I plagosuri: Çeliku mbuloi gjithçka si llavë
Nga shtrati i spitalit Veli Shypheja ka treguar tmerrin e kaluar mes flakëve pas shpërthimit të furrës së shkrirjes
ELBASAN- Një prej të plagosurve të shpërthimit të dy ditëve në parë në mjediset e ish-kombinatit metalurgjik në Elbasan ka rrëfyer dje tmerrin e kaluar mes flakëve. Edhe pse me shumë djegie e dëmtime të tjera në trup, Veli Shypheja ka treguar se është zvarritur mes flakëve për të dalë i gjallë nga salla e tmerrshme e shpërthimit. "Dritat u ndërprenë ndërsa çeliku mbuloi të gjithë territorin si llavë. Ishte e tmerrshme, llava dogji ata që kishte më afër dhe unë për fat të mirë shpëtova",- ka rrëfyer i plagosur. Ai ka akuzuar shitësit e skrapit që vendosin gjithçka mes hekurishteve, vetëm e vetëm për të fituar pak në peshë.
Zoti Veli, në çfarë pozicioni ishit kur ndodhi shpërthimi?
Unë punoj si operator tek roboti. Në ato momente, unë sapo i hodha koshin e fundit furrës dhe u futa në kabinë. Më pas nisëm punën me oksigjen që të që të shkrinim metalin brenda furrës, gjithçka shpërtheu. Ishte një shpërthim i menjëhershëm dhe tepër i fuqishëm. I gjithë territori i çelikut u spërkat me llavë. Nuk dinim se ku ishim pasi u ndërpre edhe energjia elektrike. Ishte errësirë dhe shumë frikë.
Si arritët të dilnin nga vendi pasi ndodhi shpërthimi?
Dola këmba-dorazi nga kabina ku isha dhe më pas u zvarrita nëpër sallë duke kërkuar daljen. Jam zvarritur vetë deri sa dola tek ambulanca. Aty kërkova ndihmën mjekësore që ma dhanë në çast. Më pas më dërguan në spitalin e Elbasanit, ku ndodhem edhe sot. Por ndihmën e parë e mora në vendin e ngjarjes. U leva me krem dhe këtu më filluan mjekimin intensiv.
Po për kolegët mësuat gjë?
Kur isha pak më mirë, më thanë se Xheviti kishte vdekur dhe se Veliu ishte dërguar në Tiranë. Kushdo mund të kishte pasur të njëjtin fat. Punonim bashkë prej vitesh afër furrës. Duhet të ishte e sigurt nuk di si ndodhi. Llava i kapi ata që ishin më afër aty. Dhe ndodhi ajo që ndodhi.
Cili mendoni se është shkaku i shpërthimit të furrës?
Mendoj se shpërthimi ka ndodhur për dy arsye. Ose ndonjë predhë e dimensionit të madh ose ndonjë enë me ujë, enë me presion quhen . Enët me ujë janë shumë të rrezikshme. Një shoku jonë vdiq, një është në gjendje të rëndë të tjerët të plagosur. Shpresojmë që tani të merren masa të kontrollohet skrapi më parë. Furra mendoj se ishte e sigurt se me atë kemi punuar.
Kush është përgjegjës për sa ndodhi?
Por fajin e kanë ata që sjellin skrapin pasi abuzojnë me peshën duke i futur ujë që të rrisin tonazhin. Fitojnë pesë mijë lekë të vjetra dhe na vrasin ne dhjetë veta. Është gjynah se nuk vritet njeriu për pesë mijë lekë më shumë. Them se do të merren masa nga firma dhe nga shteti për të mos lejuar që gjëra të tilla të përsëriten më.
