E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i reanimacionit, 5 milionë gjobë në gjyq

 

TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit kërkon 500 mijë lekë gjobë për ish-shefin e Spitalit Ushtarak, të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm”, që pati për pasoje vdekjen e një pacienti. Kërkesa u bë në seancën e djeshme të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare nga organi i akuzës. Pasi parashtroi para gjykatës faktet dhe argumentet, që sipas akuzës, provonin fajësinë e mjekut anestezist Viktor Kotani prokuroria kërkoi deklarimin e tij fajtor për akuzën e ngritur ndaj tij dhe gjobitjen e tij në shumën 500 mijë lekë. Ngjarja për të cilën akuzohet mjeku anestezist Kotani ka ndodhur në korrik të vitit 2007. Pas një aksidenti të rëndë automobilistik Urim Baçi mbërrin në Spitalin Ushtarak. Pas tre javësh ai ndërroi jetë në ambientet e këtij spitali. Pas vdekjes së pacientit Baçi familjarët e tij ngritën pretendimin se i afërmi i tyre kishte vdekur nga neglizhenca e mjekëve. Pretendimet e tyre rezultuan të sakta, pas nisjes së hetimeve nga organi i prokurorisë. Autopsia e trupit të pajetë të Baçit, nxori një infeksion të rëndë në mushkëritë e tij. “Në mushkëritë e pacientit është vërejtur një infeksion i qelbëzuar i shkallës së lartë. Në mushkëri, në anën e djathtë të gjoksit janë hequr dy litra qelb”, thuhej në raport-autopsi. Sipas raportit mjeku nuk kishte arritur të bënte ekzaminimin e duhur në mushkëritë e pacientit për të dalluar infeksionin e lartë.    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›