E Shtunë, 31 Tetor 2026

I rezistoi 7 orë RENEA-s, dërgohet në psikiatri

POGRADEC/ Masa e sigurisë për 78-vjeçarin Rexhep Karaj u zhvillua në ambientet e spitalit civil të qytetit

POGRADEC -Në spitalin civil të qytetit është zhvilluar seanca për masën e sigurisë ndaj 78-vjeçarit Rexhep Karaj, i cili më 7 qershor plagosi në kokë me armë automatike bashkëshorten e tij dhe më pas qëndroi 7 orë i ngujuar në banesë, duke qëlluar dy herë ndaj forcave speciale.


I dorëzuar vetëm pas presionit të ushtruar nga forcat RENEA, ish-oficeri u vu në pranga, teksa pas një nate në qeli, në gjendje depresive u shtrua në spitalin e qytetit.


Rreth orës 12:00 të së enjtes, në seancën e masës së sigurisë të zhvilluar në spital, prokurorja e çështjes u shpreh se Rexhep Karaj akuzohej për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje".


Ndërkohë, nga gjyqtari i gatshëm u vendos që 78-vjeçari të shtrohej në spitalin psikiatrik për kurim, bazuar në gjendjen e tij të rëndë psikologjike.


Ndërkohë, 72-vjeçarja Fetije Karaj, e plagosur në kokë, ka qëndruar pranë bashkëshortit, i cili vetëm katër ditë më parë qëlloi ndaj saj për ta vrarë. Çifti është bashkë prej 50 vjetësh dhe gruaja tregon se ata nuk kishin fëmijë.


Lidhur me ditën e ngjarjes, Fetija thotë se ishte faji i saj për gjithë ç'kishte ndodhur, teksa shpjegon se ata kishin disa muaj që ziheshin. Shkak ishte fakti që ajo kur dilte për të bërë pazar e mbyllte të shoqin në shtëpi nga frika. Një ditë para ngjarjes, sipas saj, kur ishte kthyer nga pazari dhe kishte hapur derën, i shoqi e kishte mbyllur nga brenda dhe e kishte lënë katër orë jashtë.


"Mezi e binda të hapë derën. Më këshilloi të mos e mbyllja më me çelës brenda, se nuk ishte i burgosur. I premtova që s'do e mbyllja më, por të nesërmen instinktivisht bëra të njëjtin veprim. Si rrjedhojë, kur hyra në shtëpi, sapo u shfaqa në derë im shoq nisi të qëllojë me automatik. Unë nga korridori u futa në dhomën tjetër dhe pashë se po më dilte gjak pasi diçka më theri në kokë",- rrëfen Fetija.


Ajo thotë se plumbi që e goditi kishte bërë rikoshet, pasi i shoqi nuk kishte qëlluar drejt mbi të. Lidhur me armën, gruaja thotë se e ka gjetur në kazanët e plehrave dhe e mbante në shtëpi prej '97-s. "Mendova se do ishim të mbrojtur.


Dy pleq pa fëmijë, thashë të ruanim kokën. Kemi 50 vjet bashkë, - thotë ajo, teksa vijon se fakti që e mbyllte të shoqin ishte se kishte frikë mos e sulmonte njeri në shtëpi. - Pavarësisht se më qëlloi me automatik, e kam falur atë. Kam një jetë të tërë me të, mbi 50 vjet. Por pleqëria i paska këto lajthitje. Plaku është si fëmija, nuk logjikon shumë", thotë me lot në sy 72-vjeçarja.


Rexhep Karaj ditën e hënë qëlloi të shoqen me armë e më pas i rezistoi forcave speciale për 7 orë duke qëlluar ndaj tyre. Ai u dorëzua rreth orës 15:40, ndërkohë që tashmë i duhet ta kalojë kohën në psikiatri. Mësohet se 78-vjeçari ka punuar si oficer për mbi 30 vjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›