I penduari i bandës së Durrësit: Aleksandër Keka i PDK, korrier droge i Lul Berishës
Armand Bajrami
Fakte të panjohura më parë u bënë prezent dje nga i penduari Adriatik Coli, gjatë dëshmisë në seancën e "bandës së Durrësit" në Gjykatën për Krimet e Rënda. I penduari Adriatik Coli ka befasuar dje teksa ka përmendur emrin e Aleksandër Kekës, ish-kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, të vdekur pas shpërthimit në makinën e tij në qershor të këtij viti. Coli ka thënë se Keka ishte një nga korrierët e drogës për llogari të "bandës së Durrësit". Më tej Adriatik Coli përmendi emrin e djalit të një avokati të mirënjohur, si "ndihmës" të bandës së Durrësit. Sipas të penduarit, anëtarët e bandës ishin lajmëruar nga djali i avokatit për ardhjen e Erion Lames, i cili më pas u ekzekutua me armë zjarri në një pritë të armatosur. Faktet e reja ndezën debatet mes palëve në proces. Avokatët kanë pohuar se, "nëse Prokuroria ishte në dijeni të implikimit të ish-kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe duhet ta kishte marrë të pandehur si anëtar të bandës". Gjykata për Krimet e Rënda ka vijuar dje dëgjimin e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli. Seanca me dyer të mbyllura për mediat ka zgjatur 7 orë, deri në përfundim të orarit zyrtar të punës në gjykatë. Burime brenda seancës pohuan se Coli dëshmoi mbi episodet e vrasjes së Erion Lames, Klodian Sadikut, si dhe konflikteve që çuan në ndarjen në dy pjesë të "bandës së Durrësit".
Deshmia per Keken
Ndërsa togat e zeza prisnin dje të dëgjonin nga Adriatik Coli vazhdimin e dëshmisë në "linjën" e deklarimeve të dhëna më parë në prokurori, situata "ka marrë kthesë" kur Coli ka shqiptuar emrin e ish-kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. Burime brenda seancës thanë se Coli gjatë deklarimeve ka pohuar përfshirje të ish-kryetarit të PDK-së të vrarë me një shpërthim eksplozivi në makinën e tij, në trafikun e drogës. "E njihnim Aleksandër Kekën. Ai ka transportuar disa ngarkesa lënde narkotike drejt Italisë", është shprehur Coli. Sipas të penduarit, Keka ka kryer rolin e "korrierit" të drogës për llogari të bandës. Po sipas tij, Keka realizonte trafikimin e heroinës drejt Italisë në rrugë tokësore, duke kaluar drejt Malit të Zi e më pas në vijim në Kroaci, Slloveni e deri në Itali. "Unë, Endrit Dokle, Lulëzim Berisha, Plarent Dervishaj dhe Klod Saliu, disa herë kemi qenë edhe në shtëpinë e Aleksandër Kekës në Koplik", është shprehur Coli. Sikur të mos mjaftonte vetëm kaq, Coli dje ka përmendur edhe emrin e djalit të një avokati të dhomës së avokatisë Durrës. "Teksa po prisnim për të vrarë Erion Lamen, ka qenë djali i avokatit A.H. që lajmëroi Indrit Doklen për lokalin ku kishte parë Erion Lamen", ka pohuar Coli.
I menjëhershëm ka qenë dje reagimi i avokatëve mbrojtës të të pandehurve ndaj deklaratave të Colit. Dalja në skenë e emrit të Aleksandër Kekës ka shkaktuar debat të ashpër në sallë. "Revolta" e avokatëve ka qenë e përqendruar në faktin që, nëse Prokuroria ka pasur dijeni për përfshirjen e tij në trafik, duhet të kishte nisur një procedim penal. "Nëse organi i akuzës kishte dijeni mbi përfshirje të Aleksandër Kekës në trafikun e heroinës për llogari të bandës, duhet të kishte hapur procedim penal ndaj tij dhe ta merrte të pandehur si anëtar të bandës", mësohet të jenë shprehur avokatët. Ndërsa u vra në një atentat mafioz në qershor të këtij viti afër fshatit Grilë në Shkodër, Prokuroria dy javë pas ngjarjes pezulloi hetimet dhe riktheu dosjen në polici për mungesë autori. Adriatik Coli shënoi dje seancën e tretë "maratonë" të tij, ku për orë të tëra ai i përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë mbi episodet kriminale për të cilat akuzohen anëtarët e "bandës së Durrësit".
