I nxehti afrikan, java që vjen, 42 gradë celsius
Muaji gusht shënon edhe kohën kur shumica e njerëzve marrin pushimet dhe zakonisht zgjedhin detin për të përballuar edhe vapën. Kjo ka bërë që Tirana të duket shumë e boshatisur këto ditë. Por, i nxehti afrikan që ka përfshirë të gjithë territorin e vendit, ka bërë që edhe ata të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në Tiranë, të mos dalin nga shtëpia, të paktën në orët e pikut.
Java që vjen, sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik, do të karakterizohet nga një i nxehtë ekstrem afrikan. Ditët më të nxehta, ku termometri pritet të shënojë mbi 42 gradë në hije, janë e hëna, e marta dhe e mërkura, më pas do të shënohet një rënie graduale.
Ndërkohë, fundjava e ardhshme pritet të shënojë një rënie të temperaturave me 4-5 gradë celsius dhe vranësira me reshje lokale të izoluara, por sërish temperaturat mbeten të larta.
Në këto ditë të nxehta gushti, ajo që rekomandohet nga mjekët është që të moshuarit, të sëmurët kardiakë dhe fëmijët të mos ekspozohen në diell dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të evituar dehidratimin e trupit.
5 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
I nxehti afrikan, java që vjen, 42 gradë celsius burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip