PE, draft për krizën. PS drejt paktit. PD nuk e pranon

Zv.kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE, Viktor Boshtinaru, tha se BE-ja do të ngrijë të gjitha proceset që ka me Shqipërinë, përfshirë edhe ngrirjen e liberalizimit të vizave, në rast se drafti nuk pranohet
BRUKSEL - Hapje e kutive të materialeve zgjedhore dhe ngrirje të kutive të fletëve të votimit deri në një interpretim nga Komisioni i Venecias. Ky është kompromisi i ofruar, Parlamenti Europian dje për dy liderët kryesorë politikë shqiptarë për t'i dhënë fund krizës politike, që ka mbërthyer Shqipërinë që prej gati 10 muajsh.
Kreu i grupit parlamentar të PPE-së, Jozeph Daul, dhe kreu i eurodeputetëve të majtë, Martin Shulz, i kanë komunikuar dje pasdite në telefon dy krerëve të politikës shqiptare, kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, draft-marrëveshjen e plotë për zgjidhjen e krizës, por pa mundur sërish që të marrin pëlqimin e të dyja palëve.
E ndërsa mësohet se nga kreu i opozitës është gjetur gatishmëria për ta pranuar një zgjidhje të tillë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me kreun e mazhorancës, i cili sërish nuk ka dhënë një përgjigje (ekzistenca e një drafti dhe një telefonatë të tillë nuk konfirmohet nga të djathtët), pavarësisht kushtit që i ishte vënë nga ndërkombëtarët për ta pranuar këtë zgjidhje brenda ditës së sotme, pra para se opinioni publik të angazhohej në ndjekjen e kampionatit Botëror të Futbollit që starton sot në mbrëmje.
Drafti
Parlamenti Europian ka përgatitur një draft zgjidhjeje për t'i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri dhe dje pasdite ia kanë paraqitur me anë të telefonit dy liderëve politikë shqiptar, kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, për ta pranuar, por pa gjetur mirëkuptimin e të dyja palëve.
Grupimet kryesore politike të majta dhe të djathta në Parlamentin Europian gjatë një mbledhjeje larg vëmendjes së medias, kanë rënë dakord midis tyre duke përpiluar një draft për zgjidhjen e krizës politike, përmbajtjen e të cilit kreu i eurodeputetëve të djathtë, Joseph Daul, dhe kreu i eurodeputetëve të majtë, Martin Shulz, ia kanë bërë të ditur dje respektivisht Berishës dhe Ramës.
Nga burime pranë selisë rozë u konfirmua se bëhet fjalë sërish për të njëjtin draft që është debatuar edhe më parë. Më konkretisht, drafti i cili përflitet se iu është vënë mbi tavolinë Ramës dhe Berishës, ka në thelb të tij hapjen dhe hetimin e kutive të materialeve zgjedhore nëpërmjet një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ketë shumicë dhe drejtimin e opozitës.
Ndërkohë që për sa i përket kutive të fletëve të votimit mësohet se drafti i hartuar nga përfaqësuesit e dy grupeve kryesore politike në Parlamentin Europian propozon që ato të qëndrojnë të bllokuara deri në një vendimmarrje të komisionit hetimor parlamentar, i cili nga ana e vet në varësi të hetimit të kutive të materialeve zgjedhore mund t'i sugjerojë kryetares së Kuvendit, ose Presidentit që të kërkojë interpretimin Gjykatës Kushtetuese ose direkt Komisionit të Venecias nëse duhen hapur ose jo.
Boshtinaru
Në rast se ky draft nuk do të pranohet nga drejtuesit politikë, atëherë, sipas zyrtarëve të PE-së, Shqipëria do të penalizohet për proces integrues dhe heqjen e regjimit të vizave. Këtë gjë e beri të ditur zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Viktor Boshtinaru.
Sipas Boshtinaru, drafti i hartuar nga Parlamenti Europian kërkon miratimin e dy krerët e forcave politike shqiptare për të arritur në një marrëveshje politike. Nëse arrihet në këtë stad, sipas tij, dy grupet politike evropiane do ta firmosin draftin e zgjidhjes së bashku me Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.
Por, ai specifikoi qartë se nëse hidhet poshtë propozimi i Parlamentit Evropian, atëherë BE-ja do të ngrijë të gjitha proceset që ka me Shqipërinë duke filluar me anëtarësimin e vendit, përfshirë edhe ngrirjen e liberalizimit të vizave. "Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama.
Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj që e di mirë këtë situatë, të dy grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi dhe atë për regjimin e lirë të vizave", - ka thënë Boshtinaru në një intervistë për televizionin Top Channel.
Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin në PE nënvizoi se liderët e forcave politike janë në dijeni të përmbajtjes së draftit që parashikon zgjidhjen, por, sipas tij, gjithçka do të varet nga vendimi që do të marrin secili prej krerëve politikë. Boshtinaru apeloi edhe një herë duke thënë se Rama e Berisha duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të ketë vendi në rast dështimi të marrëveshjes.
"Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian. Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t'u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin dy partitë.
Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje", - u shpreh ai. Ndërkohë, sipas kryetarit të delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, Parlamenti Europian ka bërë gjithçka ka mundur për të dalë nga kjo gjendje politike dhe tani u takon liderëve politikë shqiptarë që të zgjidhin këtë situatë. "Po bëjmë ç'është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së.
Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshje. Ne duhet t'i inkurajojmë e t'i shtyjmë ata me mirësjellje që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq", - ka theksuar Kukan.