Kryeministri Fatos Nano inauguroi sot pasdite çeljen e Panairit 2003 të Klik Ekspo Group, i cili celebron përvjetorin e dhjetë të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar. Kryeministri Nano ka p
Kryeministri Fatos Nano inauguroi sot pasdite çeljen e Panairit 2003 të Klik Ekspo Group, i cili celebron përvjetorin e dhjetë të Panairit të Përvitshëm Ndërkombëtar. Kryeministri Nano ka prerë shiritin e inaugurimit të Panairit dhe më pas ka vizituar nga afër stendat ku reklamoheshin prodhimet e sipërmarrjes vendase dhe asaj të huaj.
Ceremonia e hapjes së këtij Panairi filloi me një takim të biznemenëve pjesëmarrës me Kryeministrin Fatos Nano, i cili mbajti këtë fjalë përshëndetëse:
"Të nderuar përfaqësues të sipërmarrjes vendase, rajonale dhe të ftuar,
Është kënaqësi e pazëvendësueshme për mua si Kryeministër i vendit të jem sot pranë jush si dhe herë të tjera në këtë vjeshtë panairesh që po çelni, sepse vazhdoj t'ju konsideroj, respektoj dhe vlerësoj si promotorë kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, pra dhe si partnerë të rëndësishëm të qeverisë që drejtoj. Me panairin e ri, si dhe në shumë raste të tjera, jam i bindur që ju do të demostroni progresin e qëndrueshëm që sipërmarrja shqiptare ka realizuar në veçanti vitet e fundit, dhe sidomos uroj dhe shpresoj të prek kapacitetet dhe dinjitetin tuaj konkurues dhe partnerial me sipërmarrjet rajonale dhe europiane.
Është një rast i mirë edhe për të biseduar pak ky i sotmi, për të kuptuar më mirë sëbashku dhe në vëmendje të politikbërësve dhe të insitucioneve financiare që ndjekin zhvillimin dhe rritjen tuaj se sipërmarrja private mban sot peshën kryesore në ekonominë kombëtare, në investimet me volumet dhe lëvizjet tregtare, në shërbime sigurisht në punësim çdo herë e më shumë dhe pra në rritjen e konsumit dhe të mirëqënies së shtetasve, padyshim dhe në kontributet fiskale, që për fat të mirë, çdo muaj më shumë po adresohen tek konsolidimi i shtetit dhe i prioriteteve të rritjes së shoqërisë dhe të ekonomisë kombëtare në ndërtimin e infrastrukturave moderne, në formimin profesional të brezave të rinj, në rritjen e kujdesit parësor shëndetësor, pra në aktivizim resursesh që bëjnë pjesë në multiplikatorin edhe ekonomik që ju kthen mbrapsh edhe juve përfitimet e merituara. Nga kjo pikëpamje, vëmendja e qeverisë që unë drejtoj ndaj sipërmarrjes në tërësi, e vogël, e mesme dhe tashmë e madhe, ka qënë dhe do të vazhdojë të jetë e posaçme. Ne ju konsiderojmë pa asnjë mëdyshje partnerë strategjikë në zhvillimin ekonomik dhe në integrimin e vendit në komunitetin euroatlantik.
Parada e sotme e mallrave dhe e shërbimeve të reja gjithashtu të sipërmarrjes suaj realizohet në momentin kur po mbërrijnë dhe po konsolidohen sinjale shumë pozitive të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit për vitin që po mbyllim. Rritja sërish e qëndrueshme e prodhimit kombëtar rivendoset në nivelet prej 6%, iflacioni i 12 muajve të fundit mbetet shumë i moderuar në kufijtë e 3%, prodhimi dhe eksportet bujqësore vazhdojnë të jenë në rritje dinamike, janë ulur për herë të tretë interesat bankare vetëm gjatë këtij viti dhe kredia e re për sipërmarrjen private sidomos ka arritur 530 milionë dollarë vetëm këtë vit, ose 44% më shumë se në vitin 2002 dhe në një kohë me kapërcimin tërësor, pra absorvimin total të krizës së likujditeteve bankare që u shkaktua vitin e shkuar nga spekullimet opozitare, nuk dua të bëj propagandë, po flas për një opozitë të zhvillimit. Ndërkohë, më vjen mirë të shënoj në regjistrat e statistikës zyrtare importimin e rreth 250 milionë dollarë makineri dhe paisje, që konsolidojnë treguesit e rritjes së qëndrueshme ekonomike edhe për vitin 2004.
