Pranimet, faza e tretë, 1600 studentë kërkojnë ndërrimin e degës
Formulari A3, mbyllet aplikimi. Nga sot nis procesi i përpunimit të të dhënave, ku më 5 nëntor shpallen fituesit
Studentët që ndërrojnë degë nuk humbasin të drejtën e parë të studimit. Regjistrimet deri më datë 15 nëntor
Edhe nëse nuk arrijnë të fitojnë të drejtën e studimit, kandidatët që kanë kërkuar të ndryshojnë degën në fazën e tretë të shpërndarjes në universitete, do të vazhdojnë studimet në degët ku ata janë regjistruar si fitues në dy fazat e para. Burime pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë, kanë bërë të ditur se, kandidatët që kanë shprehur dëshirën në Formularin A3 për të ndërruar degën, nuk duhet të shqetësohen pasi, sido që të ndodhë, ata do të ndjekin studimet rregullisht në degët ku kanë rezultuar fitues. Deri më tani, kërkesën për të ndërruar degë, e kanë bërë jo pak, por 1 600 kandidatë, të cilët kanë fituar një të tillë në dy fazat e para. Kërkesa për ndërrimin e degës është bërë në bazë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave, në kuadër të rishpërndarjes së rreth 3 800 kuotave të mbetura bosh, në 11 institucione të arsimit të lartë publik. Futja në lojë e kandidatëve fitues e ka bërë garën për një vend në universitete, në fazën e tretë, edhe më të vështirë. Nga dita e sotme e në vazhdim, APRIAL-i, agjencia që merret me shpërndarjen e maturantëve në institucionet e arsimit të lartë publik, do të nisë përpunimin e të dhënave, ku më 5 nëntor, sipas udhëzimit të dalë nga MASH-i, do të bëjë të mundur edhe shpalljen e listës përfundimtare të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Deri më tani, sipas të dhënave të mbërritura nga Drejtoria Arsimore Tiranë, janë regjistruar në fazën e tretë 1 200 kandidatë, të cilët nuk kanë arritur të fitojnë në dy fazat e para. Pas dorëzimit të Formularit A3 në APRIAL, do të jetë Agjencia Kombëtare e Pranimeve, ajo që do të përzgjedhjen e fituesve në bazë të pikëve të grumbulluara nga kandidatët në arsimin e mesëm, në Maturën Shtetërore, si edhe vullnetit të kandidatëve të shprehur përmes preferencës më të lartë, të zgjedhur prej tyre në formularin A3. Pas përpunimit të rezultateve nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve, Ministria e Arsimit, më datë 6 nëntor, do të kryejë dorëzimin e listave pranë universiteteve, datë në të cilën do të nisë dhe afishimi i tyre. Një ditë më pas, më datë 7 nëntor, do të nisë regjistrimi i fituesve në sekretaritë e fakulteteve, të cilat do të jenë në dispozicion të studentëve të rinj përgjatë gjithë ditës, deri më datë 15 nëntor, periudhë në të cilën do të mbyllet i gjithë cikli i regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë publik. Për të gjithë ata kandidatë fitues, të cilët nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale, është e detyrueshme dublikata e dëftesës së pjekurisë, e lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe e vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Për kandidatët, të cilët nuk disponojnë dokumentin e mësipërm, sekretaritë e fakulteteve duhet të bëjnë evidentimin në lista të veçanta, të cilat më pas do të verifikohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave
Udhëzimi
Part-Time, prisni përfundimin e regjistrimeve në fazën e tretë
Kandidatët, të cilët kërkojnë të ndjekin studimet në sistemin Part-Time, duhet të presin përfundimin e shpërndarjes së tretë të studentëve në universitete, që të mësojnë mbi mënyrën sesi ata do të përzgjidhen për të vazhduar studimet. Po kështu, këta kandidatë, duhet të presin për të mësuar diçka me shumë mbi studimet me kohë të pjesshme, përfundimin e regjistrimeve në nivelet Master. Burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bëjnë të ditur se, aktualisht, po njihen me kuotat e propozuara nga universitetet për përgatitjen e udhëzimit për studimet part-time. Bashkë me publikimin e udhëzimit do të përcaktohen tarifat e studimit dhe kriteret e pranimit në studimet me kohë të pjesshme. Pas një viti pezullimi, sistemi i studimeve me kohë të pjesshme, do të rifillojë sërish në muajin nëntor. Përveç kërkesave për shtimin e kuotave të pranimeve, këtë vit, universitetet kanë kërkuar ulje të tarifave të studimeve për disa degë të caktuara. Drejtues të fakulteteve që do të ofrojnë këtë cikël studimesh, janë shprehur se, në rast se kërkesat për ndjekjen e studimeve në sistemin part-time do të jenë më të larta se kuotat e propozuara, një ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes, do të jetë mesatarja, por nuk përjashtohet as mundësia e zgjedhjes me anë të provimeve, në raste të caktuara.