E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ngacmoi kushërirën, tenton vrasjen e bashkëmoshatarit

Plagosja

Sherri mes dy adoleshentëve ka përfunduar me tre persona të plagosur, ku njëri prej tyre ka marrë plagë më të rënda. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pezë të Tiranës, ndërkohë që policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar të saj. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se gjithçka ka filluar kur një nga të dëmtuarit ka ngacmuar një vajzë në shkollën e Pezës. Leonard Dorzi, 17 vjeç, i ka kërkuar vajzës që të dalin bashkë, por kjo ka rënë në vesh të kushëririt të saj, Reinard Shaphasa. Dy ditë më parë, kur ata qëndronin në një lokal, Shaphasa ka parë Dorzin, që shoqërohej edhe nga dy shokë të tij. Në këto kushte ka nxjerrë një thikë dhe duke e ofenduar se i kishte ngacmuar kushërirën e ka sulmuar. Nga përleshja janë plagosur Dorzi dhe dy shokët e tij. Menjëherë kanë ndërhyrë të pranishmit në vendin e ngjarjes, të cilët kanë konstatuar se Dorzi kishte marrë plagë më të rënda dhe është nisur për në spital, ndërsa dy të tjerët, kishin plagë të lehta. Nga ana tjetër, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka izoluar Shaphasën, për të cilin, mëngjesin e djeshëm kanë vendosur ta arrestojnë nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›