E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora e ngrica pengojnë nisjen e trageteve

07/01/2009  Udhëtarët e ardhur nga veriu dhe Kosova kanë shtyrë nisjen me më shumë se 4 orë

DURRES- Gjashtë tragete janë bllokuar në rad me urdhër të Kapitanerisë së përgjithshme të Porteve për të pritur udhëtarët që vinin nga veriu i vendit, Kosova dhe Maqedonia. Telefonata të shumta në kapitaneri si dhe tek agjencitë e udhëtimeve ka shtyrë autoritetet portuale në Durrës të ndërhyjnë për të shmangur kaosin në bileta dhe lundrime. Bora dhe ngrica në disa nga segmentet kryesore të vendit tonë dhe përtej kufijve ka shtyrë mbërritjen e udhëtarëve nga zonat e thella për më shumë se 3 orë dhe përpunimi i tyre ka nisur me më shumë se 4 orë vonesë. Gjashtë tragete, të cilët kishin në bord mbi 8 mijë udhëtarë si dhe mbi 2.350 automjete janë nisur nga pori i Durrësit në të zbardhur të ditës së martë. Tragetet duhet të nisnin lundrimin në ora 23:00, por për shkak të mungesave të shumta kapitaneria ka bllokuar dokumentacionin e tragetit duke detyruar ekuipazhin të presë udhëtarët. Të prekur nga kjo shtyrje e lundrimit kanë qenë vetëm tragetet e linjës së Barit, port që pret dhe përcjell fluksin më të madh të emigrantëve tanë në vendet perëndimore. Burime nga autoriteti portual dhe policisë kufitare bëjnë më dije se vonesa e autobusëve të nisur nga qytetet si Prishtina, Peja, Gilani, Prizreni, Gjakova, Shkupi, Tetova kanë ndeshur në rrugë me bore të madhe dhe akull. Emigrantët kanë qenë të kujdesshëm në kohën që kanë hyrë në portin e Durrësit, pasi para se të udhëtonin për festimin e vitit të ri në familje kanë regjistruar numrin e telefonit të bërë publik në shumë kënde në terminalin e udhëtarëve. Kjo ka mjaftuar për të vendosur lidhje me portin dhe kapitanerinë, ndërkohë që autoritetet e këtyre të fundit kanë ushtruar të gjitha funksionet për të organizuar pritjen e udhëtarëve në mesditë, ndërsa të gjashtë të tjerëve në mesnatë.

Regjistrohet viktima e parë

Moti i keq, ende të bllokuara disa komuna

Sipas zërave zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në qarkun e Kukësit, të gjitha akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme e po kështu edhe pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Kukësin me komunat, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Përjashtim bën aksi Kukës-Shishtavec, i bllokuar për shkak të ortekëve dhe rrëshqitjes së skarpateve. Vazhdon puna për hapjen e rrugës Kukës-Dajreç, e hapur deri në fshatin Domaj dhe është mundësuar lidhja me aksin B. Curri- Qafë Luzhë-Bytyç-Krumë.

Vijojnë të mbeten të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Kalisë, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe Arrën. Në Tropojë mbetet e bllokuar komuna Lekbibaj. Në rrethin e Matit mbetet e bllokuar komuna Xibër dhe po punohet për hapjen e rrugës. Po kështu po punohet për hapjen e rrugëve për në komunën Trebisht të Bulqizës dhe për në komunat Reç, Selishtë e Lurë të rrethit të Dibrës. Në qarkun e Elbasanit ka probleme vetëm në rrugët që lidhin disa komuna me fshatrat Rrajcë, Stërblevë dhe Orenjë. Në të gjithë qarkun e Korçës rezulton se pothuajse të gjithë akset e rrugëve janë të kalueshme. Në qarkun e Lezhës po punohet për zhbllokimin e aksit Rrëshen-Kurbnesh-Lurë dhe Rrëshen-Kaçinar, ndërkohë të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme. Dje janë shpërndarë ndihma (ushqime, veshmbathje) me helikopter në disa komuna të veriut dhe verilindjes së vendit. Drejtoria Rajonale e Rrugëve Rurale të Qarkut të Shkodrës, në bashkëpunim me pushtetin vendor, po zhvillon një sërë aksionesh për zhbllokimin e akseve rrugore të zonave malore. Drejtori i kësaj drejtorie, Gjovalin Kodra bën të ditur se gjatë këtyre ditëve ndërhyrjet janë përqendruar kryesisht në akset më problematike rurale të zonës së Dukagjinit e Shllakut të rrethit Shkodër, të Vermoshit në Malësi të Madhe, si dhe të zonës së Krrabit në rrethin e Pukës. Aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për kthimin në të kalueshëm të 18 akseve rrugore malore të tre rretheve të qarkut Shkodër. Ndërkohë ngricat në veri të vendit kanë shkaktuar dhe viktimën e parë. Burimet policore shprehen se, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm është gjetur i vdekur në periferi të qytetit Pukë, shtetasi 46-vjeçar Agim Kuka, lindur e banues në qytetin e Pukës. Mësohet se ai po kthehej nga disa miq teksa ka rrëshqitur në rezervat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›