Pra ky reagim i sipërmarrjes, i monedhës kombëtare dhe sistemit bankar që operon në vend ndaj politikave të zhvillimit që qeveria ka aplikuar, vjen tek ne dhe në marrëdhëniet tonë me ju si garanci për një dinamikë rritje që lejon plane biznesi me garanci më të lartë, të cilat në optikën sociale do të absorbojnë akoma më tej, papunësinë nën 13 përqind për 2004-n, do të reduktojnë varfërinë që ende margjinalizon komunitete dhe shtresa konsumatorësh që nuk dalin dot siç dëshironi ju në tregun e madh dhe njëkohësisht do të shtohen të ardhurat nga puna, fitimet e ligjshme, pra mirëqenien në tërësi. Ky progres konfirmon drejtësinë e vendimit tonë tashmë të konsoliduar në vite për të mos e shndërruar qeverinë në komanduese të tregut, por të vazhduar ta ruajmë me fleksibilitetin rregullator që nxit flukset tregtare dhe të kapitaleve. Jam i bindur që ju nuk keni më frikë në substancë nga konkurenca e pandershme, sidomos e klientelave me suport politik, sepse qeveria e ka eleminuar tashmë këtë vektor nga tregu. Ju nuk keni më frikë në substancë nga diskriminimi doganor apo fiskal sepse qeveria që unë drejtoj i ka shembur klientelat informale të lidhjeve politikë-biznes. Unë dua t'ju përgëzoj dhe t'ju siguroj mbështetje të vazhdueshme veçanërisht për faktin që keni rritur në parametra të pajtueshëm me zhvillimin global në tërësi, aftësitë menaxheriale, kapacitet investuese por dhe ato absorbuese të financimeve publike, bankare dhe donatore.
Suksesi juaj nuk është më peng i oreksit të tenderuesve me dy barqe, por rezultat i transformimit tuaj në sipërmarrës modernë, seriozë pra edhe të besueshëm. Ky progres i juaji më konfirmon konkluzionin se e ashtuquajtura "Shqipëri virtuale" e krijuar nga disa pispinjollë mediatikë apo politikanë pa moral, shpesh miopë dhe diletantë, është shumë larg nga "Shqipëria reale" që ju po ndërtoni duke përfituar me dinjitet nga politikat stimuluese të zhvillimit dhe integrimit që qeveria shqiptare po aktivizon natyrisht në partneritet me institucionet financiare ndërkombëtare, me Bashkimin Europian dhe me banka gjithnjë e më të mëdha ndërkombëtare. Unë besoj se edhe ju ka bezdisur deri dje kjo lloj opozite e zhvillimit që nuk merr parasysh atë që ju krijoni me punë të ndershme, e cila përveç të tjerash shfaqet edhe si sadomazokiste sepse harron që duke deklaruar vetëm një realitet të errët, në fakt fsheh edhe mirëqenien e vet, që sidomos është krijuar me gjoba dhe sponsorizime klienteliste. Më lejoni të ndjehem edhe unë i lehtësuar që keni më pak shushunjëza në kurriz.
Natyrisht qeveria beson se potencialet e ekonomisë kombëtare dhe aftësitë konkuruese të sipërmarrjes vendase janë edhe më të mëdha. Ato flenë tashmë mbi tryezat tuaja dhe jo vetëm në mendjet tuaja, pra si të tilla ne jemi gati t'ju nxisim dhe t'ju mbështesim për të gjeneruar edhe më shumë investime, fitime të ligjshme, sipërmarrje të reja dhe vende të reja pune, paga dhe sigurime më të larta për ata që punësoni, mallra dhe shërbime më cilësore për tregun, si dhe kontribute më të konsoliduara fiskale. Mbi këtë bazë po vazhdojmë të përmirësojmë politikat, administrimin publik, legjislacionin me synimin kryesor për të lehtësuar gjithmonë e më shumë zhvillimin e biznesit në territorin ekonomik shqiptar dhe konsolidimin e aftësive tuaja konkuruese në tregje dhe kufijë rajonale, evropiane dhe globalë ndaj të cilëve po hapemi.
Në bashkëpunim me komunitetin sipërmarrës dhe organizatat tuaja të përfaqësimit, Qeveria ka vazhduar të negociojë përmirësime të mëtejshme në korpusin ligjor që rregullon dhe stimulon më tej lëvizjen e kapitaleve, duke synuar lehtësimin e marrëdhënieve të administratës publike me biznesin, duke absorbuar arbitraritetet klienteliste dhe informalitetin në ekonomi. Në këtë paketë përmirësimesh ligjore përfshihen procedura transparente e të qarta të kontaktit dhe kontrollit bashkëveprues me administratën fiskale, procedura të thjeshtëzuara të rimbursimit të TVSH-së, një strukturim që ju mbron më mirë dhe komunitetin e punësuar nën flamurin e çdo kompanie që ju drejtoni për shkak të mbledhjes dhe të fluiditetit më të mbrojtur të kontributeve të sigurimeve shoqërore, dhe sidomos edhe instrumenta doganore më transparente për të kuptuar parimin e enëve komunikuese me tregjet e huaja ku keni filluar të lëvizni bindshëm.
