"I nderuar zoti President, I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Jam shumë i nderuar që kam edhe unë rastin të marr pjesë në këtë konsultim
"I nderuar zoti President,
I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,
I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese,
Jam shumë i nderuar që kam edhe unë rastin të marr pjesë në këtë konsultim të nivelit të lartë në respekt të Kushtetutës pas 5 vjetësh që ka hyrë në fuqi. Pesë vjet më parë populli shqiptar vendosi pa ekuivok të ndahet përfundimisht nga e kaluara kaotike drejt rregullave themelore të organizimit dhe funksionimit të shtetit, duke miratuar Kushtetutën e Republikës sonë. Kjo është një provë që shqiptarët kanë ditur të zgjedhin më të mirën për shtetin e tyre, kanë ditur të dëshmojnë se pavarësisht kurtheve të historisë kanë një aftësi të spikatur shtetformuese.
Me këtë dokument themelor, që punojmë të gjithë, jemi ndarë përfundimisht nga idetë dhe praktikat e vetërregullimit primitiv të marrëdhënieve më të qenësishme të shoqërisë sonë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, shprehje e vullnetit popullor, mbetet pa ekuivok, dokumenti kryesor dhe substancial, që prodhon marrëveshjen sociale midis shtetasve dhe shtetit të tyre dhe që funksionon. Në këtë pikëpamje Kushtetuta nuk është thjesht dhe vetëm një instrument juridik, pra domen ekskluziv i juristëve apo institucioneve, ajo është një sanksionim i rregullave themelore të organizimit të shoqërisë dhe të shtetit. Do të ishte naive të mendonim lehtësisht se ajo legjitimon gjithçka apo gjithkënd, person apo institucion për të krijuar rregulla paralele me të, aq më pak për të shtrembëruar të drejtën apo abuzuar në emër të saj.
Në këto 5 vjet konstitucionalizëm shteti dhe shoqëria shqiptare kanë përballuar sfida të rëndësishme që lidhen me respektimin e të drejtave të njeriut, konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe me integrimin e shoqërisë në komunitetin euroatlantik. Natyrisht 5 vjet janë pak që të ndihen dukshëm pasojat. Ndonëse është arritur shumë dhe, në fund të fundit, ky është qëllimi i Kushtetutës së një vendi, të garantojë rregullim afatgjatë të marrëdhënieve shtet-shoqëri.
Qeveria Shqiptare dhe maxhoranca progresiste që unë drejtoj është e vendosur të garantojë respektimin e kësaj Kushtetute si shprehëse e rregullave të shoqërisë sonë demokratike. Shmangia nga këto rregulla, siç edhe fatkeqësisht ka ndodhur shpesh herë, nuk bën gjë tjetër veç nxit destabilitet dhe ngadalëson reformat dhe proçesin e integrimit.
Avantazhet e kësaj Kushtetute në fushën e organizimit të shtetit tonë janë të dukshme. Respektimi me rigorozitet i parimit të ndarjes dhe ballancimit të pushteteve ka sjellë qartësisht kufizimin e autoritarizmit të individëve dhe kontrollin e pushteteve, të cilat për shkaqe eminente tentojnë të abuzojnë.
Demokracia përfaqësuese nuk mund të pajtohet me pushtete absolute individësh apo institucionesh. Përkundrazi ajo kërkon ndarje të përgjegjësive në shërbim të stabilitetit shoqëror dhe progresit. Nëse kjo filozofi kushtetuese nuk kuptohet, atëherë nuk ndodh gjë tjetër veçse devijojmë nga interesat e përfaqësuesve të shtetasve- zgjedhës, që mandatojnë për të qeverisur vendin parti politike.
Në vlerësimin tim si politikan, Kryetar i partisë më të madhe në vend dhe Kryeministër aktual, ruajtja e standarteve korrekte në përfaqësim është shumë e rëndësishme për stabilitetin kushtetues dhe institucional të vendit.
Nëse do të analizonim me këtë rast ngjarjet e kohëve të fundit lidhur me organizimin e ekzekutivit shqiptar, unë vlerësoj se problemet e krijuara janë pikërisht pasojë e shmangies nga demokracia përfaqësuese, pra dhe nga Kushtetuta e vendit. Prandaj është jetike që sjellja e institucioneve kushtetuese të jetë korrekte dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe vullnetin që ajo shpreh. Nëse njëri nga institucionet ndryshon sjellje dhe nëse kjo sjellje nuk korrektohet atëherë demokracia përfaqësuese dhe vetë realiteti kushtetues cënohet. Në këtë frymë është rregulluar dhe sjellja e ekzekutivit shqiptar në këto 5 vitet e fundit nga Kushtetuta.
