E Shtunë, 31 Tetor 2026

I piri qëllon me armë drejt banesës, plagos dy gra

07/01/2009  Kushëri me viktimat, kishin konflikt për një copë arë

DURRES- Dy femra janë plagosur me armë zjarri teksa ato darkonin në banesën e tyre në fshatin Rubjekë. Nurie Koçi 57 vjeçe dhe Majlinda Kërtalla 28-vjeçe kanë qenë viktimat e të shtënave që kanë dalë nga një pushkë 20-she. Zjarri ka ardhur nga jashtë banesës dhe policia ka akuzuar dy persona, njëri prej të cilëve është kushëri me familjen e ndëshkuar. Ramazan Koçi, 27 vjeç edhe ai nga fshati Rubjekë i komunës së Maminasit është akuzuar për veprën penale të plagosjes së rëndë, armëmbajtjes pa jele dhe në kohën e shoqërimit për në polici edhe për kundërshtim e fyerje të efektivave blu. Gratë e plagosura janë dërguar në spitalin rajonal të Durrësit dhe i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa autori, si dhe personi i dyshuar se ka dhënë ndihmë për fshehjen e armës së krimit, janë prangosur në mëngjesin e djeshëm. Ngjarja ka ndodhur në Rubjekë të komunës së Maminasit rreth orës 22.30 të së hënës teksa familja e shtetasit Gëzim Koçi po darkonte. Burime policore kanë deklaruar se në drejtim të shtëpisë është qëlluar me armë zjarri, pushkë 20-she dhe se nga të shtënat kanë marrë plagë në këmbë, dorë dhe në ije e zonja e shtëpisë Nurie Koçi, ndërsa Majlinda Kërtalla është plagosur në shpatull. Policia ka akuzuar shtetasin Ramazan Koçi 27 vjeç, i cili është kushëri me familjen e Gësim Koçit. Burimet policore, të cilat e kanë konfirmuar me shumë vonesë autorin e krimit kanë pohuar se 27-vjeçari që është djalë i xhaxhait të Gëzim Koçit ka qenë i alkoolizuar dhe në vendin e ngjarjes ka qenë i shoqëruar nga Subiu Brika 23 vjeç. Oficerët e policisë gjyqësore kanë thënë se sherri mes kushërinjve ka ndodhur disa herë dhe se shkak ka qenë një tokë arë për të cilën ata kishin mosmarrëveshje. Së bashku me të prangosurit janë shoqëruar në polici edhe dy pjesëtarë të tjerë të familjes së autorit të akuzuar për plagosjen e rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë momentit të arrestimit, familjarë të të arrestuarve pikërisht, Hasam Koçi, 54 vjeç si dhe Elvis Koçi 23 vjeç, kanë kundërshtuar dhe fyer për shkak të detyrës punonjës të policisë së komisariatit Shijak, gjatë kohës që po kryenin shoqërimin e autorëve të ngjarjes në policinë e Durrësit. Mbi këta dy shtetas, efektivat e policisë kanë ngritur akuzën e "Kundërshtimit dhe fyerjes për shkak të detyrës të punonjësit të policisë ".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›