E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet sërish Doktori, që shpërndante heroinë në spital

Tiranë Një vit pas dënimit, policia e kryeqytetit vë në pranga Blendi çelën

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga pas një viti në kërkim “Doktorin”. Bëhet fjalë për Blendi çelën, 38 vjeç, me profesion infermier, i cili është dënuar me katër vjet burg për shpërndarje heroine. Ai është kapur ditën e djeshme nga sektori i operacioneve speciale pranë Rrugës së Dibrës. Sipas të dhënave, më datë 8 korrik 2008, ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës. Nga dosja në ngarkim të tij rezulton se antidroga e kryeqytetit ka pasur informacione se Denio Gjinali blinte lëndë narkotike te një person që i thërrisnin “Doktori”. Me qëllim kapjen dhe identifikimin e “Doktorit”, policia organizoi vëzhgimin e Denio Gjinalit. Ndërkohë, siguroi një informacion se Gjinali, në datën 13 shtator 2007 do të blinte drogë nga “Doktori”, duke përcaktuar vendin dhe orën e saktë të shkëmbimit të lekëve me drogën. Për këtë, u organizua puna për kapjen e tyre në flagrancë. Policia e ka ndjekur Gjinalin dhe rreth orës 15:15, ai është parë duke hyrë në një lokal në rrugën “Muhamet Gjollesha”, përballë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Pasi ai ka dalë që andej, policia e ka kapur dhe kontrolluar. Me vete, ai kishte 1.5 gramë heroinë, të ndarë në pesë porcione, të cilën sapo e kishte blerë nga Blendi çela. Pas identifikimit të “Doktorit” me emrin Blendi çela, antidroga është vënë në ndjekje të tij, por tashmë pa rezultat, sepse “Doktori” sapo kishte parë policinë, ishte arratisur. Megjithatë, policia kishte informacione më të sakta rreth autorit dhe veprimtarisë së tij kriminale. Kështu, ajo ka organizuar kontrollin e gardërobës së infermierëve në pavijonin e Djegie-Plastikë të QSU-së, çela punonte si infermier. Gjatë kontrollit, antidroga ka gjetur dhe sekuestruar 11.5 gramë heroinë, të ndarë në 45 doza. Më vonë, çela është dorëzuar dhe ka pretenduar se ishte përdorues i lëndës narkotike, por nga analiza nuk u bë për shkak të kapjes me vonesë. Përveç pretendimeve të tij, këtë e konfirmoi edhe Denio Gjinali, si dhe deklaruesi Ardit Joca, që është shok i ngushtë i çelës. Megjithatë, gjykata ka vendosur që ai të akuzohet për mbajtje dhe shitje të lëndës narkotike dhe në përfundim e ka dënuar me katër vjet burg. Gjatë gjykimit, ai është lënë në gjendje të lirë, por kur është dhënë vendimi nuk është kapur dot, deri dje që u arrestua nga policia.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›