E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, Ruci: Sfiduat OSBE. Berisha: Nuk komentoj vajtimin tënd

TIRANE- Nisi sot seanca e parë e punimeve të sesionit të pestë të legjislaturës së 18-të parlamentare, ku të pranishëm përvec opozitës ishin edhe ambasadorët e akredituar në vend. Pas fjalës përshëndetëse të kryeparlamentares Topalli, kreu i grupit të PS Gramoz Ruci, akuzoi mazhorancën se ka vjedhur zgjedhjet e 8 Majit. "Ju sfiduat OSBE-ODIHR me vjedhjen e 8 Majit", tha ai. Replikon Berisha: Nuk komentoj vajtimin tënd. Patozi: Analiza e zgjedhjeve nuk bëhet në Kuvend.

BERISHA: TË BASHKËPUNOJMË PËR REFORMËN ZGJEDHORE
Ora 20:00 Kryefjala e kreut të qeverisë Sali Berisha në seancën e parë të Kuvendit për këtë sezon ripërsëriti thirrjen e drejtuar opozitës për të bashkëpunuar për reformën zgjedhore.

“Unë unë ju ftoj të procedojmë me reformën zgjedhore, të ftojmë specialistët e OSBE/ODIHR, pjestarë nga shoqëria civile, specialistët tonë më të mirë. Ju garantoj se mazhoranca është e vendosur të punojë me ju për të konkretizuar me ligj secilin prej rekomandimeve të OSBE. Unë ju garantoj se jeni të mirëpritur të ushtroni kontroll me të gjithë forcën që njohin ligjet e vendit. Uroj që të largoheni nga disa praktika të mëparshme”,- bëri thirrje Berisha.

PATOZI: ANALIZA E ZGJEDHJEVE NUK ËSHTË CËSHTJE E PARLAMENTIT
Ora 19:20- Edhe kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi mori fjalën në këtë fillim sesioni ashtu sic ishe parashikuar. Patozi tha se është i bindur që edhe në këtë sesion maxhoranca do punojë me përkushtim, ndërsa tha që askush nuk duhet të tregohet entuziast për praninë e opozitës në Kuvend, e cila duhet të bëhet pjesë e votimit, për të përmbushur rolin e saj.

“Ky sesion është vijimi i një pune të përkushtuar të kësaj maxhorance. Nuk mund të them se prania e opozitës do të ishte e mjaftueshme për të shprehur entuziazmin. Prvec pranisë duhet të presim që opozita të votojë, të ketë lënë pas stinët e bojkoteve”, tha ai.

Duke iu përgjigjur Rucit, në lidhje me zgjedhjet e 8 Majit, Patozi tha se opozita nuk ka mundur kurrë të lexojë sic duhet raportin e OSBE-ODIHR.
“PS nuk mësoi kurrë të lexojë integralisht raportin e OSBE-ODIHR, kjo parti është qesharake kur thotë që i grabitën zgjedhjet. U mundët si burrat në kryeqytet ku u rrëzua pashai. Nuk hytë në garë për vota këshilltarësh, luftuat vetëm për një mandat atë të kryeministrit. Tek e fundi, analiza e zgjedhjeve nuk është cështje e parlamentit”, vijoi Patozi.

Në fjalën e tij, Patozi i bëri thirrje deputetëve të opozitës të fillojnë punën me kolegët e tyre për reformën zgjedhore, për votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, pasi sic tha ai, sado të vonuar jemi, ka gjithmonë kohë për vepra të mira.

“Le ta fillojmë nga e mbara këtë sesion të ngremë komisionin për reformë zgjedhore, të votojmë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të cilat presin prej 3 vitesh, të biem dakord për 12 proritetet, të votojmë ligjin për heqjen e imunitetit”, tha Patozi.

