E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pezullohet licenca Universitetit Kristal

Vendimi është marrë pas kërkesë së bërë nga Ministria e Arsimit. Vendimi i pezullimit përfshin të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë.

“Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron. Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndërkohë, për studentët aktual studimet do të mundet të vazhdojnë sipas kohëzgjatjes normale.“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë. Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet më tej në vendim.

Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Hetimet për Universitetin Kristal nisën pas zbulimit nga prokuroria italiane që djali i Umberto Bossi-it, ish-liderit të Lega Nord, kishte një diplomë shqiptare. Hetimet e më pasme treguan se Renxo Bossi nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri dhe nuk dinte as gjuhën shqipe. Prokuroria ka sekuestruar dokumente në universitetin në fjalë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-23 15:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›