E Shtunë, 31 Tetor 2026

I rëndësishëm bashkëpunimi rajonal

03/04/2009  Kryeministri në konferencën e donatorëve

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në konferencë mbi “Koordinimin e donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më efiçente. Ai ka tërhequr vëmendjen se vendimtare për shfrytëzimin e donacioneve dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre mbetet koordinimi më i mirë dhe adresimi i tyre në projekte prioritare. Në konferencën e organizuar nga qeveria shqiptare dhe Komisioni Europian Berisha bëri një paraqitje të reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe tërheqjen e donacioneve të huaja etj. “Rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se bazuar në luftën kundër korrupsionit në këta katër vjet buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse”, - tha shefi i ekzekutivit. Berisha tha se bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Ai u shpreh se Shqipëria synon të bashkohet dhe të integrohet plotësisht në Bashkimin Europian dhe proceset integruese kanë qenë dhe mbeten motivi udhëheqës i politikave të qeverisë. Duke vënë në dukje faktin se konferenca mblidhet në një situatë të pafavorshme botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik, kryeministri theksoi se ky takim merr një rëndësi të veçantë, pasi jo vetëm ofron ndihmën bujare të donatorëve, por fton vendet e rajonit të bëjnë çdo përpjekje për një përballje rajonale të parandalimit apo minimizimit të pasojave të kësaj krize.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›