Piktori Haliti,ekspozitë në Durrës
Akademia e Arteve dhe Instituti i Arteve “Profondiste – Eti”, në bashkëpunim me Galerinë “Jozef” në Durrës, organizon ekspozitën personale të artistit kosovar, Jetullah Halitit – Etit. Ekspozita do të hapet në 20 gusht dhe në të do ekspozohen piktura, të punuara viteve të fundit nga ky artist. Ngjyra më e preferuara e artistit Haliti është e bardha, pasi sipas tij, ajo gjendet tek veza, tek sinqeriteti, pafajësia, tek vello e nuseve, tek gëzimi, hareja, tek plisi, tek qefini... Ndërsa ngjyra tjetër, e cila shqetëson piktorin është e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, vullkaneve, të cilat kur shuhen krijojnë toka të reja. “Ngrohja globale”, “Shkrirja e akullnajave”, “Trekëndëshi i Bërmudës”, ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit të Joneskos dhe të Becketit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finaleje reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”.