Si do administrohen pasuritë e sekuestruara

Vendimi i qeverisë, kryeministri emëron kryetarin, merr nën vartësinë e tij Agjencinë që administron pronat e sekuestruara
Paratë vendosen në një llogari bankare, nëse pronari i saj del i pafajshëm merr të gjithë shumën
TIRANË- Këshilli i Ministrave, pas miratimit të ligjit "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë" i njohur ndryshe edhe si ligji "Antimafia", ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin për mënyrën e administrimit të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
Kështu, në bazë të ligjit "Antimafia" me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, nëse provohet se pasuria e ngritur nga individë të caktuar nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme të tij, ajo pasuri sekuestrohet dhe më pas i nënshtrohet një procesi penal deri në konfiskimin e saj.
Për administrimin e kësaj pasurie, sipas vendimit të gjykatës, ngarkohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara që ndodhet në varësi të Ministrisë së Financave, e cila prej kohësh vuante nga mungesa e akteve nën-ligjore për mënyrën e funksionimit të saj.
Por, me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave, këta të fundit miratuan aktet nënligjore për "Organizimin, Kompetencat dhe Funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara dhe për Përcaktimin e Shpërblimit, të personave të tretë në Administrimin e këtyre Pasurive".
Sipas këtij vendimi, struktura e organika e saj përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit të Financave. Ky i fundit emëron edhe kryeadministratorin e kësaj agjencie.
Ndërkohë, kryeadministratori përcakton listën e ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët do të punësohen si administratorë të këtyre pasurive të sekuestruara e konfiskuara.
"Një herë në vit, kryeadministratori dërgon emrat e administratorëve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila në vendimin e sekuestrimit apo të konfiskimit të një prone apo pasurie ngarkon njërin nga emrat që ndodhen në atë listë për administrimin e saj"-thuhet në vendimin e firmosur nga kryeministri Sali Berisha.
Administratori, sipas vendimit, ka për detyrë të vazhdojë të administrojë pronën apo biznesin e sekuestruar, duke depozituar të ardhurat e mbledhura nga kjo pronë pranë një llogarie bankare, që nëse prona konfiskohet këto të ardhura i kalojnë buxhetit të shtetit, në të kundërtën i kalon pronarit të saj.
Sipas këtij vendimi, administratori përgatit një plan shpenzimesh dhe të ardhurash për pasurinë në administrim të tij, të cilin e dorëzon për miratim te kryeadministratori i Agjencisë. "Administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përfshin (por pa u kufizuar) ruajtjen dhe përdorimin e këtyre pasurive për nxjerrjen e të ardhurave.
Procedurat e mbledhjes dhe të administrimit të të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave"-thuhet në vendimin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave, që pritet të përmirësojë punën e kësaj agjencie që deri më tani ka hasur në mos funksionimin normal të saj.
Gjithashtu, mësohet se çdo administrator do të mbajë dhe të evidentojë të dhënat e pasurisë së administruar. "Shpenzimet dhe të ardhurat nga administrimi i secilës prej pasurive të sekuestruara e të konfiskuara llogariten për kohën gjatë së cilës janë marrë në administrim dhe evidentohen në kartela të veçanta të pasurisë në administrim.
Çdo veprim regjistrohet në bazë të dokumentacionit ligjor përkatës. Në fund të çdo viti financiar, Agjencia përgatit dhe paraqet te ministri i Financave raportin përmbledhës financiar të veprimtarisë. Rregullat e hollësishme për mënyrën e mbajtjes dhe të evidentimit të shpenzimeve dhe të të ardhurave të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave"-thuhet në vendim.