Zhdukja e Bleonës, 50 dëshmi në Shqipëri e Kosovë
Babai i vajzës së zhdukur hedh dyshime mbi të motrën e tij, për shkak se ajo ishte personi i fundit madhor që e pa fëmijën
Pritet që prokuroria të bëjë një analizë të çështjes, për të përzgjedhur pistat e mundshme që sipas saj mund të qëndrojnë
TIRANE- Hetimi i zhdukjes së Bleona Matës, nga Prokuroria për Krime të Rënda, përveç hetimit të çështjes brenda territorit shqiptar janë zgjeruar kërkimet edhe në territorin e Kosovës, duke marrë në pyetje disa banorë të zonës kufitare me fshatin Zapod të Kukësit.
Në këtë fshat, 20 ditë më parë u zhduk pa asnjë gjurmë vajza 6- vjeçarje Bleona Mata. Gjatë këtyre veprimeve, hetuesit e çështjes kanë mundur të mbledhin 50 dëshmi të personave të ndryshëm që sipas burimeve japin detaje për rrethanat e hetimit të çështjes.
Ndërkaq, gjatë marrjes së deklarimeve, babai i vajzës, ka hedhur dyshime të forta mbi personat që e shoqëronin vajzën e tij ditën e ngjarjes. Dyshimet më të forta ai i hedh mbi të motrën e cila ishte personi i fundit i rritur që ka parë Bleonën.
Këto fakte konfirmohen nga burimet zyrtare të akuzës, që pohuan se prokurori i çështjes Anton Martini, i shoqëruar nga hetuesit e çështjes dhe drejtues të policisë lokale kanë kryer një sërë veprimesh hetimore në Kukës, Prizren e në fshatrat e komunës së Sharrit (Dragash) në kufi me Kukësin.
Të njëjtat burime, thanë se në dy ditët e qëndrimit në Kukës, prokurori dhe hetuesit e çështjes, kanë marrë në pyetje mbi 50 persona të ndryshëm, si familjarë, fshatarë të zonës në Shqipëri e Kosovë. Po kështu janë pyetur edhe disa efektivë të policisë që kanë gjurmuar zhdukjen e vajzës me qen. Disa prej të pyeturve, janë shoqëruar në ambientet e policisë së Kukësit për të dhënë shpjegime të hollësishme, mbi dijeninë që kishin.
"Që nga marrja e dosjes nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë kryer një sërë verifikimesh dhe procedurash hetimore, duke verifikuar pistat e mundshme të ngjarjes. Janë marrë në konsideratë pistat e rrëmbimit të mundshëm nga trafikantët, mbytja nga kafshët e egra, si dhe rrëmbimin nga ndonjë maniak seksual",- thanë për "Shekullin" burime të prokurorisë.
Sipas tyre, po verifikohen edhe dyshimet e ngritura nga babai i vajzës për vajzat që e shoqëronin 6- vjeçaren në mal dhe të gjitha pistat e tjera të mundshme. Për të gjitha këto pista po kryhet verifikimi i nevojshëm dhe për pak ditë do të përzgjidhen disa prej tyre, pasi pritet të sqarohen dyshimet e ngritura, sqaruan burime të prokurorisë.
Më tej prokurori i çështjes dhe drejtues të policisë, kanë kryer takime me policinë lokale kosovare në Prizren, në atë Sharrit si dhe me prokurorë e drejtues të akuzës në këto dy qytetet. Pas këtyre takimeve, janë aktivizuar në kërkim të 6- vjeçares Bleona Mata, efektivë të policisë, maqedonase dhe kosovare për territoret e tyre.
Madje është organizuar kërkim edhe nga Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK-n). Babai i vajzës 6- vjeçare vazhdon të ngrejë dyshime të forta mbi motrën dhe mbesat, të cilat kanë qenë dhe personat e fundit që kanë pasur kontakt me të miturën para zhdukjes së mistershme.
Ai dyshon se vajzat po mbajnë diçka të fshehur, duke dyshuar në ndonjë lidhje të tyre intime të zbuluar rastësisht nga 6- vjeçarja, pistë kjo e cila po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Këta të fundit, theksuan se Policia e Kukësit, pak ditë më parë ka marrë dy telefonata nga fshati fqinj, Bele, banorë të së cilës kanë njoftuar se u është bërë se dëgjonin britmat e një fëmije, diku në periferi të fshatit. Nga kontrolli i zonës ka rezultuar se informacioni ishte i pavërtetë.
Vajza u zhduk, kur shoqërohej nga halla e saj
Bleona Mata, 6 vjeçe, banuese në fshatin Zapod të Kukësit, humbi 20 ditë më parë në mënyrë të papritur në një kullotë rreth 500 metër mbi shtëpinë e saj të banimit, ku kishte shkuar për të kullotur batëgtitë. Ajo ishte bashkë me pesë vajza të tjera të moshës, nga 14 deri në 22 vjeç, të gjitha anëtare të familjes Mata dhe për herë të parë shoqëronte vajzat.
Ato zakonisht kullotnin bagëtitë e familjes në një kodër rreth 20 minuta larg shtëpive të tyre dhe me to ishte edhe halla e vajzës së zhdukur. Rreth tri javë më parë, më 22 maj, Bleona Mata kishte shkuar për herë të parë pas tyre. Me vete vajzat kishin marrë ushqim të cilin e kanë ngrënë. Vajza e vogël, ka kërkuar ujë, ndërsa vajzat e tjera janë ndarë nga njëra-tjetra, secila për të mbledhur bagëtinë e saj.
Në këtë kohë, vajza e vogël, ka mbetur e vetme te vendi ku kishin ngrënë ushqimin të cilin e kishin mbështjellë me xhup. Në një kohë të shkurtër vajzat janë larguar në një pyll me shkurre aty pranë, duke mos pasur mundësi për të parë dhe kontrolluar vendin ku ndodhej vajza. Sipas deklarimit të tyre në polici dhe prokurori, kur janë kthyer pas disa minutash, ato nuk e kanë gjetur vajzën.
Ato kanë pohuar se nuk kanë parë apo dëgjuar ndonjë lëvizje apo gjë për të dyshuar. Në vendin ku ato kishin lënë vajzën e mitur duke ngrënë bukë, janë gjetur vetëm sandalet e Bleonës.