Presidenca e BE, Belgjika: Shqipëria, progres të çmuar në rrugën e integrimit, e ardhmja vetëm në BE

Kryeministri Berisha vizitë një ditore në Bruksel, takon homologun e tij belg, Leterme
Kryeministri Berisha vizitë një ditore në Bruksel, takon homologun e tij belg, Leterme Belgjika, presidenca e radhës e Bashkimit Evropian, konfirmon se do mbështesë aspiratat e popullit shqiptar për integrim në familjen e madhe evropiane. Kjo i është komunikuar dje kryeministrit Sali Berisha, gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin belg, Yves Leterme. Kryeministri Leterme, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të bllokut 27 anëtarësh, ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit duke theksuar se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Europian. Në fokus të bisedimeve ishin padyshim, prioritetet e Presidencës belge të radhës së BE-së dhe projektin madhor të integrimit të Shqipërisë. Kryeministri Leterme i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme e totale të Presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi me hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Leterme përshëndeti vendimin e Komisionit për të sugjeruar liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve dhe shprehu bindjen e thellë për realizimin e ëndrrës së shqiptareve për heqjen e vizave me vendet “Schengen” gjatë Presidencës belge brenda vitit 2010. Persa i përket kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, kreu i ekzekutivit belg, Leterme vlerësoi progresin e madh në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe e siguroi kryeministrin Berisha se Presidenca belge do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë ne ecjen përpara me hapa të shpejta në këtë drejtim. “E ardhmja e Shqipërisë është anëtarësia plotë në BE dhe Belgjika do t’ju ndihmojë në të gjitha hapat tuaja drejt BE-së”- ka deklaruar Leterme. Nga ana e tij, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i bëri një ekspoze të reformave dhe arritjeve gjatë kësaj periudhe duke nënvizuar se qeverisa shqiptare i qëndron përqasjes për një proces të bazuar në performancë si platformë më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe arritjen e standardeve evropiane për jetën e qytetarëve shqiptarë. Në vijim të bashkëbisedimit, të dy kryeministrat u ndalën në fusha të veçanta të bashkëpunimit për sa i përket energjisë, turizmit, interesit të madh të investitorëve belg për të investuar në Shqipëri. Duke iu kthyer situatës së shkaktuar nga kriza ekonomike e financiare botërore, kryeministri Leterme vlerësoi faktin që Shqipëria është një ndër vendet e rralla në Evropë që nuk u prek nga kriza ekonomike e financiare dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për këtë. Berisha i bëri me dije, në këtë kontekst, se ishin reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare, si barra fiskale më e ulet në Evropë, taksa e sheshtë në nivelin 10 përqind, investimet e rëndësishme në infrastrukturë deri në 10% të GDP-së, krijimi i klimës më të favorshme përmes thjeshtëzimit të procedurave, modernizimit dhe digjitalizimit të tyre dhe vendosja e “one stop shop”, si dhe reformat për një qeveri të vogël në dietë, të cilat bënë të mundur që qeveria t’i rezistojë krizës. Më tej, të dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet në rajon, në veçanti për Kosovën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë pikë u ripohua mbështetja e plotë e deklaratës së përfaqësueses së lartë të BE-së, baroneshës Ashton. Më tej të dy Kryeministrat diskutuan për zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Leterme shfrytëzoi rastin për t’i shprehur kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Belgjikës ndaj Shqipërisë për kryesimin e radhës së OSBE-së. Kryeministrat Berisha dhe Leterme, nuk lanë pa prekur dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Leterme e vlerësoi vizitën e kryeministrit Berisha si një shprehje tjetër e vendosmërisë së dy qeverive për të konsoliduar lidhjet e gjithanshme e miqësore midis dy popujve e vendeve miq. Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Leterme për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, ndërsa vlerësoi të dy marrëveshjet që u nënshkruan si një shprehje tjetër e bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve. Gjithashtu, kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e vizitës historike të para disa muajve të kryeministrit Leterme në Tiranë, si kryeministri i parë i Mbretërisë së Belgjikës që vizitoi Shqipërinë. Të dy kryeministrat ripohuan vendosmërinë e dy qeverive për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat, në veçanti shkëmbimet ekonomike - tregtare dhe zgjerimin e investimeve belge në Shqipëri, të cilat po tregojnë gjithnjë e më tepër një interes të lartë për të hyre në tregun shqiptar. Ndërkaq, shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, gjatë vizitës në Belgjikë është takuar me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve z. Andre Flahaut dhe zv/presidentin e Senatit z. Armand De Decker. Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha ka firmosur në librin e artë të Parlamentit. Pritet që kryeministri Berisha një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Brukselit z. Freddy Thielemans.
...