Hetimi ka nxjerrë fajtorë përgjegjësit e furrës, 2 turq e 1 shqiptar. Uzina rrezikon mbylljen për mosplotësim të kushteve
Shpërthimi, policia arreston tre përgjegjësit e furrës
ELBASAN-Shpërthimi i fuqishëm i regjistruar dy ditë më parë në një prej furrave të ish-metalurgjikut në Elbasan mendohet se ka ardhur si pasojë e një avarie në makinë. Dy ditë pas ngjarjes hetuesit duket se kanë shmangur pistën e shpërthimit të predhës duke akuzuar përgjegjësit e furrës për neglizhencë në detyrë. Sipas tyre, shpërthimi mendohet se erdhi si pasojë e një avarie të regjistruar në furrën kryesore në momentin final të derdhjes së çelikut të shkrirë. Nisur nga këto të dhëna policia e Elbasanit ka arrestuar tre përgjegjësit e furrës, Murat Xhemal Filiz, 33 vjeç, me shtetësi dhe kombësi turke në detyrën e mirëmbajtësit të makinerive të fabrikës, Afem Unlu, 47 vjeç,me shtetësi e kombësi turke në detyrën e përgjegjësit të furrës së shkrirjes ku edhe ka ndodhur ngjarja dhe Engjëllush Zaimi, 47 vjeç, me banim në Elbasan me detyrën inxhinier i sigurimit teknik për fabrikën. Tre të arrestuarit akuzohen se kanë neglizhuar kontrollin periodik të Furrës duke lejuar që të ndodhte edhe ngjarja e rëndë.
Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale që janë kryer nga përfaqësues të prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan dyshohet se janë shkelur rregullat e sigurimit teknik të përcaktuara në rregulloren e fabrikës. Sipas policisë, nuk janë marrë masat për mirëmbajtjen e makinerive të fabrikës, mirëmbajtjen e furrës e kontrollin periodik të saj dhe nuk janë kontrolluar rregullat e sigurimit në punë për punonjësit e kësaj fabrike.
Hetimet janë përqendruar në një neglizhencë për mirëmbajtjen e furrave duke lejuar që në sistem të futet lagështirë dhe për pasojë kontakti të shkaktojë shpërthimin e fuqishëm. Gjithsesi policia e Elbasanit në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor në Elbasan kanë kërkuar ekspertë metalurgë, ekspertë xhenierë, ekspertë kriminalistë të cilët kanë mbërritur mbrëmjen e së hënës duke iu bashkuar grupit hetimor të ngritur për këtë qëllim. "Aktualisht në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, përfaqësues të prokurorisë së rrethit dhe policisë së qarkut me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave. Lidhur me shkaqet e aksidentit po punojnë dhe ekspertë metalurgë, ekspertëve xhenierë të ardhur dhe nga Tirana, ekspertë të kriminalistikës",- thanë burimet zyrtare të policisë lokale. Por tre të arrestuarit për të cilët prokuroria pritet të vendosë edhe masën e ndalimit nuk janë të vetmit të hetuar. Sipas të dhënave të para nga hetimet nën akuza janë edhe drejtues të Kompanisë "KURUM".
***
Kjo ngjarje është ndjekur edhe nga inspektoriati shtetëror i punës, i cili ka mbajtur procesverbalet përkatëse. Paralelisht katër grupe hetimi nga Prokuroria, policia, ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë si dhe ekspertët metalurgë dhe xhenierë të ngarkuar për të zbardhur shkaqet e tragjedisë kanë qenë në vendin ku u regjistruar shpërthimi i fuqishëm. Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe Inspektorët e inspektoriatit të punës. Përgjegjësja e këtij Inspektoriati, Etleva Kënuti, tha se po hetohen të gjitha mundësitë dhe po kështu po verifikohen kushtet e sigurisë në punë. "Në rast se do të konstatohen shkelje të rënda atëherë ne do të propozojmë mbylljen e Uzinës së Shkrirjes së Çelikut deri në plotësimin e parametrave optimalë të sigurisë në punë",- tha Kënuti. Bardha Nergjoni
Viktima e 29 në Çelik
Edhe pse kishte arritur moshën e pensionit, ai kishte vazhduar punën e nisur 35 vite më parë në metalurgji
Nergjoni i kishte shpëtuar dy shpërthimeve të tjera
