E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, përplaset me mjetin autobusi me nxënës

07/01/2009  Plagosen 7 fëmijë dhe shoferi

FIER- Një autobus që transportonte nxënës shkolle është bërë objekt aksidenti. Autobusi i markës Fiat me targa të Fierit ka qenë duke udhëtuar nga qyteti i Patosit për në drejtim të Fierit. Në brendësi të automjetit gjendeshin më shumë se 45 fëmijë, të cilët ndjekin një nga shkollat jopublike të Fierit. Aksidenti në fjalë ka ndodhur në afërsi të kthesës së Portëzës, e cila njihet si aks rrugor tepër problematik dhe i vështirë. Drejtuesi i autobusit mësohet se është përplasur me një automjet tip Nissan me targa të kryeqytetit dhe si pasojë e përplasjes ka pasur dëmtime të mëdha në të dy automjetet, por kryesisht në autoveturë. Kështu, pas përplasjes së fuqishme kanë mbetur të plagosur personat që gjendeshin në brendësi të autoveturës si dhe disa nxënës që ishin ulur në pjesën e përparme të autobusit. Një përplasje në kokë ka pësuar një nxënës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, e ndërsa burime nga policia bëjnë të ditur se 6 fëmijë të tjerë kanë marrë plagë të lehta dhe janë kuruar në spitalin rajonal Fier. Ndërkohë të gjithë nxënësit që udhëtonin në autobus kanë pësuar traumë psikologjike, si pasojë e përplasjes. Aksidenti në fjalë ka dëmtuar edhe 30-vjeçarin, drejtues i autoveturës me targa të Tiranës, si dhe prindërit e tij, të cilët ishin nisur për në Gjirokastër. Policia e qarkullimit rrugor që mbërriti në vendin e ngjarjes disa minuta pas përplasjes ka bërë të ditur se shkak i përplasjes ka qenë rrëshqitja e mjetit Nissan, e ndërsa gjithçka është favorizuar nga terreni i mbuluar nga ngricat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›