Kreu i qarkut: Sejdini po mban peng rrugët e qytetit
Debatet dhe akuzat e këshilltarëve të djathtë ndaj drejtuesve të pushtetit vendor kanë shoqëruar mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Elbasanit. Kreu i këshillit të qarkut, Blendi Himçi, njëkohësisht anëtar i këshillit bashkiak të qytetit, ka shprehur shqetësimin e tij për moszhvillimin e analizës vjetore të bashkisë së këtij qyteti. Sipas tij, qyteti dhe qytetarët po përballen me probleme të shumta për zgjidhjen e të cilave bashkia nuk po bën as minimumin e mundshëm. “është e pafalshme që ende rrugët janë të gjitha pothuajse të shkatërruara dhe po mbahet peng nga kryebashkiaku Qazim Sejdini hapja e bulevardit kryesor të qytetit, ndërkohë që është marrë një vendim nga këshilli bashkiak”, ka akuzuar Himçi. Gjithashtu, kreu i këshillit të qarkut i ka bërë thirrje kryebashkiakut që të mos kërcënojë me pushim nga puna nëpunësit e bashkisë, të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në protestën që do të organizohet nga PS-ja më 30 prill në kryeqytet. Ndërkaq, nënkryetarët e kësaj bashkie, Serafin Papa dhe Dritan çepa, i kanë cilësuar trillime, spekulime dhe të pabaza akuzat e bëra në adresë të pushtetit vendor nga ana e këshilltarëve të djathtë. “Në përkeqësimin e gjendjes së rrugëve kanë ndikuar anulimet e prokurimeve të fundit për bulevardin ‘Qemal Stafa’ dhe për mjaft segmente të rëndësishme të rrugëve të qytetit, ku janë përdorur kartonët e të djathtëve dhe aleatëve të tyre”, është shprehur nënkryetari çepa. Ndërkaq, debate dhe akuza janë lëshuar edhe rreth çështjes së anulimit të një kredie prej 8 milionë dollarësh, të kërkuar nga bashkia për ndërhyrjet në infrastrukturën e qytetit të Elbasanit.
#