Xhevit Nergjoni nuk është viktima e parë në furrën e shkrirjes. Ndër vite në këtë furrë kanë humbur jetën rreth 29 persona. Ai kishte punuar aty 35 vjet pa ndërprerje dhe megjithëse kishte mbushur moshën e pensionit kishte vazhduar punën. Pas një sërë kualifikimesh ai ishte vendosur përgjegjës turni dhe detyrën e kontrollit të sistemit të prodhimit e ushtronte vetë për shkak të eksperiencës së gjatë në punë. I vetmi që ka qenë shumë afër furrës në momentin e shpërthimit, i vetmi që ka përfunduar totalisht i karbonizuar. Një prej të afërmve që punonte krah tij në "Kurum" ka arritur ta njohë vetëm nëpërmjet këpucëve pasi trupi ka qenë i karbonizuar nga shpërthimi i llavës së nxehtë. Xhevit Nergjoni, baba i tre fëmijëve, ishte rikthyer në punë dhe është vendosur në sektorin më të vështirë dhe më të rrezikshëm, atë të furrnaltës kryesore të çelikut. Ai, së bashku me sindikalistë të tjerë, kishte kërkuar jo shumë kohë më parë kushte më të mira pune, siguri dhe pagë më të lartë. Viktima paguhej me 45 mijë lekë të reja në muaj përfshi edhe dietat që punëtorët duhet të marrin ndërsa një punëtor turk merr 1.2 milionë lekë të vjetra në muaj dhe në pozicion shumë më komod. Disa herë familjarët i kishin kërkuar që të largohej nga puna pasi ai ishte dëmtuar edhe dy herë të tjera po si pasojë e shpërthimeve. Vite më parë kishte pësuar një dëmtim në këmbë dhe një dëmtim më pas në shpatull. Shpërthimi i tretë i ka kushtuar jetën në mënyrën më makabre të mundshme duke u djegur i gjallë. B.N
Varrimi
Dy djemtë dhe vajza e tij që jetonin përkohësisht si emigrantë në Greqi janë kthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm sapo kanë mësuar lajmin tragjik të vdekjes së babait të tyre. Ndërsa pritej dasma e djalit të madh, familjen Nergjoni e ka gjetur një tragjedi. Fëmijët kanë mësuar lajmin nëpërmjet mediave në Greqi dhe më pas kanë zhurmuar telefonat për të pyetur se çfarë kishte ndodhur. Xheviti për fatin e keq të tij ishte në turnin e radhës dhe në pozicionin më të keq të mundshëm shumë afër furrës. Në ceremoninë mortore të punëtoritmorën pjesë edhe qindra punëtorë të "Kurum", të cilët janë bashkuar me dhimbjen e familjes Nërgjoni. Rreth orës 14.00 familjarët me lot në sy kanë përcjellë për në varrezat e fshatit Bujqës rreth dy kilometra larg qytetit të Elbasanit trupin e pajetë të Xhevit Nërgjonit, 51- vjeçarit që punoi 35 vjet në Uzinën e shkrirjes së çelikut dhe humbi jetën i karbonizuar pranë furrës kryesore pas një shpërthimi të fuqishëm shkak i të cilit nuk dihet ende. Në varrimin e 51-vjeçarit kanë marrë pjesë edhe drejtues të kompanisë. B.N
Kunati i Xhevitit: Kërkojmë të vërtetën
Ai që ka mundur të flasë për këtë tragjedi ka qenë vetëm kunati i Xhevitit, i cili ka bërë identifikimin në morg. "E kemi njohur vetëm nga këpucët, trupi ishte i karbonizuar, një këmbë ishte e këputur. Gjithçka ishte e llahtarshme. Xheviti kishte mbushur moshën e pensionit por vazhdonte të punonte sepse kishte synim të martonte djalin e të rregullonte fëmijët. Motra ime ka mbetur e vetme. Kërkojmë që të paktën t'i lidhet një pension pasi ai paguante sigurimet shoqërore dhe ishte i rregullt. Vetë firma pas asaj që ndodhi duhet t'i lidhë një pension. Sa për zbardhjen e të vërtetës dhe të përgjegjësve për atë që ndodhi ne do të kërkojmë që kjo të mos mbyllet e neglizhohet. Uzina e çelikut ka marrë shumë jetë njerëzish",- tha kunati i tij. B.N
Presidenti ka vizituar viktimat dhe ka kërkuar nga prokuroria që të nisë hetimet për të gjitha vdekjet në punë
Topi: Pronarët të mendojnë seriozisht për kushtet e punës
ELBASAN- Presidenti i vendit, Bamir Topi, nisur nga tragjedia e dy netëve më parë kur humbi jetën një punëtor dhe u plagosën dhjetë të tjerë mbërriti në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku pesë prej tyre ndodhen ende në reanimacion ndërsa të tjerë në gjendje më të stabilizuar në pavijonin e djegieve pranë këtij spitali. Presidenti Topi, pasi zhvilloi një takim me personelin mjekësor dhe i uroi pacientëve shërim të shpejtë dha edhe një mesazh për përmasat e kësaj ngjarjeje duke e quajtur buletin lufte në kohë paqeje.
