Krimi në Bulqizë, viktimat në varr larg njëri-tjetrit
SHKODER/BULQIZË
Përcillen të ndarë në banesën e fundit Arjeta dhe Bledar Bilali, të ekzekutuar mëngjesin e së hënës në dhomën e gjumit, në qytetin e Bulqizës. Familjarët e tyre kanë tërhequr fillimisht trupin e 28-vjeçarit, ndërsa ai i vajzës disa orë më vonë. Kjo kohë i është dashur ekspertëve të Tiranës për ekzaminimin mjeko-ligjor, provë kyçe për të saktësuar rrethanat e vrasjes së dyfishtë.
Ceremonia
Mes lotësh dhe dhimbjesh, familjarë e të njohur të dy viktimave i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit atyre, në varrezat e Shkodrës, në Golem. Ndonëse çifti jetonte bashkë prej rreth 8 muajsh, për ta janë organizuar dy ceremoni të ndryshme varrimi, me një distancë kohore prej 30 minutash. Në orën 16:00 ka qenë e parashikuar ceremonia mortore e Bledar Bilalit. Familja e tij jeton në lagjen "Salo Halili", në hyrje të qytetit të Shkodrës. Në orën 16 e 30 minuta ka qenë ceremonia mortore e Arjeta Domnit, trupi i pajetë i së cilës ka dalë nga shtëpia e të atit në lagjen "Manush Alimani". Familjarët, të afërm dhe miq të dy familjeve, nuk kanë preferuar që të flasin para mediave apo të japin ndonjë hollësi rreth ngjarjes që i ka tronditur shumë. "Ka gjithë ditën që flitet për këtë tragjedi dhe jepen versione të ndryshme. Ju lutem na lini në hallin tonë. Do të jetë policia ajo që do të sqarojë gjithçka. Për ne ka shumë rëndësi fjala e fundit e hetimeve", shprehet një i afërm i familjes së vajzës. Miq të çiftit tregojnë se mes Bledarit dhe Arjetës ka ekzistuar një lidhje e fortë, ndaj dhe ajo që ndodhi u duket e pakuptimtë. "Ata ishin të dashuruar marrëzisht me njëri-tjetrin, prandaj ikën të dy deri në Bulqizë". Trupat e tyre janë varrosur në distancë rreth 200 m larg. Mësohet se 28-vjeçari prehet pranë të afërmve të tij, ndërsa vajza në parcelën e varreve të reja.
Hetimet
Për Policinë e Prokurorinë e Qarkut Dibër, si dhe ekspertët e ardhur nga Tirana, ngjarja e ndodhur mëngjesin e të dielës në qytetin e Bulqizës është krim brenda familjes dhe se autorja e vetme e saj është Arjeta Domni Bilali. Policia këmbëngul në versionin se pas "lëkundjes së marrëdhënieve bashkëshortore", e reja ka guxuar të vrasë në gjumë Bledarin dhe më pas me të njëjtën armë të vetëvritet. Pas fjalëve të para, se në dyshemenë e dhomës ku flinin çifti Bilali dhe Olsi Muja janë gjetur para të shpërndara, madje të gjakosura, zyrtarët e policisë rajonale e mohojnë kategorikisht këtë version duke pohuar se "paratë që Bledari kishte fituar nga shitja e kromit një natë më parë dhe që ditën e vrasjes do t'ua shpërndante banorëve që e kishin dërguar tek ai, janë gjetur të lidhura dhe të paketuara siç merren në banka". Për policinë dhe grupin e hetimit nuk kemi të bëjmë as me vrasje për qëllime grabitje dhe as me hakmarrje për shkak të problemeve që Bilali kishte në vendlindje, Shkodër. Pas këqyrjes së plagëve, gjurmëve të gishtërinjve në pistoletën e krimit dhe kryerjen e hetimit balistik të armës, rezulton se autorja e vrasjes së dyfishtë është Arjeta Bilali, e cila thuhet se prej tre muajsh kishte kontradikta me Bledarin, madje marrëdhëniet e tyre ishin ftohur derisa nxitën 25-vjeçaren të kryente krimin e rëndë. Megjithëse komshinjtë e familjes Bilali deklarojnë se çifti kishte marrëdhënie mjaft të mira me njëri-tjetrin, ka nga ata që thonë se prej tre muajsh dy të rinjtë nuk shkonin aq mirë si muajt e parë, kohë kur kanë mbërritur në qytetin e varfër të Bulqizës. r.d/h.p
Gjenden dy maska në banesë
E reja e fundit që vjen nga grupi hetimor është fakti se në dhomën e çiftit Bilali janë gjetur një automatik, një pistoletë dhe dy maska, të cilat nuk thuhet nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. Ato tashmë janë sekuestruar nga policia si një provë e dobishme për hetimet e mëtejshme. Bledar Bilali kishte një sërë precedentësh penalë, ndërsa ishte shoqëruar disa herë për armëmbajtje pa leje. Policia konfirmon se arma ishte në pronësi të 28-vjeçarit dhe jo e dëshmitarit që u ndodh në vendin e krimit.
Gruaja i provoi besnikërinë
Dy muaj më parë, tregojnë kolegë të Bledarit, ky i fundit kishte "provuar" besnikërinë e gruas diku në periferi të qytetit. Pasi i kishte hequr tinëz fishekët pistoletës së mbante me vete vazhdimisht, i kishte thënë asaj të gjuante mbi dikë që ai ia serviri asaj si hasmin e tij. Arjeta ka marrë pistoletën dhe pasi ia ka drejtuar personit që Bledari e konsideronte si "armikun"e tij ka "qëlluar" mbi të. Por arma nuk kishte fishekë dhe kjo ishte thjesht një lojë e Bilalit për të provuar besnikërinë e gruas së tij, por që vetë ajo i shkaktoi vdekjen.