I rrahin familjen, vdes nga ataku
PEQIN/ Policia: Për shkaqe pronësie. Arreston 34-vjeçarin vetëm për plagosje me dashje.
Jaho Ferhati pa ti dhunohej gruaja, djali dhe nusja.
I rrahin familjarët, vdes nga infarkti i zoti i shtëpisë. Një sherr për pronat ka shkaktuar vdekjen e një 63-vjeçari, ndërsa mësohet se tre shtetas të tjerë ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, jashtë rrezikut për jetën.
Burime të Policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Pekisht të komunës Pajovë të qytetit të Peqinit, ku pas një sherri banal, i nisur prej kohësh për pronat, ka degjeneruar në dhunë fizike mes dy familjeve. Konkretisht mësohet se shtetasi Lutfi Çullhaj, 37 vjeç, është konfliktuar si dhe ka goditur me sende të forta tre fqinjët e tij, anëtarë të një familjeje, pikërisht shtetasit: E.Ferhati, 54 vjeçe, I.Ferhati, 34 vjeç dhe Th.Ferhati, 32 vjeçe. Mes dy familjeve që i ndante një gardh konflikti ka nisur me vite për çështje pronësie dhe gjithnjë ka pasur debate mes tyre, por që përfundonin me fjalë. Dy net më parë ka nisur një debat me fyerje, e më pas 37-vjeçari i ka goditur fqinjët e tij me sende të forta, si lopatë dhe gurë, duke i lënë të plagosur. Këta të fundit janë transportuar menjëherë në spitalin kirurgjik të qytetit, ku pasi kanë kuruar plagët kanë dalë në orët e pasdites së të shtunës dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Por fatkeqësia në familjen Ferhati ka ndodhur në orët e vona të së shtunës, disa orë pasi kishte ndodhur sherri ku kryefamiljari i familjes, 63-vjeçari Jaho Ferhati, si pasojë e shokut që pësoi nga sherri dhe plagosja e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij nga fqinji, ka pësuar atak në zemër duke gjetur kështu vdekjen e menjëhershme. Policia shkoi menjëherë në banesën e të ndjerit ku kreu të gjitha hetimet për të vërtetuar shkakun e vdekjes së 63-vjeçarit. Mësohet se nga këqyrja e kufomës, ekspertët nuk konstatuan shenja dhune apo dëmtime të tjera trupore, ku edhe dolën në përfundimin se shkak i vdekjes së Ferhatit ka qenë ataku kardiak. Shoku i kaluar ka influencuar në vdekjen e 63-vjeçarit, pasi ky i fundit vuante prej vitesh nga zemra, deklarojnë burime zyrtare të Policisë rreth vdekjes së tij në banesë. Ndërkaq Policia ka arrestuar menjëherë pas ngjarjes 37-vjeçarin dhe po punon për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes. Ky i fundit akuzohet vetëm për veprën penale “plagosje me dashje” dhe se Prokuroria do të hetojë vetëm për këtë vepër penale dhe jo për vdekjen e kryefamiljarit, pasi vdekja e tij është cilësuar natyrale.
PEQIN/ MIRANDA SADIKU