E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat doganore për automjetet, BE-ja i kërkon qeverisë heqjen totale



Ervin KOÇI

Heqja e taksave doganore nga qeveria shqiptare për importin e automjeteve të përdorura, është rihapur sërish nga Bashkimi Europian. Institucionet e BE-së kanë përsëritur ditët e fundit presionin e radhës ndaj Ministrisë së Financave për të hequr taksën doganore për automjetet e përdorura të importit. Kjo gjë ka detyruar autoritetet shqiptare që të rishikojnë skemën e taksimit për automjetet e përdorura, edhe pse deri tani ato nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në heqjen e tyre. Prej dy vjetësh ekspertët e BE-së, në takimet që zhvillojnë në Bruksel me zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë ripërsëritur kërkesën e vendosjes së një regjimi të barabartë në aplikimin e taksave. Aktualisht për automjetet që vijnë nga BE-ja, qeveria shqiptare, përmes doganës, aplikon taksa të rënda, që e kalojnë gjysmën e vlerës së automjetit. Një veprim i tillë nuk ndodh me automjetet që blihen dhe shiten brenda vendit, duke u mjaftuar vetëm me një taksë regjistrimi që nuk i kalon 5 mijë lekë të reja, si dhe taksat e zakonshme që paguhen një herë në vit. Por aktualisht një grup pune në MF-ë mësohet se po punon për rishikimin e variantit të aplikimit të skemës së re. Por deri tani qeveria shqiptare jo vetëm që nuk i ka lehtësuar automjetet e importuara nga taksat doganore, por edhe pas presionit të BE-së, ajo po mendon për një postim dhe jo eliminim të taksave.

Skema mashtruese
Financat, kanë zbatuar deri tani vetëm skema mashtruese për postimin apo ndryshimin e emërtimit të taksave doganore për automjetet që importohen nga vendet e BE-së. Kjo ka bërë që këtyre automjeteve jo vetëm që çmimi nuk u ka rënë, por përkundrazi për një pjesë të tyre tarifat janë rritur. Në planet e afërta të qeverisë është zhvendosja e kompetencave nga Doganat te Tatimet, duke ia lënë në dorë organit të drejtorisë që mbulon tregun e brendshëm. Por nga Tatimet konfirmohet fakti se deri tani nuk dihet asgjë rreth skemës së re, përveç faktit se janë në dijeni se masën e re e kërkon BE-ja. Sipas burimeve nga MF-ja, “po mendohet që pagesa e taksës do të zhvendoset nga doganat te tatimet, por ende pa një ide të qartë”. Ndërkohë ekspertë të MF-së, thonë se, “prej një viti e gjysmë, zyrtarët e BE-së, me të cilën diskutohen politikat ekonomike të përafrimit, kërkojnë me ngulm që të vendoset një regjim i drejtë i pagesës së taksave për automjetet. Ose të paguajnë të gjithë, ose të hiqet fare. Ne po shikojmë një nga skemat, që lidhet me pagesën e taksës së Drejtorisë së Transportit Rrugor”.

Pagesa e taksave
Ndërkohë “beteja” mes qeverisë dhe Brukselit lidhet direkt me taksën e ndotjes së makinës, e cila aplikohet në varësi të kapacitetit të motorit dhe vitit të prodhimit. Pra, mësohet se është pikërisht kjo lloj takse që “vret” konsumatorin, ndërsa për BE-në, pak rëndësi ka se çfarë takse aplikon pala shqiptare, sesa trajtimi i barabartë mes shtesave. Sipas njërit nga variantet më të mundshëm është pagesa e taksës së ndotjes së mjedisit, një herë në vit në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor, aty ku paguhen taksat e qarkullit dhe kontrolli i automjetit (kolaudimi). Pra, me futjen në Shqipëri të mjetit të përdorur, dogana aplikon taksën e zakonshme (TVSH, etj.), ndërsa të tjerat të zhvendosen te Drejtoria e Transportit Rrugor. Masa e taksës do të ndahet në vite, duke zhvendosur shumën e lartë dhe paguar me këste, është njëri variant, por problemi qëndron te kategoria e atyre individëve që e kanë paguar një herë taksën e importit, duke rrezikuar ta paguajnë sërish. Dogana që paguhet për automjetet e përdorura të importit konsiderohet tepër e lartë nga konsumatorët, sidomos atyre që kanë makina të vjetra. Vetëm nga ky treg, buxheti i shtetit siguron mesatarisht rreth 20 milionë euro. Kurse për automjetet që shiten dhe blihen në tregun vendas aplikohet një taksë regjistrimi tepër modeste. Pikërisht për këtë “padrejtësi” është ankuar BE-ja, e cila kërkon për të gjithë konsumatorët, ose vendosje takse, ose heqje të saj, pa dallim.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›