E Diel, 1 Nëntor 2026

Bluzat e bardha, në mbrojtje të mjekut që nuk fshehu krimin

PËRDHUNIMI/ Mjekët e Elbasanit kanë realizuar një grevë 1-orëshe në urgjencë, duke kërkuar lirimin e mjekut kirurg Alban Hoxha të arrestuar mbrëmjen e së mërkurës


Mjeku zbuloi se mbi një 6-vjeçar rom ishte ushtruar dhunë seksuale, por nuk njoftoi policinë për ngjarjen e ndodhur ashtu siç e parashikon ligji


ELBASAN - Mjekët e Elbasanit në qendrën spitalore "Xhafer Kongoli" kanë ndërprerë shërbimet për një orë në shenjë proteste kundër arrestimit të mjekut kirurg Alban Hoxha, i cili u vu në prangat e policisë me akuzën e moskallëzimit të krimit.


Bluzat e bardha të Elbasanit nëpërmjet kësaj protestë dhe një deklarate për shtyp kanë shprehur indinjatën për masën ekstreme të ndërmarrë ndaj mjekut në fjalë duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.


Ndërkohë nga ora 12:00 - 13:00, urgjenca e spitalit të Elbasanit nuk ka funksionuar për shkak të kësaj greve. "Nisur nga arrestimi i bërë dje gjatë shërbimit të rojës në kirurgjinë e Elbasanit ndaj mjekut kirurg Alban Hoxha nën akuzën e "moskallëzimit të krimit", stafi i qendrës spitalore Elbasan i mbledhur mëngjesin e djeshëm ka dënuar dhe është ndier i indinjuar për masën e rëndë ekstreme të arrestimit të mjekut nga prokuroria.


Ne si staf ndihemi të kërcënuar gjatë kryerjes së detyrës pasi veprime të tilla të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe mënyra e trajtimit të figurës së mjekut nga ana e prokurorisë ka qenë denigruese",- u shprehën mjekët duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të mjekut dhe vlerësimin e figurës së mjekut. Në këtë deklaratë ata janë shprehur edhe me ndërprerjen e të gjitha shërbimeve për një orë. Kjo deklaratë është mbështetur nga Urdhri i Mjekut dhe nga ana e Sindikatës së Pavarur të Shëndetësisë.


Në protestë merrnin pjesë kirurgë të njohur të Elbasanit dhe drejtues të institucioneve shëndetësore. Alban Hoxha u arrestua mbrëmjen e së mërkurës nën akuzën e "moskallëzimit të krimit" për shkak se pas marrjes informacion se mbi një 6-vjeçar ishte ushtruar dhunë seksuale, nuk kishte njoftuar policinë, sipas detyrimit ligjor


Prindërit e fëmijës së dhunuar kërkojnë mbrojtje


Prindërit e 6-vjeçarit të përdhunuar kërkojnë mbështetje, siguri dhe lirimin e mjekut të arrestuar për moskallëzim krimi. Pëllumb Kurti, babai i fëmijës, thotë se djali i tyre para dy ditësh ka treguar çfarë i kishte ndodhur. "Ai i tha të ëmës që i kishte lidhur duart dhe i kishtë bërë gjëra që nuk mund të tregohen. Autori i kishte dhënë dhe 1 mijë lekë e i kishte thënë se, nëse do të tregonte, do ta vriste".


Familja rome e varfër e gjendur në këtë situatë të rëndë, bën thirrje për mbrojtje nga shteti pasi ndihen të kërcënuar. "Shteti të më mbrojë se jam një i varfër e nuk dua të kem probleme me familjen e 23-vjeçarit.

Kam frikë mos më vrasin se unë shkoj për të punuar në Peqin e Gjirokastër, kam frikë mos më kapin fëmijët e më vrasin nusen", deklaron ai. Familja Kurti jeton në të njëjtin fshat me familjen e autorit të krimit dhe ndihet e rrezikuar për gjithçka që mund t'i ndodhë.


Ndërkohë për mjekun kjo familje kërkon nga shteti që ta lirojë pasi ai u kishte thënë familjarëve për atë që kishte ndodhur dhe se mjeku sipas tyre, nuk ka asnjë faj.
Të tronditur psikologjikisht pasi kanë mësuar të vërtetën nga fëmija vetëm 6 vjeç, i cili është bërë viktimë e përdhunimit nga 23-vjeçari Mandi Doda, prindërit e vogëlushit kërkojnë ndihmën e një psikologu për të marrë veten pas traumës.


Gjithashtu, ata kërkojnë ndihmë të shpërngulen nga fshati dhe ndërhyrjen e policisë për mbrojtjen e sigurinë e tyre. Kjo familje jeton në një varfëri të skajshme vetëm me disa të ardhura nga i vetmi që punon, babai i djalit 6-vjeçar.


Nga dëshmia e tyre, gjithçka ka ndodhur një javë më pare, por vetëm kur fëmija shfaqte shqetësime e kanë dërguar tek mjeku. Ditën kur ata e kanë çuar në spital, ka qenë mjek roje kirurgu Alban Hoxha, i cili gjithashtu ka konstatuar se vogëlushi kishte dëmtime fizike si pasojë e dhunës.


Për shkak të mungesës së denoncimit nga ana e mjekut, i cili është i detyruar me ligj të njoftojë policisë, policia e ka prangosur atë nën akuzën e "moskallëzim të krimit", por mësohet se dëmtimet fizike janë konstatuar nga ana e tij dhe për këtë janë vënë në dijeni të dy prindërit, që më pas i janë drejtuar policisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›