E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeparlamentari gjerman: Dhëndrin e kam shqiptar

Dhëndri i kryeparlamentarit gjerman është shqiptar. Vetë drejtuesi i Bundestagut, Norbert Lammert, e ka bërë publik këtë detaj të familjes së tij, gjatë vizitës së zhvilluar në qytetin muze të Beratit.

BERAT/ DILAVER XHELILI

 Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, Lammert ka preferuar të shkojë në këtë qytet, i shoqëruar bashkë me të shoqen, vajzën e tij si dhe ambasadorin gjerman në Tiranë. Sipas tij, qytetin e Beratit e kishte parë vetëm në reklama dhe i kishte pëlqyer shumë, duke e shtyrë për ta vizituar dhe nga rrëfimet e bashkëshortit të së bijës. Ndonëse është cilësuar si vizitë private, Lammert është pritur nga kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi dhe stafi i tij, i cili e ka njohur kreun e Parlamentit të Gjermanisë me historinë dhe kulturën mbi 2400-vjeçare të Beratit. Nasufi i është shprehur Lammert se pas pluralizmit në Shqipëri, Qeveria gjermane ka treguar interesim të madhe për vendin tonë. Madje, ai ka përmendur investimet për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në rajonin e Beratit dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Kryebashkiaku ka përmendur vizitën e ish-kryeministrit të Bavarisë, Shtraus rreth çerek shekulli më parë në Berat, ku që prej asaj kohe është diskutuar mbi mundësitë e ndihmës së qeverisë gjermane për qytetin, ndër më me tradita në vend.
Vetë kryeparlamentari i një prej shteteve më të zhvilluara në botë, Norbert Lammert në fjalën e tij pohoi se: “Përveç interesimit që kisha për këtë qytet, për vlerat e tij të pazëvendësueshme unë kam dhe një lidhje gjaku me Shqipërinë se, dhëndrin e kam nga Shqipëria. Madje, prej tij kam mësuar se dhe detyrimin ushtarak, vite më parë, e ka kryer në Berat”. Duke folur i mrekulluar për bukuritë dhe vlerat e Beratit, Lammert shtoi se burri i vajzës së tij ka pasur privilegj që ka kryer detyrimin ushtarak në një qytet kaq të mrekullueshëm. Ai ka vazhduar në fjalën e tij me konkretizimin e investimeve në vend, ku u shpreh se parlamentarët gjermanë kanë treguar interesim të madh për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, në veçanti për ndërtimin e ujësjellësve dhe rehabilitimin e rrjeteve të tyre.
Bashkia e Beratit për nder të miqve gjermane shtroi një drekë në një pikë turistike në Drobonik.

Vizita e Shtrausit

Në vitin 1984, në vendin tonë mbërriti Kryeministri i Bavarisë, Franz Jozef Shtraus, i pari pushtetar i lartë perëndimor që iu hap porta nga diktatori Hoxha. Siç kanë treguar në një intervistë për gazetën dy djemtë e tij, ata do të kalonin transit nëpër Shqipëri, për të mbërritur në Greqi më pas, me anë të veturave. Me gjithë izolimin e vendit tonë, Shtrausi arriti të zhvillonte takime zyrtare me pushtetarët e lartë si dhe një vizitë në qytetin e Beratit, ku iu rezervua një drekë në zonën e Kalasë. Që në atë kohë, qytetarët beratas krijuan një lidhje të ngushtë me shtetin evropian, ndaj të cilit u hapën dyert vetëm pas rënies së komunizmit në vitin 1990.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›