Xhejms Belushi & Eagle Mobile "ndezin" Tiranën
NERTILA MAHO
Shiu i djeshëm nuk ka penguar aspak Xhejms Belushin dhe Eagle Mobile që të mblidhnin tek Sheshi "Nënë Tereza" qindra adhurues, të cilët ishin të pranishëm në koncertin e shqiptarit më të famshëm të Hollivudit. Prezantuesja Anjeza Maja ka qenë ajo ka përshëndetur e para publikun e gjerë, duke bërë edhe një paraqitje të shkurtër të eventit që organizohej nga kompania e telefonisë celulare Eagle. Më pas ata që kanë hapur koncertin kanë qenë dy këngëtaret e mirënjohura shqiptare, Eneida Tarifa dhe Juliana Pasha, të cilat nën ritmet e muzikës jazz kanë kënduar disa nga hitet e këtij zhaneri muzikor. Eneida Tarifa, e cila pati rastin të ngjitej e para në skenë, nuk ka kursyer komplimentet për Belushin, duke e konsideruar atë padiskutim si shqiptarin më të famshëm. Po kështu nuk ka kaluar pa u përmendur se Belushi tashmë do të ishte më i pranishëm në Shqipëri përmes Eagle Mobile. Të njëjtat komplimente ka bërë edhe këngëtarja Juliana Pasha, e cila më pas ka gjallëruar atmosferën me zërin e saj. Pasi kanë kënduar plot shtatë këngë, këngëtaret kanë zbritur nga skena për t'i lënë vendin orkestraleve të luajtura ekskluzivisht nga banda në skenë. Është dashur plot një orë parapërgatitje dhe pritje që në skenë të ngjitej ai për të cilin ishin mbledhur adhuruesit e shumtë, Xhejms Belushi. Menjëherë pasi prezantuesja e ka ftuar në skenë, fansat kanë shpërthyer në duartrokitje, por edhe në përshëndetje tradicionale shqiptare "fërshëllima", për ta përshëndetur Xhejms Belushin. "Welcome Tirana" (Mirësevjen Tiranë) ka qenë përshëndetja e shkurtër e Belushit, para se të fillonte të këndonte një nga këngët më të famshme "jazz", siç është "Sweet Home Chicago" e adoptuar në "Sweet home Albania" (E ëmbla shtëpi Shqipëri). Këtë herë Belushi duket se e ka ndjerë më afër vendlindjen e tij, si një shqiptar i vërtetë, në ndryshim nga disa vite më parë kur në Shqipëri ka kënduar "Nju Jork, Nju Jork". Së bashku me aktorin, komikun dhe muzikantin e famshëm shqiptar kanë kënduar edhe Eneida dhe Juliana. Zëri i Belushit ka ndezur menjëherë Sheshin "Nënë Tereza", duke bërë edhe ndryshimin final të atmosferës së mbrëmjes së djeshme, e cila edhe pse me shi u kthye në një mbrëmje mjaft argëtuese për shumë prej kryeqytetasve që ishin të pranishëm në koncert. Por entuziazmi ka arritur kulmin kur Belushi ka bërë performancat e tij në mes të turmës apo kur ka luajtur në saksofon. I bërë njësh me turmën, publiku e ka ndjerë më afër se kurrë aktorin, muzikantin dhe komikun e famshëm të cilin shumicën e kohës e kanë parë si protagonist të filmave hollivudianë. Ky aktivitet që mbështetej nga sponsori gjeneral Eagle Mobile, ka mbledhur dashamirës të shumtë të muzikës dhe të aktorit Xhejms Belushi, duke sjellë një atmosferë ndryshe në metropolin shqiptar.