisht as Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që ka hyrë më fuqi më 28 nëntor 1998, ditë e cila për ne është dita eropiane e Pavarësisë së Shqipërisë.
Faleminderit!