Arsye të tjera për ndryshimin e një emri
Emri është vetëdije dhe emërtimi një prej riteve më të rëndësishme, në mos i shenjtë. Dhe jo pa qëllim. Sepse të emërtosh diçka, do të thotë ta kontrollosh atë. Në rastin e institucioneve, shkollave a universiteteve publike, ky rit është kthyer në traditë, sepse emri pasqyron kombin, shtetin, qytetin, krahinën a fshatin që ka në pronësi institucionin.
Pa një vetëdije personale, familjare, shoqërore e qytetare, njeriu nuk mund të jetë i vetëdijshëm as në shkallë kombëtare, dhe pa këtë të fundit, ai është i pavetëdijshëm edhe ndaj mjedisit që e rrethon, botës mbarë. Prandaj, një rrugë a autostradë, p.sh., do të bëhej më kuptimplote, më e dashur, më e mirëmbajtur nëse emërtohej Rruga e Luleve, e Mollëve, e Shegëve, e Dardhëve, e Pemëve. Një gjë e tillë do të zgjonte vetëdije, dhe nëse pemë nuk kishte në anë të rrugës, për të përligjur emrin, ato do të mbilleshin dhe pluhuri do të zhdukej. Kështu kanë vepruar shumë vende që sot dallohen për mjedise, parqe, lulishte me bukuri mahnitëse, ku shpesh vetë kalimtarët kujdesen për to. Arsyeja për të krijuar këtë frymë a vetëdije ka bërë që edhe prirjet për emërtimin e institucioneve publike të marrin sot drejtime që pasqyrojnë ndryshime në kulturë, sjellje e mendime.
Sipas statistikave në SHBA, Shteti i Floridës ka gjithsej 3 mijë shkolla publike dhe nga këto vetëm 5 mbajnë emrin e Xhorxh Uashingtonit. Parë nga ky kënd, Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara renditet i fundit, krahasuar me 11 shkolla që mbajnë emra kafshësh, 54 emra palmash, 91 emra pyjesh dhe 155 emra liqenesh. Një pasqyrë e ngjashme vihet re edhe ne shumë shtete të tjera amerikane. Statistikisht shumë shkolla amerikane kanë filluar ta braktisin praktikën e emërtimit të shkollave të reja me emra presidentësh, heronjsh a udhëheqësish shoqërorë. Ato tani parapëlqejnë t’i referohen florës dhe faunës, natyrës, për emra që i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj çështjeve e problemeve të ngutshme për zgjidhje, siç janë ruajtja e mjedisit dhe gjelbërimit. Motoja e tyre është: “Jepuni njerëzve mundësi e kushte dhe ata do të mendojnë ndryshe”.
Një rast tjetër është ai i Bashkisë së Nju Orleansit në Luiziana, ku ka mëse 10 vjet që asnjë shkollë nuk lejohet të marrë emrin e ndonjë personaliteti historik që ka mbajtur skllevër, duke skualifikuar kështu edhe emrat e Xhorxh Uashingtonit e Tomas Xhefersonit. (Gjithashtu, ka institucione që për t’u bërë ballë pakësimeve buxhetore kanë propozuar që t’ua shesin të drejtën e emërtimit korporatave).
Por neutralizimi i emrave të institucioneve publike është vetëm një pjesë e çështjes, sepse, sipas një studimi të Institutit Kërkimor të Manhatanit, çdo përpjekje për të rinxitur misionin qytetar të shkollave publike do nxisë edhe ndryshime të gjëra kulturore.
Kështu pra, që një universitet sot del me propozimin për të mbajtur emrin e qytetit, si ai i Vlorës, duke ia lënë emrin e Ismail bej Qemalit mbarë kombit të nderohet, duhet parë më shumë si një prirje bashkëkohore e pashmangshme, që tregon se ndryshimet, në këtë rast ato kulturore, po fillojnë të japin fryte dhe se intelektualët e rinj duket se mendojnë se për të qenë shtetas i mirë e patriot, individi fillimisht duhet të mësohet, aty ku banon, të jetë qytetar i mirë.