E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendër prostitucioni te blloku i ambasadave

Një bazë prostitucioni
është goditur në Tiranë
pas një operacioni të
ndërmarrë nga Antitrafiku,
ndërkohë që në prangat e
policisë kanë përfunduar pronari
i një hoteli dhe një prostitutë.
Baza ishte vendosur pranë bllokut
të ambasadave, te hotel
"Drilon", i cili është sekuestruar
përkohësisht nga Prokuroria e
Tiranës për veprime hetimore.
Policia e Tiranës tha zyrtarisht
se në pranga përfunduan Sofie A.
dhe Sulejman Shehu. Gjithashtu,
policia shoqëroi edhe tetë femra
të tjera, të cilat dyshohen se kryenin
aktivitet prostitucioni në
këtë hotel.
Burimet policore të kryeqytetit
bënë të ditur se operacioni i
ndërmarrë u kodua me emrin
"Drilon", ashtu siç quhej edhe
hoteli, për të cilin ishte marrë informacion
operativ se ishte bazë
prostitucioni. Disa javë më parë,
agjentët e Antitrafikut të Tiranës
ishin informuar se në zonën e bllokut
të ambasadave ishte një hotel,
në të cilin ushtrohej prostitucion.
Menjëherë ka nisur hetimi
për dokumentimin e kësaj vepre
penale, ndërsa dy ditë më parë
është bërë goditja. Sipas policisë,
nga seksioni kundër trafiqeve të
paligjshme, në orën 14:00 të së
martës, ndërhynë në këtë hotel
duke realizuar arrestimin në
flagrancë të Sofie A., 40 vjeçe, lindur
në Shkodër dhe banuese në
Shkozë. Sipas policisë, ajo është
kapur gjatë kontrollit të ushtruar
në hotel. Nga të dhënat e grupit
hetimor mësohet se ajo është
kapur në flagrancë duke ushtruar
prostitucion në një nga dhomat e
hotelit me shtetasit A. Z. dhe H.
H. Policia detajoi se ajo kryente
këtë aktivitet kundrejt shumës
prej 2 mijë lekë për person.
Ndërkohë, kontrolli është
ushtruar edhe në dhomat e tjera
të hotelit, ku janë gjetur tetë
femra të tjera, bashkë me partnerë.
Ata janë marrë në pyetje
nga oficerët e policisë gjyqësore
dhe më pas janë lënë të lirë.
Megjithatë, policia tha se dyshon
se këto tetë femra ushtronin
prostitucion në ambientet e
këtij hoteli. Duke marrë shkas
nga këto të dhëna, uniformat
blu të Antitrafikut kanë bërë
shoqërimin në polici të Sulejman
Shehut, 48 vjeç, lindur në
Kukës dhe banues në Tiranë, i cili
është posedues i hotelit "Drilon".
Por, gjatë provave të mbledhura,
është vendosur që ai të arrestohet.
Sipas policisë, arrestimi i tij
u bë pasi për të është regjistruar
procedim penal për veprën penale
të "mbajtjes së lokaleve për
prostitucion". Ai dyshohet se në
kohë dhe periudha të ndryshme
ka proceduar raste të ushtrimit
të prostitucionit në këtë hotel,
ku dhe u bë arrestimi i shtetases
së lartpërmendur.
Megjithatë, të dy të arrestuarit
nuk e kanë pranuar akuzën
e ngritur nga policia. Ata janë
shprehur se nuk kishin lidhje
njëri me tjetrin dhe se nuk kishin
ushtruar aktivitet kriminal. Por,
kjo nuk e ka bindur prokurorinë
përballë fakteve të tjera, e cila
ka vendosur edhe sekuestrimin
e përkohshëm të hotelit. Sipas të
dhënave hetimore, po vlerësohet
nëse ka prova të forta, nëse hoteli
është përdorur vetëm për këtë
aktivitet dhe mund të kërkohet
në gjykatë që ai të sekuestrohet
përfundimisht. Policia tha se
në cilësinë e provës materiale u
sekuestruan edhe 30 mijë lekë,
që dyshohet se janë përfituar
vetëm gjatë një dite nga kjo
veprimtari e paligjshme. Sipas
të dhënave hetimore, Sofie A.
dërgonte në hotel mesatarisht
15 klientë në një ditë. Ndaj saj
është ngritur akuza e ushtrimit
të prostitucionit, ndërsa pronari
i hotelit akuzohet për vënien
në përdorim të ambienteve për
prostitucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›