I përkushtuar në vetmi
Aleksandër Sollzhenicini, që vdiq në Moskë të dielën, në moshën 89-vjeçare, mishëronte dramën shumëvjeçare të stalinizmit: përndjekjet, vuajtjet, censurën, dhunën shtetërore, talentin kokëfortë që i kundërvihej pushtetit arbitrar. Që prej vitit 1962, kur vepra e tij “Një ditë e Ivan Denisoviçit” u botua në Bashkimin Sovjetik, e deri tek çmimi “Nobel” më 1970-ën e më tej, Sollzhenicini ndërtoi një monument letrar të rrallë, në përpjekje për të kuptuar gërryerjen njerëzore të diktaturës.
Lindur në Kislovodsk, “fëmijë i revolucionit bolshevik,” Sollzhenicini studioi shkenca ekzakte në Rostov dhe u aktivizua në Luftën e Madhe Patriotike kundër Gjermanisë naziste. Edhe pse i dekoruar për shërbimin e tij, u arrestua në fillim të vitit 1945, për shkak të një letre ku akuzohej se tallej me Stalinin. Çfarë ndodhi më tej, ishte një kalvar i njohur për miliona bashkatdhetarë. Filloi udhëtimi i tij i gjatë nëpër stacionet çnjerëzore të një sistemi ndëshkues që shtrihej deri në cepat më të acartë e të humbur të Bashkimit Sovjetik.
Gulagu, siç quhej administrata e kampeve të punës, ishte një botë e errët, e panjohur, e mbushur me intelektualë të rrëzuar, poetë, këngëtarë, zyrtarë e të mjerë të thjeshtë që kishin rënë viktima ndreqjesh hesapesh. Ishte një burokraci e dhunshme, por dembele, që shfrytëzonte punën e dhjetëra-milionë të internuarve, të cilët transferoheshin në heshtje nga njëri kamp në tjetrin.
“Një ditë e Ivan Denisoviçit” u botua në vitin 1962 në të famshmen “Novi mir”. Leja erdhi direkt nga Hrushovi. Efekti i librit ishte i mahnitshëm: numrat e revistës u shitën brenda ditës dhe kopje të zbehta të librit filluan të qarkullojnë nëpër duar. Libri përshkruan një ditë të vetme në jetën e një të burgosuri me emrin Shukov, që si “zekët” (të burgosurit) e tjerë rreth tij, lufton për të mbijetuar në një botë pune fizike të detyruar dhe urie të vazhdueshme.
Sollzhenicini nuk kursen asnjë detaj të rutinës mbytëse të jetës në kamp, por ai vë në pah edhe rrezet e vetmuara të humanizmit që dalin papritur në mes të vuajtjes. Edhe mes shqiptarësh, Sollzhenicini ishte rreptësisht i ndaluar, por pjesë e një realiteti të njohur. “Në këtë libër”, shkruante Visar Zhiti në parathënien e botimit shqip të “Një ditë e Ivan Denisoviçit” në vitin 1992, “gjejmë dhe logjikën e palogjikshme të burgut shqiptar, llahtarin e turpshëm dhe dialogët dëshpërimisht të njëjtë. Intimitetet po ato: luga e fshehur në çizmet e çara”.
Hapja nën Hrushovin ishte e përkohshme. Mënjanimi i tij në hierarkinë partiake solli një frymë censure të re, ku u përfshinë edhe sulme kundër Sollzhenicinit. Ky i luftoi hapur përpjekjet për ta heshtur, duke përfituar edhe nga mbrojtja e shkrimtarëve të njohur në Perëndim. Vendosi të mos udhëtonte për të pranuar çmimin “Nobel” në 1970-ën, me frikën se nuk do ta linin të kthehej në atdhe. Në 1974 u arrestua sërish, por këtë herë u dëbua nga Bashkimi Sovjetik. Pas një periudhe në Gjermani, vendoset në Shtetet e Bashkuara.
Vepra të tjera, si “Pavioni i kancerozëve” apo tre vëllimet masive mbi Gulagun stalinist, e radhitën përfundimisht në listën e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit.
Vëllimet mbi Gulagun rrëfejnë në detaje marramendëse, tmerrin e burgjeve dhe kampeve, me një ndershmëri që do të vërtetohej edhe pas kolapsit socialist dhe hapjes së arkivave. Sollzhenicini gërmon në terrenin e kampeve, në marrëdhëniet e vështira mes “politikëve”, (armiqve të sistemit dënuar me akuza të trilluara) dhe “kriminelëve” (përzierje njerëzish të pafat me hajdutë e vrasës ordinerë). Sa më e qartë bëhet kjo botë e mbyllur me tela me gjemba, aq më shokues bëhet paraleli me shoqërinë jashtë tyre.
Në Perëndim, Solzhenicini zgjoi si admirim edhe mëdyshje, madje edhe përbuzje. Jo të gjithë simpatizantët e komunizmit lindor në Perëndim ishin gati të përballeshin me tablonë mizore të Gulagut stalinist. Kritikat e tij përkundrejt SHBA-së dhe jetës “dekadente” në Perëndim, ishin të ashpra. Figura e tij, që edhe në trup mishëronte vuajtjen ruse, nuk e pranonte lehtë veshjen klishé të heroit. Disa zëra, madje, e cilësuan një nacionalist të pandreqshëm apo një sllavofil të bindur. U akuzua edhe si antisemit. Besimtar i përkushtuar në vetminë e tij, Sollzhenici shihte me dyshim të thellë tranzicionin rus dhe paralajmëronte për një rënie shpirtërore të thellë e gjithëpërfshirëse.
Edhe pas kthimit në Rusi, preferoi të mos merrej me politikë. Shpresonte për një ringjallje të madhe të shpirtit rus, edhe pse indiferenca ndaj tij - si dhe ndaj marrëzisë kriminale të sistemit që e dënoi, në Rusi, por edhe më gjerë - është gjithmonë e më shumë në rritje.
*Department of History / Princeton University, USA