"Unë erdha këtu për një mesazh human ngushëllimi për familjen që ka humbur të dashurin e saj dhe për të inkurajuar për një shërim të shpejtë të dëmtuarit e tjerë që ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Dua të përgëzoj këtu personelin mjekësor i cili ka treguar gatishmëri dhe i ka shërbyer të dëmtuarve mjaft mirë. Një mesazh të drejtpërdrejtë do ta jepja për të gjithë ata që sot kanë aktivitete prodhuese në Shqipëri të cilët duhet të mendojnë seriozisht për kushtet e punës për punëtorët. Një mesazh do ta jepja për inspektoriatin e dikastereve të ndryshme pasi për fat keq në kohë paqeje jemi duke marrë dhe duke përjetuar buletine lufte. Çdo ditë dëgjojmë për fat të keq humbje jetësh, aksidente rrugore në miniera në uzina, çka do të thotë që është detyrim që të krijojmë kushte për të evituar tragjedi të tilla pasi lotët pas tragjedive vlejnë pak",- tha presidenti Topi. Më pas ai ka kërkuar nga institucioni i prokurorisë të bëjë hetimet e duhura dhe të zbardhë përgjegjësit duke zbatuar ligjin dhe mbi të gjitha për të krijuar kushte që të parandalojnë tragjedi që në radhë të parë janë për individët janë për familjet dhe më pas për të gjithë shoqërinë. Presidenti Bamir Topi është shoqëruar nga prefekti i Elbasanit Rezart Kovaçi, kryetari i bashkisë Qazim Sejdini si dhe nga drejtori i spitalit Shefqet Deliallisi.
Në spitalin kirurgjik vazhdojnë të mjekohen
Agim Pisha 58 vjeç
Elton Sefa 18 vjeç
Veli Shypeja 57 vjeç
Agim Qosja 60 vjeç
Ednalt Myfiti 26 vjeç
"Nëse një pikë uji, bie në furrë, ku shpërthimi është i barabartë me shpërthimin e një bombole me hidrogjen"
Kurum: Shpërthimi erdhi nga një pikë uji në furrë
ELBASAN- Pas ngjarjes së rëndë të dy ditëve më parë kanë reaguar edhe zyrtarët e shoqërisë KURUM. Kryetari i bordit drejtues në firmën turke të prodhimit të çelikut, Zeki Kaja, tha gjatë një konference për shtyp se shkaku i shpërthimit ka qenë uji që ndodhej brenda skrapit. "Kompania jonë ka marrë të gjitha masat dhe po bën çfarë nevojitet për punëtorët që janë plagosur dhe për familjen e 54- vjeçarit, i cili gjeti dhe vdekjen në këtë ngjarje. Humbja e punëtorit tonë na ka hidhëruar të gjithëve pa masë",- deklaroi Kaja. Teksa ka folur për hetimet që kanë nisur në fabrikën e prodhimit të çelikut në repartin e shkrirjes, Kaja tha se "tashmë në lidhje me shpërthimin kanë filluar hetimet e duhura dhe sipas investigimeve të deritanishme, rezulton se shkak për plasjen mund të ketë qenë uji që ndodhet brenda skrapit, i cili karikohet për shkrirje. Ky është një efekt që krijohet edhe me një pikë të vetme uji, që mund të ndodhet në skrap, ku shpërthimi është i barabartë me shpërthimin e një bombole me hidrogjen". Për sa i përket kushteve teknike, Kaja tha se tashmë kanë nisur hetimet dhe janë specialistët ata të cilët do të japin rezultatet mbas përfundimit të hetimeve. Firma e turke e prodhimit të çelikut " Kurum", ka më shumë se 10 vjet që ushtron aktivitetin e saj në qytetin e Elbasanit dhe të gjithë metalurgët, janë të siguruar nga kjo firmë. Mbas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së hënës, në repartin e shkrirjes është ndërprerë puna për t'i lënë specialistët në këtë fushë, të bëjnë hetimet përkatëse.