BERISHA: NUK KOMENTOHET VAJTIMI I RUCIT
Ora 18:50- Kryeministri Berisha deklaroi menjëherë pas fjalës së Rucit, se nuk ia vlen të komentosh vajtimin e tij, ndërsa gjeti rastin për t’i uruar opozitës mirëseardhjen.
“Mu duk se Ruci po lexonte manifestin antikapitalist të radhës, por konstatoj se u gabova, ky ishte vajtimi i një disfate të merituar. Nuk komentohen vajet dhe vajtimet. I urjo opzitës mirëseardhje në Kuvend”, tha ai

RUCI: BERISHA SFIDOI OSBE ODIHR ME ZGJEDHJET E GRABITURA
Ora 18:30- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruci gjatë fjalës së tij ripërsëriti edhe një herë vërejtjet e opozitës për zgjedhjet e 8 majit. Duke i cilësuar zgjedhjet lokale në vend si turp, Ruci nënvizoi se, përgjegjësia bie vetëm tek kryeministri i vendit.
“Jo vetëm zgjedhje të lira nuk bëmë dot por i dhamë shqiptarëve ato zgjedhje që kishim harruar ato që kishte harruar dhe OSBE-ODIHR, ndaj s'kemi arsye të krenohemi dhe të mburremi me cka kemi bërë. Jam i bindur se nuk ka mbetur njeri shqiptar apo i huaj, që gishtin e rëndë të drejtësisë nuk e drejton nga i vetmi njeri që e dyshon dhe ky jeni ju z kryeministër faktori kryesor politik dhe juridik i maskaradës që ndodhi për pushtetin vendor më 8 maj”,- deklaroi Ruci.

Ruci solli në vëmendje raportin e OSBE-ODIHR që sipas tij në asnjë rrjesht nuk shkruante se në vend u mbajtën zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërkohë që akuzoi shefin e qeverisë si personin që do të mbulojë vjedhjen me aforizma si "zgjedhjet më të lira të mbajtura në vend". Ruci akuzoi kryeminitrin Berisha se me grabitjen e zgjedhjeve në 8 maj ai sfidoi ndërkombëtarët dhe raportin e OSBE ODIHR,

“Raporti nuk flet në asnjë rrjesht për standartet, ai nuk i klasifikon këto zgjedhje se nuk janë të denja për standartet minimale. Raporti i OSBE ODIHR flet më shumë se cdo gjë që mund të them, sipas tij procesi ishte keq në 10 % të tij, administrata ishte e detyruar të votonte me zor, shteti u vu në shërbim të kryeministrit, mjekët, shkollat, mësuesit, nxënësit dhe shumë prej tyre u detyruan të votonin me zor. Sfiduat partnerët ndërkombëtar dhe trupin diplomatik dhe OSBE ODIHR bashke me shtetin ligjor”,- akuzoi Ruci.

NIS SEANCA E KUVENDIT,  TOPALLI: KY SESIONI I REFORMAVE
Ora 18:20- Nisi sot rreth orës 18:20 seanca e sesionit të ri parlamentar ku do të miratohet kalendari tre javor ndërkohë që pritet të marrin fjalën krerët e grupeve parlamentare demokrati Astrit Patozi dhe socialisti Gramoz Ruci. Në ketë seancë nuk do të ketë miratim ligjesh.

Pjesëmarrës në seancën e sotme të Kuvendit janë edhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë. Në seancë merr pjesë Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, zv.ambasadori i OSBE Dan Redfordf, si dhe ambasadorja e Francës Maryse Daviet.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hapi punimet e seancës me një fjalë përshëndetëse drejtuar deputetëve në këtë fillim sezoni parlamentar. Kryeparlamentarja Topalli, e cila ftoi të gjithë deputetët të bëhen pjesë e votimeve të këtij sesioni të ri, pasi axhenda që pret Kuvendin, “është axhendë reformash”, tha Topalli.

Duke i kërkuar përsëri deputetëve të punojnë e votojnë me përgjegjësi, Topalli tha se brenda kësaj salle duhet të bëhet realitet ëndrra e integrimit europian që pret cdo shqiptar.
"Brenda kësaj salle do punojmë për integrimin europian. Jemi deputetët e dekadës së tretë të demokracisë dhe kjo na rrit përgjegjësinë për të përmbushur vullnetin e cdo shqiptari”, tha Topalli.

Në fund të fjalës së saj kryeparlamentarja kërkoi të mbahej një minutë heshtje, për karrigen bosh në sallë, që i përket deputetit Gëzim Dibra, i cili humbi jetën pak kohë më parë.
(m.a/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Topi: Parlamenti jo shtojcë e qeverisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›