Pozita kushtetuese e ekzekutivit është e qartë. Shteti shqiptar, sipas Kushtetutës, ka një ekzekutiv të fortë në menaxhimin e veprimtarisë shtetërore. Kushtetuta ka shkuar deri aty sa t'i njohë të drejtë Këshillit të Ministrave të nxjerrë akte normative, sigurisht në kushte tepër specifike. Ky pushtet i nënshtrohet kontrollit parlamentar, pasi detyrohet Kuvendi të shprehet për aktet normative brenda 45 ditëve. Kjo zgjidhje kondicionohet nga përgjegjësia publike dhe politike e ekzekutivit. Ky pozicionim i ri i ekzekutivit në krahasim me më parë vjen si reflektim i standarteve bashkëkohore të doktrinës kushtetuese të aplikuar në shekullin e 20-të në demokracitë e përparuara dhe kjo në çdo rast shoqërohet me garanci kushtetuese dhe legjislative që mundësojnë konkurimin e veprimtarisë qeverisëse në kornizat institucionale.
Kostitucionalizmi në Shqipëri duhet vlerësuar edhe në raport me maturimin e demokracisë sociale dhe atë të institucioneve. Në mënyrë të veçantë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e demokracisë sociale luajnë partitë politike si organizma, që mbledhin rreth vetes bashkësi shtetasish. Unë besoj se publiku i gjerë dhe votuesit në mënyrë të veçantë gjithnjë zgjedhin ato grupime që garantojnë më shumë demokraci në organizim dhe funksionim. Partitë politike, pasi konkurojnë në publik, dhe, kur fitojnë, marrin mandate të plota për të vënë në lëvizje institucionet kushtetuese. Por kur partia politike nuk garanton demokraci të brendëshme atëherë pushteti shtetëror rrezikon të degradojë në autoritarizëm. Kjo ka qenë dhe mbetet edhe sfida jonë politike, e cila besoj se këto 7 vitet e fundit vlerësoj ka qenë e menaxhuar me përgjegjshmëri dhe, për pasojë, e votuar në maxhorancë. Ne kemi qenë të duruar për të pritur maturimin e disa partive politike, të cilat deri vonë nuk e kanë njohur as Kushtetutën. Tani që erdhën në rrugën e Zotit, ne jo vetëm i përshëndesim, por i ftojmë të kontribuojnë për më shumë demokraci sociale dhe kushtetuese.
Është shumë e rëndësishme që praktikat kushtetuese të reflektojnë vullnetin suprem të Kushtetutës dhe të shoqërisë në tërësi. Kjo praktikë nuk mund të vazhdojë të ushqehet me politikë të ditës dhe as me gjykimet partizane. Ne jemi të interesuar që kjo Kushtetutë të jetë afatgjatë, por jetëgjatësia e saj varet drejtpërdrejtë nga kuptimi dhe respekti që i garantohet asaj në praktikë. Në këtë funksion roli i Gjykatës Kushtetuese është i pazëvendësueshëm, pasi interpretimet e saj kanë të njëjtën vlerë juridike si vetë dispozitat e Kushtetutës. Prandaj zotërinj gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, respektimi i autoritetit tuaj në vlerësimin tim ka gjithashtu një rëndësi të posaçme, që të kryeni misionin tuaj kostitucionalist. Unë jam i bindur se ju do të vazhdoni të mbroni Kushtetutën dhe, për pasojë, të siguroni më shumë stabilitet social aq të nevojshëm, që shqiptarët të përballojë kostot e reformave dhe të integrimit.
Në përfundim, më lejoni të shtoj urimin tim për punë të mbarë dhe të shpreh edhe një herë vullnetin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për zbatimin me korrektësi të Kushtetutës dhe angazhimin se do të mbështesim pa asnjë ekuivok çdo akt që sjell më shumë demokraci kushtetuese dhe stabilitet të institucioneve, që i shërben përshpejtimit të proçesit kombëtar për integrimin e plotë euroatlantik të vendit.
Faleminderit."