E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalide prej 35 vjetësh, ndihmon njerëzit në nevojë

është shpallur “Krenaria e qytetit të Bajram Currit”

Prej 35 vitesh ajo jeton në karrocë dhe me paterica. Ishte vetëm 19 vjeç kur u aksidentua, e megjithëse rinia iu thye në mes, nuk ndodhi kështu dhe me shpirtin e saj. Jeton në botën e saj, mes librave dhe aty jeton një realitet ku struket gjithmonë.
E quajnë Zyra Ahmeti dhe banon në qytetin e Bajram Currit, bashkë me të ëmën, Rukën.

Aksidenti

Në vitin 1975, matura e shkollës së mesme të Tropojës shkon në aksion në rrethin e Elbasanit, por gjatë kthimit, autobusi bie në humnerën e Shpalit të Mirditës. Katër studentë vdesin, ndërsa shumë të tjerë plagosen rëndë. Ngjarja ndodhi më datë 1 korrik të atij viti dhe dëshmitarët treguan se aksidenti ndodhi për shkak të lodhjes së shoferit, rrugës së keqe dhe mbushjes së mjetit me njerëz përtej kapacitetit. Mes të lënduarve ishte edhe Zyraja. Nga aksidenti ajo humb aftësinë për të ecur dhe vetëm pas shumë përpjekjesh brenda dhe jashtë vendit, e mbi të gjitha të këmbënguljes së saj arrin të ecë me paterica, pas shumë kohe qëndrimi e paralizuar.

“Në fillim mendova se mbaroi gjithçka, nuk ia vlente të jetoja. Imagjino një vajzë 19 vjeçe të mos mund të ecë kurrë më, për shumë kohë gjithçka e mendoja të zezë, por pikërisht vjershat të cilat kam dashur t’i lë si dëshmi që kam dashur jetën, më dhanë një shtysë për të këmbëngulur, për t’u përballur me sfidën e fatit”, thotë Zyraja, duke treguar se si mbas 6 vitesh përpjekjeje, arriti të ecë ndonëse me paterica.

Ringritja në paterica i ka dhënë Zyrasë, ish-artistes amatore të rrethit, ish-volejbollistes së ekipit të kategorisë së parë, që ishte në atë kampion vendi, i ka dhënë një forcë të madhe për të realizuar plot punë të mira. Ajo studion pandërprerë letërsi dhe histori, qëndis dhe jep kurse gjuhe.

Kontributi

Shpesh kuraja dhe energjia që tregojnë të sëmurët paraplegjikë është aq e madhe sa të tjerët që ecin lirshëm në këmbë nuk e bëjnë dot. Zyraja që prej shumë kohësh jep falas kurse të gjuhës angleze për fëmijët në Bajram Curri, ka krijuar degën e shoqatës “Shpresë dhe dashuri” dhe ndihmon paraplegjikët e Tropojës dhe jo vetëm ato. Dikush e përmend si autore vjersha dhe tregimesh, dikush tjetër për qëndismat dhe ndihmën që ka dhënë në këtë drejtim për përfaqësimin e rrethit në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare, dikush tjetër për gjuhën angleze, të tjerë për ndihmën që jep për paraplegjikët, por edhe kategoritë e tjera në nevojë. Mësojmë gjithashtu se në vitin 2005 bashkia e qytetit e shpalli atë “Krenaria e qytetit të Bajram Currit” pikërisht për inkurajimin që ajo u jepte njerëzve në nevojë dhe talenteve në tërësi, si dhe kontributin falas për të tjerët. është shumë e lidhur edhe me rrethet letrare në Kosovë, madje ata e cilësojnë shpesh si “poetesha e Shkëlzenit”, pasi gjatë luftës së Kosovës ka shkruar vjersha inkurajuese për luftën për liri. Rasti i Zyrasë është nga të paktët ku njeriu arrin të ringrihet me kaq energji dhe të bëhet i dobishëm për të tjerët dhe për vete.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›