Të gjitha këto do të na ndihmojnë edhe ne që ta orientojmë në mirë bashkëveprimin me ju, për të konsoliduar më tej partneritetin dhe këtyre aksioneve, shoqëruar dhe me institucionet e reja që krijohen në bazë të ligjit "Për konkurencën" ne do t'i vëmë si objektiv sëbashku absorbimin e lëvizjeve kesh apo shkallës ende të ndjeshme të informalitetit në ekonomi e cila ju lë zbuluar ende ndaj konkurencës së pandershme, pra e bën sipërmarrjen shqiptare më pak të mbrojtur dhe më pak kompetitive. Nuk mund të mos mbyllet pra cikli i luftës ndaj klientelizmit politik që përpiqet të penetrojë në komunitetin sipërmarrës më luftën ndaj informalitetit të tregjeve që e bejnë të pamundur të lexohet lëvizjet e parave në drejtim të politikës dhe të administrimit publik.
Natyrisht, sot jetojmë në një fazë shumë të rëndësishme dhe vendimtare që është ajo e negociatave të qeverisë së vendit ku ju realizoni sipërmarrjen me Komisionin Europian për të ngritur në një stad më të lartë marrëdhëniesh kontraktore raportet e tregut vendas me ato të tregjeve të vendeve të BE-së, fjala është për negocimin e Marrëveshjes e Stabilizim Asociimit, pra faza e dytë e integrimit si vend me të drejta të plota në BE. Jemi duke negocuar aktualisht kapitujt më sensitivë që janë ato që rregullojnë raportet ekonomike midis tregut tonë dhe tregjeve europiane. Negocimi i tyre na imponon dhe ne jemi më të stimuluar që ju po bashkëveproni që të komunikojmë më dendur dhe në mënyrë më të interesuar për fatet e rritjes ekonomike kombëtare edhe me ju për të kuptuar dhe vendosur sëbashku termat e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mënyrë që të mos cënohet por të ruhet dhe të konsolidohet aftësia konkuruese e sipërmarrjeve tuaja, të mos kthehet papritmas në letra pa vlerë planet tuaja të biznesit, shkurt të mos asimilohet nga tregjet europiane potenciali dhe kapaciteti juaj investues dhe sipërmarrës. Nga ana e saj qeveria shqiptare po merr të gjitha masat që sipërmarrja vendase të mbrohet me të gjitha hapësirat ligjore, financiare, bankare dhe tregtare, veçanërisht duke ju dhënë kohën e jaftueshme për t'ju përshtatur kokurecës dhe mekanizmave që duket të krijojmë sëbashku drejt hapjes gjithnjë e më madhe të tregut vendas përballë sipërmarrjes rajonale dhe evropiane. Marrëveshjet e Tegtisë së Lirë me vendet e rajonit përbëjnë sfidat e para që ju dhe ne kemi nisur të përballojmë dhe sinjalet e para që na viojnë drejt ristrukturimit të politikave dhe të instrumenteve të sipërmarrjes ligjore. Mua më vjen mirë që prirjet e para japin dëshmi të qarta që sipërmarrja vendase ka kapacitete të larta konkuruese dhe nga kjo përvojë shumëdimensionale po konsolidohet bindja jonë se kapitujt mbi ekonominë dhe tregjet të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE do t'i mbyllim shpejt dhe me sukses, duke i dhënë ju sipërmarrjes shqiptare një motiv të ri për partneritet të sigurtë dhe të denjë në flukset e mallrave, kapitaleve, shërbimeve me homologët rajonalë, evropianë dhe globalë e më gjerë.
Më lejoni t'ju uroj punë të mbarë në iniciativat tuaja dhe t'ju siguroj për vendosmërinë e qeverisë që unë drejtoj për partneritet dhe mbështetje ndaj sipërmarrjes së ligjshme shqiptare, pavarësisht nga madhësia e kapitalit, numri i të punësuarve, lloji i veprimtarisë apo vendodhja gjeografike. Tregu ynë po njëhsohet dhe besoj të gjithë po përballojmë të njëjtat sfida të integrimit.
Ju faleminderit!