VRASJA E LAMES
Disa muaj para se të dilte Klodi nga burgu, mbaj mend se ka qenë dimër dhe vija re se Erion Lame ishte fuqizuar shumë. Ai kishte bërë shumë lekë dhe kishte blerë "Benz" katër fenerësh. Erion Lame në atë kohë punonte me Ben Shabanin, Festen dhe Artur Labin, të cilët merreshin me drogë. Tur Labi kishte një anije 2500 tonësh. Di që Ben Shabanin e kanë arrestuar pasi policia gjeti një laborator droge te shtëpia e tij në Shkozet. Unë kur shkëmbehesha me Erion Lamen më shikonte shtrembër. Një ditë, Indrit Dokle më tha që e kishte marrë në telefon Erion Lame dhe i kishte thënë që kur do pimë një kafe, se me Indrit Taullain kam pirë një kafe dhe jam sqaruar. Indrit Dokle i kishte thënë që nuk pi kafe me njeri. Erioni i ishte përgjigjur që "po mirë, kush t'i këpusi kokën njëri-tjetrit". Pas kësaj, unë i thashë shkojmë e i këpusim kokën. E ruajtëm të dy Erion Lamen për rreth tre muaj rresht, po nuk po na dilte në shteg. Pastaj një ditë, Indritin e mori në telefon një shoku i tij dhe i tha Erionin e ke te klubi i N.M., që është afër me Bashkinë. Indriti erdhi te shtëpia ime. Unë mora pistoletë, kurse Indriti mori "skorpionsin", të cilin e kishte në shtëpinë e tij. U nisëm dhe zumë pritë te rruga poshtë bashkisë dhe po pritnim Eronin. Ai ishte i detyruar të vinte te rruga ku ishim ne, pasi rrugë tjetër nuk kishte. Ndenjëm rreth gjysmë ore, derisa Indriti pa makinën e Erion Lames. Unë nuk e njihja makinën e tij. Pak metra para se të vinte tek ne, ai ndaloi makinën dhe po bisedonte me dikë. Ata biseduan rreth 5 minuta dhe pastaj Erioni erdhi në drejtimin tonë. Kur ishte rreth tre metra larg nga ne, Indriti e qëlloi me "skorpions". Makina doli anës rrugës dhe goditi shtyllën elektrike. Unë u mundova të hapja derën e pasagjerit, pasi pashë se Erioni ishte shtrirë. Nuk e hapa dot derën se ishte në siguresë. Kapërceva makinën dhe dola nga ana e Erionit. Ai në këtë kohë lëvizi dhe donte të hapte derën e tij. Unë në çast e qëllova me pistoletë dy herë. Një herë në gjoks dhe njëherë në bark. Pastaj ai hapi derën dhe ra. Ne u larguam me këmbë me vrap në drejtim të magazinave të birrës dhe armët i hodhëm përballë ambulancës, ku po ndërtohej një pallat i madh në atë kohë. Pastaj u ndamë dhe secili shkoi te shtëpia e tij. Në darkë erdhi dhe më shoqëroi policia dhe më pyeti rreth vrasjes së Erionit, por unë nuk tregova. Mësova se edhe Indritin e shoqëroi policia dhe e pyeti për këtë problem. Në polici mësova se Erion Lame kishte vdekur tashmë nga goditjet që i kishim bërë ne.
Ndarja e bandes
Gjatë kohës që ka qenë Klodi në burg, unë me Indrit Doklen gradualisht u ftohëm me Indrit Taullain, pasi ky i fundit fillonte të bënte pisllëqe të vogla, si p.sh., fuste të tjerë me vjedhë etj., që ne s'e përqeshim. Unë po filloja të rrija me Indrit Doklen. Në këtë kohë kisha parë se Indrit Taullai rrinte me Plarentin dhe Julian Meçen. Nja dy muaj pas vrasjes së Erion Lames doli nga burgu Luli. Unë me Indrit Doklen shkuam për vizitë në shtëpinë e re që ndërtoi përballë Plarentit. Te shtëpia ishte Luli dhe Mond Çekici. Vizita ishte e thjeshtë dhe ne u larguam. Pas rreth 20 ditësh nga ardhja e Lulit doli Klodi nga burg. Atë ditë që doli nga burgu unë e takova Klodin për pak kohë se kishte shumë njerëz për vizitë. Të nesërmen po bëja xhiro me një fuoristradë të Verit, që nuk më kujtohet si e ka emrin gjatë. Gjatë xhiros pashë Lulin që po shkonte me Plarentin te shtëpia e Klodit në Spitallë. Pas dy ditësh më thirri Klodi dhe unë shkova në Spitallë. Ai më tha që njerëz me të afërt kam ty dhe Indritin. Me Lulin nuk kam më punë, meqë kur isha në ditë të zeza, nuk më pa njeri. Pas tre-katër ditësh, Klodi me Shkëlqimin, të vëllain shkoi të shtëpia e Lulit për t'i kthyer vizitën. Unë e pashë vetë këtë, pasi në atë kohë isha te shtëpia e Klodit. Unë mesa më kujtohet pritëm me gjithë Indritin jashtë shtëpisë së Lulit me dy makina dhe i pritëm derisa u kthyen pas gjysmë ore, që nga ajo ditë Klodi nuk është takuar asnjëherë me Lulin. Mbas takimit Klodi u shpreh: "Kishim ça kishim me Lulin, i pashë pisllëqet e tij dhe nuk më ka ndihmuar, tani ai në punën e tij, unë në punën time. Kemi qenë shokë deri dje, ruajtëm ça kishim për të ruajtur, tani nuk jemi armiq dhe të shikojë çdo njëri punën e vet". Pas ndarjes me Lulin, Klodi kishte si shok të ngushtë Indrit Doklen dhe pastaj mua. Në atë kohë filloi të afrohej dhe Altin Begu, që ishte çun i lagjes. Altini i rrinte në shërbim me makinë Shkëlqimit, vëllait të Klodit, kur bridhte për punën e Klodit kur ishte në burg. Pas një muaji, nga mesi i vitit 2002, Klodi shiti një tokë që kishte te Plepat në Durrës një tiranasi dhe mori nja 70 mijë dollarë që i futi në punë. Klodi na tha: "çuna, ju m'u gjendët në ditë të zeza dhe ju me kismet të na eci puna do t'u ndihmoj dhe do të rregullohemi të gjithë". Klodi filloi të blinte drogë, heroinë të pastër. Unë nuk e di se ku e blinte, pasi Klodi ishte shumë i zgjuar dhe nuk na tregonte se ku e merrte drogën. Ai zakonisht merrte 6 kg heroinë, ndonjëherë 12 kg dhe e sillte te shtëpia e vjetër dhe për këtë nuk dinte gjë njeri.