E Diel, 1 Nëntor 2026

Skafi me drogë në Jalë, burg për 4 trafikantët

Gjykata e Krimeve të Rënda

Katër personat e arrestuar të shtunën pranë Himarës nga operacioni antitrafik Hidra, ku u bllo-kuan 95 kilogramë cannabis sativa, u lanë dje në masën e arrestit me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ata pretenduan pafajësi gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatë ditën e djeshme, kur trupi gjykues vendosi masën e sigurisë pasi dëgjoi prokurorinë dhe avokatët. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, sasia e drogës që u është bllokuar katër personave dyshohet se kishte për pritës një organizatë kriminale italo-shqiptare në Itali. Pretendimet e të arrestuarve për pafajësi nuk e bindën trupën gjykuese, e cila vendosi lënien e tyre në qeli deri në përfundim të hetimeve. Të dyshuarit Mario Gjata, 37 vjeç, Mario Gjata, 37 vjeç, Artur Haxhiaj, 26 vjeç, Artjol Haxhiaj, 31 vjeç dhe Arben Shtëmbari, 43 vjeç, u paraqitën dje te Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Pasi u njoh me provat e Prokurorisë dhe pretendimet e të pandehurve, trupa gjykuese vendosi për të katërt ata masën e sigurisë arrest me burg. Hetimi ndaj katër të dyshuarve ka nisur katër muaj më parë dhe finalizimi i operacionit për prangosjen e tyre ishte një bashkëpunim mes strukturave Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin, si edhe Prokurorisë për Krimet e Rënda. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se organi i akuzës paraqiti dje një numër provash, që provonin dyshimet e përfshirjes së të arrestuarve në trafikun e narkotikeve. Sipas burimeve, përveç sekuestrimit të skafit dhe të sasisë së drogës, Prokuroria zotëron përgjime telefonike të të dyshuarve me njëri-tjetrin. Katër të dyshuarit kanë shkëmbyer biseda në lidhje me nisjen e sasisë së drogës përtej brigjeve shqiptare. Të sipërpërmendurit u arrestuan teksa po tentonin të trafikonin një sasi lënde narkotike drejt Italisë përmes një mjeti lundrues skaf. Nga veprimet e menjëhershme të kryera në territorin e Jalës është arritur të konstatohet dhe të kapet një mjet lundrues tip skaf, rreth 7 metra, me motor të fuqishëm 225 KWA, i cili ishte braktisur. Nga ndjekja dhe kërkimet e mëtejshme që janë kryer në territorin përreth është arritur të bëhet kapja e drejtuesit të skafit dhe më pas i personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, bëri të ditur Policia pas operacionit.
Hetimi për këtë linjë trafiku është drejtuar nga prokuroria e krimeve të rënda në Tiranë dhe ka nisur rreth katër muaj më parë. Gjatë kësaj kohe, grupi i hetimit ka arritur të zbardhë mënyrën si vepronte rrjeti i trafikut, anëtarët që ishin në përbërje të tij si dhe rrugët në të cilat qarkullonte droga. Ka qenë pikërisht hetimi i drejtuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka mundësuar ndjekjen dinamike të veprimeve që kryenin tre personat deri tek ndërhyrja e forcave operacionale të policisë në momentin kur skafi po përgatitej për tu nisur në drejtim të Italisë. Besohet se personat që do ta prisnin drogën në vendin fqinj arrijnë deri në nivelet mafioze të krimit në Itali.

Të arrestuarit
Mario Gjata
Artur Haxhiaj
Artjol Haxhiaj
Arben Shtëmbari

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›