Sot paradite Kryeministri Fatos Nano ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesin e Bashkimit Europian, Zotin Per Brix Knudsen. Në këtë takim Kryeministri e njohu Zotin Per Brix Knud
Sot paradite Kryeministri Fatos Nano ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesin e Bashkimit Europian, Zotin Per Brix Knudsen.
Në këtë takim Kryeministri e njohu Zotin Per Brix Knudsen me progreset në negociatat për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit. Kryeministri u shpreh se Qeveria që ai drejton është e angazhuar për vazhdimin dhe thellimin e reformave në të gjitha fushat, duke veçuar forcimin e kapaciteteve administrative për zbatimin e reformës, si një prioritet i një rëndësie të veçantë.
"Unë mendoj, tha Kryeministri Nano, se CARDS është një mjet i fuqishëm që ne së bashku, Shqipëria dhe BE-ja, kemi në duart tona për të qenë sa më efektivë. Unë çmoj mekanizmin e "binjakëzimit" paraqitur nga Komisioni, të cilin ne e dime se që ka qenë mjaft i suksesshëm me vendet e reja të futura në BE dhe ju siguroj se ne do të bëjmë më të mirën që të kemi sukses edhe për Shqipërinë".
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se mënyra e re sipas së cilës CARD do të zbatohet do të jape më shumë hapësirë që administrimi të përqendohet në reformat zbatuese.
Kryeministri i kërkoi Zotit Per Brix Knudsen që Delegacioni në Shqipëri të përshpejtojë proceset dhe në kohë të përmbushë skedulet e zbatimit.
Gjithashtu Kryeministri në fjalën e tij e njohu Zotin Per Brix Knudsen me angazhimin e Qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, të cilat mbeten prioritet kryesor për Axhendën e Shqipërisë.
"Ne, tha më tej Kryeministri, jemi duke punuar së bashku me fqinjët tanë, për të dhënë ndikimin maksimal mbi këtë fenomen të përhapur gjerësisht".
Kryeministri e siguroi Zotin Per Brix Knudsen se Qeveria Shqiptare i përmbahet premtimeve për zbatimin e plotë të reformave duke treguar progresin dhe mënyrat strategjike të identifikuara nga Shqipëria për ta sjellë atë më afër anëtarësimit në BE.
Zoti Per Brix Knudsen, nga ana e tij, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e negociatave për Marrëveshjen e Asocim Stabilizimi si dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare ne zbatimin dhe thellimin e reformave në të gjitha fushat.