Prokuroria nis "bllokimin" e milionave të krimit
ANTIMAFIA
Organi i akuzës nisi veprimet e bllokimit të pasurive pas miratimit të ligjit të ri
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, konkretisht seksioni i Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale, ka filluar "bllokimet" e para të miliona eurove që dyshohen se janë siguruar nga personat e dënuar, të atyre që janë nën hetim dhe që ndodhen në gjendje të lire, por që dyshohen se janë pjesëtarë të rrjeteve të ndryshme kriminale.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës, që saktësojnë se në zbatim të ligjit "Antimafia" prokuroria ka filluar verifikimin dhe bllokimet e para të milionave euro të personave të ndryshëm. Sipas këtyre burimeve, të gjithë oficerët e policisë gjyqësore që ndodhen pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prej muajsh janë angazhuar në verifikimin e pasurisë së personave të dënuar, hetuar nga ky institucion që pas vitit 2007.
Përveç personave që janë hetuar dhe të dënuar më pas nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafiqe të ndryshme, oficerët po kryejnë verifikimin edhe të pasurisë së personave që dyshohen për akuzat e "pastrimit të parave". Dosje këto që hetohen nga njësitet e task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik të ngritur thuajse në të gjitha Prokuroritë e Rretheve në vend.
Mësohet gjithashtu se pas verifikimit të kësaj pasurie të personave përgjegjës, oficerët i relatojnë dosjet prokurorëve të seksionit të Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prokuror Adnan Xholi, Besnik Muçi dhe Xhevat Hana, të cilët vazhdojnë me procedura dhe kërkesën për sekuestrimin e tyre nga Gjykata.
Pritet që në ditët në vazhdim, prokuroria t'i kërkojë Gjykatës sekuestrimin e dhjetëra milionë eurove të dyshuar si para të siguruara në mënyrë të paligjshme nga persona të ndryshëm, bazuar në ligjin "Antimafia".