I paligjshëm ushtrimi i funksionit të Vladimir Kristos në krye të GJK

Flet deputeti Enkelejd Alibeaj
Lidhur me debatin e fundit mes mazhorancës dhe presidencës, për skadimin e afatit kushtetues të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, deklaron se qëndrimi në detyrë i Vladimir Kristos është i jashtë ligjshëm. Sipas ish ministrit të Drejtësisë nuk ka asnjë bazë ligjore që të justifikojë mbajtjen e kryesisë së Kushtetueses nga Kristo përtej 3 qershorit. “Nuk thotë ligji asnjë parashikim që nëse nuk zgjidhet, nuk procedohet me zgjedhjet e një anëtari të ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë. Praktikisht, me kalimin e këtij mandati nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm formalisht, por dhe substancialisht”, u shpreh deputeti, Alibeaj. Po ashtu konstitucionalisti Luan Omari, shprehet se pa kryetar juridik puna në Kushtetuese mund të quhet e bllokuar. “Në fakt bllokohet, pa kryetar. Ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet zëvendësuar, nuk parashikon se ai qëndron në detyrë derisa të zëvendësohet”, tha ai. Ndonëse presidenca i ka lënë për në shtator emërimet e reja në këtë gjykatë, sipas Alibeajt, presidenti nuk ka asnjë pengesë ligjore për ta zgjedhur kryetarin që tani nga 9–shja aktuale. “Pa asnjë lloj dyshimi kryetari i ri mund të zgjidhet nga secili prej nëntë anëtarëve sepse ligji thotë, mandati kryetarit është brenda mandatit të anëtarit. Sigurisht mund të ndërpritet më parë mandati si anëtar, që do të thotë automatikisht dhe i atij si kryetar, por që nuk ka asnjë lloj vakuumi apo pamundësie për të zgjedhur me probabilitetin më të madh midis nëntë anëtarëve. Gjithmonë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka nëntë anëtarë, me mandat të skaduar ose jo, ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë dhe kjo është zgjidhja ligjore”, deklaroi Alibeaj. Edhe pas afro 2 muajsh nga skadimi i afatit kushtetues, Vladimir Kristo, vazhdon të ushtrojë funksionet si kryetar, madje edhe duke heshtur gjatë gjithë kësaj kohe që politika dhe mediat ka rrahuar shkeljen e Kushtetutës nga presidenti i Republikës.
...