Bashkia, kërkesë-padi në emër të qytetarëve të mbetur pa troje
Një ditë pas protestës së organizuar përpara Bashkisë së Sarandës, halli i qytetarëve të mbetur pa troje ka qenë kryefjala e diskutimeve në mbledhjen e djeshme të këshillit bashkiak. Ndonëse jashtë rendit të ditës, ky problem ka zënë me përparësi vendin e parë të diskutimeve të këshilltarëve, duke e vlerësuar këtë si një shqetësim mbarëqytetar dhe jo vetëm të atyre që vuajnë pasojën e mbetjes pa trojet e dhëna nga këshilli bashkiak i qytetit 11 vite më parë. Këshilltari Dhimitraq Lapa ka propozuar që bashkia të bëjë urgjent një kërkesë-padi dhe avokati i shtetit të hapë procesin gjyqësor, përmes së cilit të bllokohen procedurat e mëtejshme në hipotekë të ish-pronarit. Ky propozim mori mbështetjen e të gjithë këshilltarëve, u pranua nga qytetarët dhe gjeti gatishmërinë e bashkiakëve për të proceduar në këtë mënyrë menjëherë. Ndërkohë që u vendos të veprohet edhe në drejtimin tjetër, vertikal, me institucionet qendrore të shtetit dhe e gjithë procedura u vendos të ndiqet nga komisioni i ligjeve që ka këshilli bashkiak.
#