E Shtunë, 31 Tetor 2026

I plagosuri kalon rrezikun, pritet marrja në pyetje

ATENTATI PËR PRONAT
Arben Bilali i plagosur të shtunën, ka kaluar rrezikun për jetën në spitalin ushtarak dhe tashmë ndodhet në kujdesin e mjekëve


Hetuesit presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore tij tij, pasi sipas mjekëve, ai nuk është në gjendje të komunikojë shumë gjatë


TIRANE- Pesë ditë pas plagosjes së rëndë me armë zjarri që mori ndërsa pinte kafen me miqtë e tij në qendër të kryeqytetit, Arben Bilali del nga gjendja kalon rrezikun për jetën që i kanosej për shkak të plumbave të marrë në atentatin ndaj tij.


Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të tij iu ka dhënë shpresë hetuesve për identifikimin e atenatit të ndodhur të shtunën në mbrëmje në rrugën "Emin Duraku", në krahun verior të stadiumit "Selman Stërmasi" të kryeqytetit, i njohur edhe me emrin stadiumi "Dinamo".


Përmirësimi i gjendjes shëndetësore të 41 -vjeçarit Bilali, jo vetëm që ka qenë një lajm i mirë për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për krerët e policisë së kryeqytetit, si dhe Zyrën e hetimit të vrasjeve dhe komisariatin e policisë nr.2, që duhet të hetojnë aktin kriminal. Pas këtij zhvillimi të gjendjes shëndetësore të Bilalit, hetuesit janë të gatshëm të marrin dëshminë e të plagosurit rëndë.


Pavarësisht se gjendja e tij ka kaluar rrezikun për jetën dhe ka nisur të stabilizohet, mjekët pohojnë se pacienti nuk është në gjendje të komunikojë në mënyrë të gjatë, apo të japë deklarime.


Kjo për faktin se ai ka pësuar tronditje e për më tepër komunikimi i tejzgjatur i tij me persona të tjerë mund t'i shkaktojë lodhje dhe dobësi fizike të cilat nuk janë të këshillueshme për të. Sipas mjekëve, një veprim i tillë mund të ketë pasoja në gjendjen e tij shëndetësore.


Hetimi


Thuajse një javë pas ngjarjes së të shtunës në mbrëmje, kur Arben Bilali, u qëllua me armë zjarri, duke mbetur i plagosur, hetuesit kanë ngushtuar rrethin e pistave të dyshuara së paku në dy, në atë të një krimi me motive pronash dhe në atë të një krimi pas një grindjeje banale. Si pistë kryesore policia ka renditur atë të një vrasjeje me motive që lidhen me një konflikt pronash në komunën e Dajtit.


Kësaj piste policia i ka mëshuar më tepër e madje mësohet se janë shoqëruar e pyetur persona që kanë lidhje me këtë konflikt, por policia ende nuk ka mundur të konkludojë në persona konkretë mbi të cilët të hedhë dyshimet e saj.


Në pistën e dytë, policia ka renditur atë të një grindjeje të momentit apo që mund të ketë ndodhur atë ditë dhe që mund të ketë pasur motive banale. Nga verifikimi i pistave të tjera, hetuesit kanë arritur në konkluzionin se ato nuk qëndronin si motive për ngjarjen dhe në këtë mënyrë ata i kanë rrëzuar.


Plagosja


Të shtunën në mbrëmje, rreth orës 21:00, Arben Bilali 41 vjeç, banues në rrugën "Irfan Tomini", në Selitë, ishte në një lokal pranë rrugës "Emin Duraku", i shoqëruar nga një mik i tij, ndërsa po pinin një kafe së bashku dhe bisedonin, kur një person u afrua pa pritur duke qëlluar dy herë në drejtim të Bilalit.


Ai mbeti i plagosur rëndë, pasi mori dy plagë në bark dhe në gjoks, duke u rrëzuar. Autori pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes me shpejtësi. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia sekuestroi dy gëzhoja 9 mm që dyshohet se i përkisnin një arme "Bereta", ose "Zastava".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›