Zv/kryeministri Meta takon faktorin politik shqiptar në Maqedoni

Dialogu, i rëndësishëm për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shkup, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta edhe me drejtuesit e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni. Fillimisht ai u takua me kryetarin e Bashkimit Demokratike për Integrim, Ali Ahmeti, i cili është edhe pjesëmarrës në koalicionin qeverisës në Maqedoni. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Maqedoni, Marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet e tjera në vend dhe rajon. Meta vlerësoi pozitivisht ecurinë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të cilat mund të shërbejnë si shembull dhe model bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit. Ai theksoi domosdoshmërinë që niveli aktual politiko-diplomatik i marrëdhënieve të pasohet edhe nga një bashkëpunim më intensiv dhe më produktiv në fushat e ekonomisë, arsimit, kulturës, mjedisit, rendit dhe mbrojtjes. Nga ana e tij, Ali Ahmeti, vuri në dukje se stabiliteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, theksoi se ka pasur progres në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen se është e nevojshme të përshpejtohen ritmet për zbatimin e plotë të saj. Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, ka qenë e bisedimeve dhe me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi. Thaçi shprehu gjithashtu rezervat e PDSH-së lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai vuri në dukje se faktori shqiptar në koalicionin qeverisës mund të luajë një rol nxitës në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në takim Thaçi konfirmoi angazhimin e PDSH-së për të kryer edhe më tej rolin e opozitës konstruktive në të mirë të stabilitetit të vendit dhe të avancimit të pozitës së shqiptarëve në shtet. Meta dhe Thaçi diskutuan edhe mbi zhvillimet në Kosovë duke ndarë qëndrime të përbashkëta lidhur me rëndësinë e mendimit këshillimor të GJND-së, i cili konfirmoi përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare. Gjithashtu, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u takua me Imer Selmani, kryetar i Partisë Demokracia e re, me të cilin shkëmbyen mendime mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet më të fundit në vend, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zhvillimet në rajon.
...