Trafikoi një vajzë e një djalë, sillet në pranga nga Greqia
Ekstradohet nga Greqia trafikanti i fëmijëve, Ziko Lena, i cili ka blerë dy fëmijë nga një nënë me qëllim për t’i trafikuar. Mëngjesin e djeshëm, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar, Ziko Alush Lena, 60 vjeç, lindur në Pogradec. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, me vendim nr. 19, datë 05 prill 2006, e ka dënuar me 21 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të të miturve”. Ziko Lena, në dhjetor të vitit 2001 ka siguruar kalimin e Mimoza Sadikllarit drejt Greqisë, duke e strehuar atë në një klinikë në Greqi, pasi ajo ishte shtatzënë. Pas lindjes së fëmijës, Ziko Lena, i ndihmuar edhe nga ish-bashkëshorti i gruas e kanë shitur fëmijën kundrejt shumës së 500 mijë lekëve dhe e kanë kthyer sërish Sadikllarin në Shqipëri. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Athinën, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Nga dëshmia e Sadikllarit është mësuar se Ziko Lenën e njihte me emrin Kito çobani. 44-vjeçarja nga Ardenica e Korçës ka treguar se ai në bashkëpunim edhe me Hymet e Nazmi Krekën e mashtruan për birësimin e dy fëmijëve, të djalit 9-muajsh të quajtur, Mateo, dhe vajzës 9 vjeç e gjysmë, të quajtur Kamelia. “Vështirësitë ekonomike, si dhe divorci me burrin më bindën të shes dy prej 4 fëmijëve, me besimin se jeta e tyre do të jetë më e mirë”, ka treguar ajo përpara trupit gjykues. Gruaja nga Ardenica ka denoncuar të pandehurit Ziko Lena, Hymet e Nazmi Kreka në vitin 2001, pas publikimit në media të trafikut të fëmijëve shqiptarë në drejtim të Greqisë për trafik organesh. “Djalin 9 muajsh ia dhashë në këmbim të 500 mijë lekëve dhe vajzën 9 vjeç e gjysmë me 3 milionë lekë të vjetra. Ai më tha se vajza bënte më shumë lekë, pasi ishte edhe më e rritur”, deklaroi nëna në kohën e gjyqit. Gruan e kishin gënjyer se fëmijët i kishin çuar në një familje pasanikësh dhe që po rriteshin shumë mirë, derisa skandali u publikua në media dhe policia zbuloi të vërtetën.
#